LAJMI I FUNDIT:

Presidenti bllokon punën në KQZ

Presidenti bllokon punën në KQZ

Ka disa muaj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional. Shkak për këtë është mosemërimi i anëtarëve të rinj nga presidenti i vendit.

Shoqëria civile në Kosovë po konsideron që presidenti po e zvarritë qëllimshëm këtë proces dhe me këtë po e shkelë Kushtetutën.

Institucioni i Presidencës është në pritje të “mendimit këshillues të Gjykatës Kushtetuese”, derisa kjo e fundit thotë se lënda do të shqyrtohet në seancat e radhës prej të cilave do të mirret vendimi në pajtueshmëri me Kushtetutën.


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me përbërjen e re që do të ketë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Është ngritur dilemë nga presidenti sa i përket ndarjes së anëtarëve të KQZ-së, se sa përfaqësues do të kenë partitë politike aty.

Në qershor, Thaçi kishte vendosur të emërojë grupin e parë të anëtarëve të KQZ-së, derisa për të tjerët kërkoi sqarime nga kushtetuesja se si duhet të bëhet ndarja e posteve në këtë institucion.

E këtë Presidenca tha se po e bënë “për të shmangur çdo dilemë se nga cilat grupe parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së”.

“Departamenti ligjor është duke pritur mendimin këshillues të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në momentin që e keni këtë vendim ne do të veprojmë bazuar në atë vendim”, thuhet në përgjigjen e presidencës dhënë KosovaPress-it.

Por Gjykata Kushtetuese nuk mund të merrte vendim për këtë, dhe as për ndonjë çështje tjetër, meqë ishte pa kuorum, pasi që Hashim Thaçi ende nuk i kishte dekretuar gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Siç thonë në Kushtetuese, kjo edhe ishte arsyeja që nuk arriti të shqyrtohej lënda për KQZ-në.

“Kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar meqenëse pas parashtrimit të saj, Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur kuorumin e duhur për të shqyrtuar lëndën dhe për vendimmarrje. Pas dekretimit të gjyqtarëve të rinj, Gjykata tani është në përbërje të plotë dhe ka kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Lënda do të shqyrtohet në seancat e radhës dhe vendimi do të merret në pajtueshmëri me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese dhënë për KosovaPress.

Pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, del që koalicioni PAN duhet të ketë dy, nga katër anëtar përfaqësues sa kishte në KQZ, komunitetet pakicë të kenë katër anëtarë, kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje të kenë nga 2 përfaqësues, e që më parë kishin nga një.

Çështja u komplikua këtu, meqë del se ka dilemë a duhet PAN të ketë dy ose më shumë anëtarë në KQZ, apo opozita, në këtë rast LDK dhe Vetëvendosje.

Rasim Alija nga Demokracia për Zhvillim, thotë për KosovaPress se krejt është çështje politike që ka të bëjë me fuqinë e subjekteve politike në KQZ.

E sipas analistit Imer Mushkolaj, kërkesa e presidentit drejtuar kushtetueses ka qenë e panevojshme, por që Thaçi po e bënë këtë me qëllim që ta zvarrisë procesin, sepse duhet që mandatin t’ua jap dy anëtarëve të LDK-së dhe dy të Lëvizjes Vetëvendosje, kaq sa ka edhe koalicioni PAN.

Sipas Mushkolajt, presidenti po përpiqet të marrë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, të ndikuar politikisht.

Neni 139 i Kushtetutës së Kosovës dhe Ligji i përgjithshëm për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës, i përcaktojnë qartë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së.

Bazuar në këto dokumente, 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, me nominim të partive politike, presidenti i Kosovës duhet të emërojë anëtarët e rinj.

Në prill të këtij viti, presidenti i vazhdoi mandatin Valdete Dakës si kryetare e KQZ-së, por ngeci te përbërja e gjerë e këtij institucioni.

Por KQZ është e thirrur për të kryer edhe detyra të tjera, përveç planifikimit të proceseve zgjedhore.

“Më së shumti dëme kjo zvarritje i bënë vet KQZ-së, duke pas parasysh që ka një grumbull raportesh të cilat nuk mund të miratohen si të tilla në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të mungesës së legjitimitetit ose të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përderisa e kemi të emëruar kryesuesen e KQZ-së, nuk i kemi të emëruar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që i bie që KQZ është jo funksionale, tani për tani është jofunksionale. Në rast të ndonjë zgjedhje tjera të jashtëzakonshme ose të parakohshme do të ishte shumë problematike edhe mënyra e organizimit të zgjedhjeve dhe marrja e vendimeve”, thotë Alija.

Ndërsa sipas Imer Mushkolajt, kjo nuk është hera e parë që presidenti Thaçi përfshihet në çështje partiake. Kështu, sipas tij, një bllokadë e tillë e KQZ-së, është e dëmshme dhe e panevojshme.

“Puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të duhej të ishte lidhë a ka zgjedhje ose jo, është e kuptueshme që KQZ duhet të jetë i kompletuar pavarësisht se a ka ose jo zgjedhje, bazuar në mandatin që e ka, për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është që merret vetëm me zgjedhjet ose periudhën parazgjedhore, dhe pas-zgjedhore, mirëpo ka edhe vendime të tjera, veprime të tjera që i kryen në vazhdimësi. Kështu që ky ngërç, respektivisht ky bllokim i KQZ-së besoj që është shumë i dëmshëm dhe nuk do të duhej të ndodhte, por duket se presidenti nuk e ka fort dert pse bllokohet një institucion”, thotë ai.

Kujtojmë se në tre ciklet e fundit, Republika e Kosovës nuk ka pas zgjedhje të rregullta, por çdoherë të jashtëzakonshme ose të parakohshme. Në kushtet aktuale, organizmi i zgjedhjeve do të ishte problematik.

Situata të tilla bllokimi e vështirësojnë edhe adresimin tutje të reformës zgjedhore, marrë parasysh që vendi është në fillimin e aktiviteteve rreth adresimit të çështjes së reformës zgjedhore. /KP/Telegrafi/