LAJMI I FUNDIT:

Politikat ballkanike

Ballkani, ndonëse i provuar më tepër nga regjime të errëta politike, të cilat për një kohë relativisht të gjatë nuk kanë dhënë fryte bashkëpunimi rajonal në zhvillimin e demokracisë, kanë konsistuar gjithnjë e më shumë në bindje hermetike pa vlerat demokratike brenda. Bindjet hermetike paraqesin sistemin më të keq të qeverisjes me pushtetin shtetëror, ku bindjet e tilla shndërrohen në regjime tiranike për të zotëruar pushtetin me çdo kusht.

Fatkeqësisht, Ballkani është gjendur gjithnjë e më tepër në sfida të tilla të dhimbshme për realitetin, duke u përfshirë dhunë, konflikte ushtarake, gjenocide, anarki, kaos. Në përgjithësi politikat ballkanike kanë qenë një proces kryesisht i errët për shoqërinë dhe shtetet, pasi u ka munguar zbatimi dhe sundimi i ligjit.


Ky sistem i errët politik funksiononte si pasojë e politikave rivale dhe dominuese ndaj më të dobëtit, duke pasur pretendime ndaj shteteve vasale, domethënë që ishin të varura ekonomikisht e politikisht nga shtete të fuqishme, dhe në anën tjetër që nuk ishin potencialisht të afta për t’u mbrojtur nga çdo rrezik eventual që mund të vinte nga jashtë.

Serbia gjithnjë ka hartuar një politikë dominuese dhe shtypëse ndaj shteteve më të dobëta, duke përfshirë këtu Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën, Kroacinë e me radhë. Ajo e ka parë rajonin gjithnjë e më tepër si një mundësi për t’i zotëruar me forcë, dhe për t’i përdorur e shfrytëzuar sipas interesit vetjak. Ky sens i shfrenuar buronte nga regjimet anarkiste ruse, dhe ky regjim arriti të instalohet si sistem politik në Ballkanin Perëndimor.

U perceptua një trajtë e smirës për shumicën e popujve të Ballkanit, duke e humbur sensin për përmbushjen e standardeve evropiane, shtrirjen dhe sundimin e ligjit në tërë territorin e vendit. Ballkani në njëfarë mënyre e trashëgoi këtë sistem të vrazhdë politik nga Bashkimi Sovjetik në krye me ideologun e saj Stalinin. Kjo politikë totalitare u përhap shpejtë dhe zuri vend kyç në politikat e Ballkanit, e veçanërisht u shqua në politikat e regjimit serb, duke krijuar brenda tyre strategjinë dhe idetë megalomane për okupimin e disa shteteve dhe krahinave të ish – Jugosllavisë nën sundimin e regjimit serb. Studiuesi dhe profesori i Universitetit të Leedsit, Obrad Savic, shkruante: "Për më tepër, përhapja e historive dhe kujtesave rivale kombëtare nuk mund të kontribuojë në largimin nga tirania e së kaluarës. Përkujtimi dhe riprodhimi permanent i të kaluarës kombëtare në Ballkan, si dhe në tërë Evropën, ka imponuar jo liri, por terror të kujtesës kolektive kombëtare".

Vendet e rajonit, pothuajse të gjithë shtetet kanë pretendime dhe aspirata të qarta për t’u bërë anëtarë të plotëfuqishëm të Unionit Evropian. Pretendimet e qarta të vendeve të rajonit për aderim eventual në UE dhe NATO paraqesin një mundësi për sigurinë dhe mbrojtjen nga çdo kërcënim serioz. Secili shtet duhet të hartojë strategji dhe mekanizma të shumta për t’i përmbushur kriteret apo standardet evropiane, me qëllim që institucionet e vendit të avancohen e të jenë efikase në të gjitha detyrat e ndryshme shtetërore.

Kriteret që çdo vend doemos duhet t’i plotësojë janë të njohura si Kriteret e Kopenhagës, dhe mund të ndahen në politike, ekonomike dhe administrative. Në lidhje me kriteret politike bëhet fjalë për stabilitetin e institucioneve të cilat do të garantojnë demokraci, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe ekzistimin dhe funksionimin e ekonomisë së tregut, përkatësisht të kenë mundësi të ballafaqohen me shtypjen e tregut dhe rregullat e ekonomisë evropiane, përkatësisht të ballafaqohen me shtypjen e konkurrencës dhe fuqive të tregut brenda Unionit. Po ashtu, çdo vend kandidat doemos duhet të jetë i përgatitur për t’i ndërmarrë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë në drejtim të pranimit dhe plotësimit të qëllimeve të unitetit politik, ekonomik dhe monetar (kriter për krijimin e acquis communautaire)

Shënim: Acquis communautaire, sipas autorëve Prof. dr. Blerim Reka, Prof. dr. Otmar Höll, Prof. dr. Ylber Sela në librin "Institucionet dhe politikat e Unionit Evropian" mund të kuptohet Acquis communautaire si tërësi e të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha shtetet anëtare në Unionin Evropian. Kjo ndryshon vazhdimisht dhe përfshin: Përmbajtjen, parimet dhe qëllimet politike të Traktateve; Legjislacionin e miratuar në zbatim të traktateve dhe të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë të Unionit Evropian; Deklaratat dhe rezolutat e miratuara nga Unioni Evropian: Masat në lidhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë: Masat në lidhje me drejtësinë dhe punët e brendshme si dhe marrëveshjet ndërkombëtare të përfunduara nga Komuniteti dhe marrëveshjet e përfunduara nga Shtetet Anëtare ndërmjet njëra-tjetrës në fushën e veprimtarive të Unionit Evropian.