LAJMI I FUNDIT:

Presidenti: S’duhet të ketë vija ndarëse qeveri-opozitë për dialogun me Serbinë, t’i hapim rrugë Kosovës

Presidenti: S’duhet të ketë vija ndarëse qeveri-opozitë për dialogun me Serbinë, t’i hapim rrugë Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha sot se kanë kaluar njëzet vjet të plota nga lufta e Kosovës për çlirim, nëntëmbëdhjetë vjet nga Konferenca Paqësore e Rambujesë, dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shtatë vjet nga fillimi i bisedimeve të Brukselit, ndërsa marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë të përmbyllura politikisht.

Thaçi këto komente i bëri në  konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) & Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG).

“Në të gjitha proceset ndërkombëtare që kanë synuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, udhëheqësia kosovare ka qenë e gatshme për marrëveshje politike me Serbinë. Janë humbur në të kaluarën dhjetëra vjet, pa fajin dhe përgjegjësinë tonë, shumë raste të mira, në mungesë të vullnetit politik të udhëheqësisë së Serbisë, për t’i dhënë fund armiqësive politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, që janë të vjetra më shumë se një shekull”, u shpreh presidenti Thaçi.


Ai ka thënë se edhe në vitet e rënda të luftës, edhe në ato të paqes dhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, edhe në vitet kur u bëmë shtet, ne kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë marrëveshjen e madhe historike me Serbinë.

“Kjo gatishmëri ka munguar në Serbi”, shtoi ai.

Kreu i shtetit ka thënë se në politikën dhe në shoqërinë kosovare, ende kanë një pajtim të gjerë që duhet kryer punët e papërfunduara në raportet tona me Serbinë, dhe që duhet arritur marrëveshjen ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative, është interes nacional i Kosovës, i cili nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare. Në këtë proces ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull të rëndë dhe tragjik historik, dhe për t’i hapur udhë Kosovës për të qenë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në BE, në Paktin NATO, kudo”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi: Vizionin e Kosovës e kam prezantuar në kryeqendrat botërore

(E plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se rrëfimi për Kosovën nuk mund të marrë atë trajtën finale, pa mundësuar që shteti i Kosovës të jetë anëtar i OKB-së, i BE-së, i Paktit NATO.

Prandaj, ai ka thënë se përmbushjen e këtij qëllimi ia kemi borxh qytetarëve të Kosovës.

“Kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedime në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullaksimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja në mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, shpallja e ‘Strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor’ në fillim të muajit shkurt, por edhe shumë procese të tjera që janë të njohura për të gjithë ne, i kanë dhënë më shumë dritë perspektivës së ‘Finales së Madhe’ të dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai është shprehur i bindur se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo më sjell edhe tek thelbi i kësaj konference, pra cilët janë skenarët e mundshëm përpara. Siç kemi qenë dëshmitarë të gjithë, nuk ka dhe nuk mund të ketë Status Quo, apo një lloj gjendjeje të ngrirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kemi pasur realisht në dy vitet e fundit përkeqësim e jo përmirësim në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mungesë të epilogut në dialogun e Brukselit. Prandaj, konsideroj se skenari i parë nuk i konvenon Kosovës, por as edhe rajonit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se në aspektin kohor, edhe në bazë të terminologjisë të përdorur në ‘Strategjinë për zgjerimin e BE-së’, po flasim për një urgjencë në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Urgjenca për ne dhe për Brukselin, e le të shpresojmë edhe për Beogradin, nënkupton që ky vit të jetë korniza kohore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Marrëveshja ligjërisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë do të duhej të sillte edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së dhe një dinamikë të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO”, ka thënë Thaçi.

Por, presidenti Thaçi ka thënë se pyetja fondamentale që ngritët në këtë rast është se a do të jetë e gatshme Serbia për një marrëveshje të tillë dhe në rast se po, atëherë çfarë kompromisi do të kërkoj nga Kosova?

“Korrektimi i kufijve, e kam thënë disa herë që është një opsion, i cili bart më vete shumë rreziqe të cilat ne të gjithë i dimë, prandaj nuk dua të futem fare në detaje. Ne konsiderojmë se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme deri më tani, nëpërmjet Planit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë s’e besojmë që BE dhe SHBA së bashku, do të duhej të jenë garantues jo vetëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje të madhe, por edhe të zbatimit të saj, me afate shumë konkrete kohore, dhe me mekanizma ndërkombëtarë të verifikimit të implementimit të saj. /Telegrafi/