LAJMI I FUNDIT:

Prishtina e ndihmoi fitoren e Ferizajt

Prishtina e ndihmoi fitoren e Ferizajt

Ka vazhduar seria e rezultateve të dobëta të FC Prishtina në ndeshjet si udhëtuese, pavarësisht optimizmit se nga Ferizaj do të kthehej me gjah të plotë.

Në fakt, fitoren e Ferizajt e ka ndihmuar në masë të madhe Prishtina, e cila pësoi gol tejet naiv, por edhe nuk shënoi nga dy raste nga të cilat është më vështirë të huqet se sa të realizohet. Ndonëse e kishte më shumë topin në pronësi, gjuajtjet jashtë 16-shit ishin i vetmi rrezik nga Ferizaj. Dautaj e Dajaku dy herë tentuan, por topi përfundoi pranë portës së Mushicës. Në anën tjetër, në minutën 26 pas harkimit nga këndi, Kukaj i Prishtinës gjuan bukur, por Avdyli e shpëton rrjetën e vet. Rasti më i mirë ishte ai i minutës 30’, kur Kuka harkon, kurse Hyseni edhe pse i papenguar nuk e qëllon rrjetën nga 4-5 metra. Luhej minuta 57’ kur Ferizaj kaloi në epërsi.

Dautaj gjuan nga 23 metra dhe kur dukej se Mushica do ta zotërojë topin pa telashe, ai u ngatërrua dhe lejoi që ai të futet në rrjetë 1:0. “ E mundëm Prishtinën ashtu si na mundi ajo neve në ndeshjen e parë. Mendoj se luajtëm mirë, patëm edhe fat, por na mungoi përvoja për ta dënuar kundërshtarin”, tha kryetrajneri i Ferizajt, Bylbyl Sokoli. Pjesa e dytë ishte më atraktive, por edhe me zvarritje të shpeshta të lojës.

Në minutën 60’ Begolli huqi nga pozita e pastër pas asistimit të Kelmendit, ndërsa vetëm një minutë më vonë arbitri Idriz Kelmendi u tregua i ashpër, sepse ndëshkoi me karton të kuq Kukajn, pas një ndërhyrje jo të qëllimshme dhe jo të ashpër. “Më shumë e mundëm veten sesa na mundi Ferizaj. Dështuam në realizimin e rasteve si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën. Ne ende mbetemi në luftë për titull, por këtë duhet ta dëshmojnë futbollistët në fushë”, tha kryetrajneri i Prishtinës Afrim Tovërlani. /Zëri/Telegrafi/