LAJMI I FUNDIT:

Presidenti takon Imzot Vincenso Paglia

Presidenti takon Imzot Vincenso Paglia

Presidenti Bamir Topi u takua të mërkurën me përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant’ Exhidios”, Imzot Vincenso Paglia me të cilin bisedoi lidhur me zhvillimet e fundit dhe situatën në Shqipëri.

“Këto zhvillime kanë pushtuar jo vetëm diskursin politik, publik, shoqëror, por edhe mendjet e qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë vlera demokratike e evropiane të sjelljes dhe përgjegjësisë politike, shtetërore dhe institucionale”, tha Topi, duke nënvizuar se duhen respektuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe duhet hequr dorë nga retorika e ashpër për t’iu rikthyer dialogut konstruktiv politik e institucional dhe për t’u përgatitur e zhvilluar sipas standardeve zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit 2011.

Imzot Vinçenco Palia vlerësoi rolin e ekuilibruar dhe moderator të dëshmuar nga presidenti dhe nënvizoi rëndësinë e përballimit së saj me maturi dhe përgjegjshmëri, duke ritheksuar domosdoshmërinë e vendosjes së dialogut konstruktiv mes palëve politike dhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes institucionale, që do t’i shërbente më së miri edhe aspiratës integruese të Shqipërisë në familjen evropiane.

Presidenti Topi dhe Imzot Paglia diskutuan edhe për situatën në Ballkan, duke theksuar se rajoni tashmë ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri dhe të gjitha vendet e tij janë të projektuara qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.


Imzot Paglia vuri në dukje rolin e rëndësishëm dhe pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit mes të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit. /Telegrafi/