LAJMI I FUNDIT:

Premtohet zgjidhja për identifikimin e rreth 400 mbetjeve mortore

Premtohet zgjidhja për identifikimin e rreth 400 mbetjeve mortore

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj të mërkurën ka bashkëbiseduar me grupin e grave që janë futur në grevë, në Morgun e Prishtinës, dhe të cilat kanë kërkuar që sa më parë të zbardhet fati i bijve që vazhdojnë të konsiderohen persona të pagjetur.

Manaj ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për identifikimin e rreth 400 mbetjeve mortore ne Morgun e Prishtinës.

Në këtë funksion, sipas tij, Qeveria e Kosovës do të iniciojë dhe do të realizojë një takim të përbashkët me të gjithë faktorët relevant vendorë dhe ndërkombëtarë, ekspertë të mjekësisë ligjore, përfaqësues të EULEX-it, për t’i kyçur për të identifikuar veprimet konkrete për gjetjen e zgjidhjes rreth mbetjeve mortore.

Sipas rekomandimit të preferuar nga ekspertët, Qeveria e Kosovës do të mbështesë përsëritjen e analizave të ADN-së në institutet e njohura në lëmin përkatëse në shtetet tjera, ndërsa nëse preferohet si zgjidhje imediate, atëherë Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të sigurohet laboratori për analizat e ADN-së në vendin tonë, bëhet e ditur në një komunikatë të Kryeministrisë.


Greva është ndërprerë pas takimit që ka zhvilluar zëvendëskryeministri Ramë Manaj me grevistet. /Telegrafi/