LAJMI I FUNDIT:

Presidenca: Kërkesa për përgjim telefonik e paligjshme

Presidenca: Kërkesa për përgjim telefonik e paligjshme

Kërkesa e Komisionit hetimor për përgjimet telefonike të kryetarit të shtetit konsiderohet e paligjshme dhe cenim i privatësisë së personit, sanksionuar në Kushtetutën e vendit dhe Konventën e të drejtave të njeriut, thanë për Telegrafin burime nga Presidenca e Shqipërisë.

Burime nga Presidenca e Republikës thanë se çdo person me aftësi juridike minimale do të kuptonte që kjo kërkesë është e paligjshme sipas ligjit për përgjimet, i miratuar në vitin 2003.

“Pretendimi se nuk do të merren bisedat, por vetëm lista e numrave me të cilët kreu i shtetit ka kontaktuar, është i paligjshëm pasi në bazë të këtij ligji, cilësohet si fazë e parë e përgjimit. Ndërsa neni 22 i këtij ligji përcakton se organet që kërkojnë këto lloj informacionesh duhet t’i çojnë një kërkesë prokurorit të përgjithshëm dhe se organi i akuzës është i vetmi që mund të japë lejen. Operatoreve që zotërojnë përgjimet u paraqitet një kopje e shkurtuar e këtij vendimi, në mënyrë që të mos dalin të dhëna që rrezikojnë privatësinë apo sekretin shtetëror”, thanë burimet nga Presidenca.

Gjetja e numrave, adresave të personave me të cilët flitet cenojnë rëndë privatësinë e personit dhe prandaj ligji ka parashikuar si të domosdoshme lejen e Prokurorisë, thonë këto burime. Ato i cilësojnë veprimet e Komisionit Hetimor të Kuvendit, jo vetëm antiligjore, por dhe me ngjyrime politike.


Sipas tyre Kuvendi po vepron me dy standarde, ku listat e zgjedhësve i cilëson e dhënë personale, ndërsa përgjimet telefonike nuk i konsideron si të tilla. /Telegrafi/