LAJMI I FUNDIT:

Prishtina stërvitet me Kumanovën

Prishtina stërvitet me Kumanovën

Skuadra e Sigal Prishtinës e ka mposhtur me lehtësi Kumanovën e Maqedonisë me rezultat 75-60, në kuadër të Ligës Ballkanike.

Palestra e rinovuar e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dukej më e bukur se kurrë më parë, teksa Plisat e kishin mbushur atë përplot për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës në këtë ndeshje derbi.

Ndeshja filloi me një nervozizëm tek të dyja palët pasi që për 2 minuta e 8 sekonda nuk shënuan asnjë pik. Sidoqoftë, Blerim Mazreku e hapi serinë e pikëve për bardhekaltërit, pastaj Jones dhe Waller bombarduan me trepikësha. Mazreku tejet i disponuar për lojë nuk u ndal me kaç, ai shënoi 11 pikë gjatë çerekut të parë, për ta ngritur epërsinë e vendasve në 11 pikë, 21-10.

Për t’ia vështirësuar situatën Kumanovës edhe më shumë, u përkujdes Alban Veseli që e hapi çerekun e dytë me një trepikësh, dhe jo vetëm. Pas tij, në skenë u shfaq kush tjetër pos snajperistit Dardan Berisha, i cili kreu ‘gjenocid’ nga zona e trepikëshave duke i shënuar tre sosh. Mysafirët në anën tjetër bënin shumë gabime në sulm, të cilat i shfrytëzuan bardhekaltërit me kundërsulme të shpjeta për ta ngritur edhe më tej epërsinë në 18 pikë, 43-25.


Kapitullimin e Kumanovës e nënshkroi Kendrick Jones në çerekun e tretë me disa shënime të njëpasnjëshme për ta ngritur epërsinë deri në 28 pikë epërsi, 65-37.

Çereku i katërt u zhvillua më shumë për hir të protokollit sepse bardhekaltërit tashmë e kishin siguruar fitoren. Kjo i dha mundësi trajnerit të Sigal Prishtinës, Ceyhun Cabadak, që ta inkuadrojë të riun Fisnik Rugova, i cili luajti mjaftë bukur dhe morri duartrokitjet e publikut. Rezultati përfundimtar i këtij takimi ishte, 75-60.

Kjo ishte fitorja e gjashtë e Sigal Prishtinës në Ligën Ballkanike, me të cilën ka tubuar 15 pikë dhe renditet në vendin e dytë pas Kumanovës (16) që ka një ndeshje më shumë.

Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës:
1 Kendrick Jones 16 pikë
2 Blerim Mazreku 13 pikë
3 Dardan Berisha 11 pikë
4 Aurimas Kieza 9 pikë

Koshashënuesit më të mirë të Kumanovës:
1 Vukasin Mandic 13 pikë
2 Royce Parran 13 pikë
3 Ivan Miskovic 11 pikë
4 Uros Lukovic 7 pikë