LAJMI I FUNDIT:

“Prishtinës as Messi s’mund t’i kryejë punë”

“Prishtinës as Messi s’mund t’i kryejë punë”

Ish-futbollisti i Prishtinës, Faton Zejnullahu, u ka dërguar një porosi shokëve të skuadrës bardhekaltër, duke u thënë se po të përforcoheni edhe me Messin sivjet nuk do të mundë të marrin titullin kampion.

Kampioni vjeshtor i Superligës, Llamkos Kosova, sot pritet të ketë takimin e parë me futbollistë për t’i nisur përgatitjet për edicionin pranveror. Vushtrriasit i pret një punë shumë e vështirë, ndonëse kanë një diferencë bukur të madhe të pikëve nga përcjellësit. Megjithatë “gladiatorët” mbeten optimistë se puna është kryer dhe se ata do të jenë kampionë të rinj, transmeton Telegrafi.

“Sigurisht që Prishtina mund të bëhet kampion, por vitin e ardhshëm ndoshta, këtë herë nuk ka gjasa”, ka thënë Zejnullahu, duke njoftuar se shkas për shtyrjen tre ditë të përgatitjeve ishte vdekja e babait të trajnerit, Ismet Munishi. “Të premten kemi pasur t’i fillojmë stërvitjet, por për shkak të rastit të vdekjes së babait të trajnerit ato janë shtyrë disa ditë.

A do të punojmë me trajnerin e parë apo më ndihmës në këtë fillim, unë nuk e di”, tha mesfushori, duke iu kthyer edhe një herë, pranverës e sidomos përforcimeve të fundit të Prishtinës, të cilët deri më tash kanë marrë sulmuesin, Shkëmbim Salihu, mbrojtësin Liridon Leci dhe flitet se mund ta angazhojnë edhe Debatik Currin.


Por këto përforcime nuk ia mbushin syrin taborit vushtrrias. “Nuk na interesojnë përforcimet që bën Prishtina. Ata mund ta marrin edhe Messin, por që kampion këtë herë do të jemi ne. Ky do të jetë titulli i parë për Llamkos Kosovën”, është shprehur i sigurt Zejnullahu. /Zëri/Telegrafi/