LAJMI I FUNDIT:

PriFilmFest sjell kinemanë botërore në Prishtinë

PriFilmFest sjell kinemanë botërore në Prishtinë

Me një punë mjaft intensive gjatë muajve të kaluar dhe tre muajve të ardhshëm që kanë mbetur deri te fillimi i edicionit të parë të festivalit të PriFilmFest në shtator, pritet që festivali në Prishtinë të sjell shumë risi nga kinemaja botërore dhe njëherit një javë dinamike për adhuruesit e artit të shtatë në Kosovë.

Tani më janë përcaktuar shumë gjëra lidhur me këtë festival, duke përfshirë këtu bordin e nderit të festivalit nën udhëheqje të aktores me famë botërore, fituese e çmimit Oskar dhe Golden Globe, Vanessa Redgrave.

Anëtarët tjerë të bordit: Isidore Codron producent nga Afrika e Jugut, producent i filmit “Hotel Rwanda” fitues i Oskar; Omer Kaleshi, piktor me famë botërore, me prejardhje shqiptare, që jeton në Francë; David Gothard, regjisor nga Britania e Madhe, personalitet me kontakte të mëdha në botën e teatrit dhe kinemasë; Isa Qosja, regjisor i njohur nga Kosova; Eqrem Basha, shkrimtar e publicist i njohur nga Kosova; Agim Zatriqi, drejtor i përgjithshëm i RTK; Luan Mulliqi, skulptor – dizajnues i shpërblimit të festivalit “Hyjnesha e Artë”; dhe Shkumbin Istrefi, aktor i njohur e producent nga Kosova.

Përveç kësaj, PriFilmFest tani më ka edhe listën e filmave që janë ftuar të marrin pjesë në festival, nga të cilët një pjesë e madhe kanë sjell konfirmimin e tyre.
Ndër vendet pjesëmarrëse në festival me filmat e tyre do të jenë, Gjermania, Franca, Turqia, Kosova, Shqipëria, Anglia, Afganistani, Bosnja, Maqedonia, Shtetet e Bashkuara te Amerikës, etj.


PriFilmFest, po ashtu tani ka gati edhe statujën e festivalit, e punuar me shumë kujdes nga skulptori i njohur Luan Mulliqi. Statuja reflekton simbolin e qytetit të Prishtinës dhe mbanë emrin Hyjnesha e artë apo në anglisht “Golden Goddess”. E praruar me ngjyrë ari dhe e punuar me një vijë moderne, Hyjnesha e PriFilmFest do t’i japë një madhështi të veçantë festivalit në shtator.

Sa i përket emrave të njohur që pritet të marrin pjesë në festival, PriFilmFest do të ketë nderin të jetë mikpritës i anëtarëve të nderuar të bordit duke përfshirë dhe Vanesa Redgrave, kryetare e bordit. PriFilmFest po ashtu është duke bërë përpjekje që të ketë edhe mysafirë të tjerë të njohur nga bota e kinematografisë, sepse kjo gjë është shumë e rëndësishme jo vetëm për komunitetin artistik kosovar, por edhe për vet Kosovën, në fazën të cilën gjendet duke kërkuar njohje të reja të saj si shtet.

Festivali do të fillojë me datën 22 shtator me natën glamuroze të hapjes, dhe do të përfundojë me datën 30 shtator me natën përmbyllëse të ndarjes së shpërblimeve. Programi i detajuar i festivalit do të jetë i gatshëm në fillim të muajit shtator.

PriFilmFest po ashtu planifikon të organizojë edhe vizita të ndryshme për mysafirët e huaj në mënyrë që të mundësojë promovimin sa më të mirë të pasurive kulturore, historike dhe natyrore të Kosovës.

http://www.prifilmfest.org