LAJMI I FUNDIT:

Prishtinën për idare

Si qytetar i Kosovës, si qytetar i Prishtinës, si pjesëmarrës por edhe si vrojtues dhe kritik gati në të gjitha ngjarjet e kthesat historike e histerike të këtij vendi, do të doja që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të dilte në opozitë. Në të vërtetë, këto do të jenë zgjedhje komunale 2009 andaj edhe nëse LDK pëson rënie, nuk besohet që kjo do të reflektonte me automatizëm edhe nivelin qendror të pushtetit politik, pra, Qeverinë. Por, lajmi për LDK në opozitë për shumëkë do të ishte çlirues.

Zërat që LDK është forcuar dhe se pritet një ngritje e saj në nivel kombëtar në këto zgjedhje komunale janë të pasakta. Tek e fundit, mëngjesi i 16 nëntorit 2009 pritet të konfirmojë dhe të verifikojë këtë. Ka arsye të forta të besohet që shumica nga qytetarët e Kosovës veç të jenë lodhur nga qeverisja e LDK-së për vite me radhë, tash e 20 vjet, tash e dy dekada. Po të ishte kjo qeverisje, përkatësisht, kjo parti e suksesshme në qeverisje, atëherë asnjë qytetar i Kosovës nuk do të shprehte haptazi lodhjen.

E dimë që LDK premtoi shumë. Prej fillimit të ekzistencës së vet ajo premtoi. Por, kjo parti asnjëherë nuk arriti të jetë parti e përfaqësimit qytetar, parti e përfaqësimit të interesave qytetare. Në këtë parti asnjëherë nuk u dëgjua zëri i qytetarit, zëri i arsyes. Kjo parti vazhdimisht ishte e mbushur me zëra biznesesh e përfitimesh të drejtpërdrejta dhe anësore, por edhe e klaneve dhe e nxitjes së urrejtjes regjionale brenda Kosovës. Kështu, në tentimin e saj që të bëhet Zot shtëpie, LDK vepronte thuaja të ishte pronare e Kosovës, pra, një vend ku do të bëhet çdo gjë që thotë ajo. Për të përmbyllur, kjo parti vazhdimisht bënte të kundërtën e asaj që e premtonte, që e kishte folur. Këto, në formë përmbledhëse, janë arsyet pse kjo parti asnjëherë nuk i realizoi premtimet e veta


Në këtë kuadër, do t’i sugjeroja Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe partive të tjera garuese për Komunën e Prishtinës që t’ia linin Prishtinën LDK-së sa për idare. Do t’ia lija Prishtinën LDK-së që në mëngjesin e 16 nëntorit 2009 të ulet në kolltukun e opozitës dhe të reflektojë se çfarë do të bëj tutje. Besoj fuqimisht dhe plotësisht që nëse kjo parti e ka ndërmend të vazhdoj edhe më tutje të jetë parti politike, atëherë ajo duhet të freskojë arsyen dhe sidomos agjendën e vet politike duke vendosur interesin e përgjithshëm qytetar dhe kombëtar në çdo prioritet të saj. Edhe atëherë kur “miqtë” e Kosovës sugjerojnë ndryshe. Dhe të veprojë sipas asaj agjende pa ndalesa e pa kthime mbrapa, e pa mëdyshje. Sepse në këtë mënyrë LDK nuk do të kishte “fajtor kujdestar” sa herë që do të dështonte.

Në këtë kuadër, nuk e besoj që do të ishte fort cinike ose ironike nëse deklarohet me përgjegjësi të plotë që Kosova u shpall shtet, i pavarur dhe sovran (e tillë çfarë është) tek pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Kështu, deklaratat që LDK është parti nacionaliste ose se Rugova e bëri Kosovën shtet, duhet të rimendohen e riformulohen jashtë kuadrit të promovimit aktual zgjedhor, por edhe jashtë promovimit medial e publik në vazhdimësi në cilëndo formë nga kjo parti, sepse formulimet e tilla nuk janë të qëndrueshme. Përkundrazi, e refuzojnë realitetin, ose realiteti i refuzon ato.

Në këtë kuadër, vlen t’i sugjerohet PDK-së që të marr mësim nga LDK-ja e jo ta zëvendësojë atë. Jashtë botëkuptimit ose ideologjisë politike të djathtë ose të majtë, jashtë thirrjes për bashkim kombëtar, PDK duhet të ketë arsyen dhe agjendën e interesit qytetar para vetes dhe ta përcjellë atë deri në fund, pa ndalur, pa kthesa dhe pa hamendje. Kjo rrugë shpesh duket e gjatë dhe e mundimshme, por PDK duhet të dijë që jo gjithçka varet vetëm nga ajo. PDK duhet të jetë e vëmendshme që ajo nuk e pronëson Kosovën, por janë qytetarët e saj që e pronësojnë atë. Me këtë, arrihet shpërndarja e përgjegjësisë, por edhe përfitimet që dalin nga kjo përgjegjësi. Politikisht, kjo po quhet “sovranitet”, pra, vend ky vendosin qytetarët, populli, për çfarëdo qoftë, edhe për bashkim kombëtar, por edhe për kthesat politike të djathta e të majta.

Konkretisht, LDK ka bërë gabime të shumta përgjatë tërë procesit politik të Kosovës. Do të ishte e pafalshme për PDK-në, por edhe për Kosovën si shtet edhe për qytetarët e saj si sovran, nëse tashti do t’i përsërisim gabimet, dhe atë, nga e para.