LAJMI I FUNDIT:

Poezia nuk është luks

Poezia nuk është luks
Audre Lorde

Nga: Audre Lorde
Përktheu: Enxhi Hudhri / ExLibris

Cilësia e dritës me të cilën shqyrtojmë jetët tona ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi produktin në të cilin jetojmë, dhe mbi ndryshimet që shpresojmë të sjellim gjatë këtyre jetëve. Brenda kësaj drite ne formojmë idetë me të cilat ndjekim dhe e realizojmë magjinë tonë. Kjo është poezia si iluminim, sepse përmes poezisë i japim emër ideve që deri sa vjen poezia janë pa emër dhe pa formë, gati për t’u lindur, por që ndihen tashmë. Ky distilim i përvojës nga i cili buron poezia e vërtetë lind mendimet sikurse ëndrra lind koncepte, teksa ndjesia lind idenë, teksa dija lind (i paraprin) kuptimin.

Ndërkohë që mësojmë të mbajmë intimitetin e shqyrtimit, dhe të lulëzojmë brenda tij, ndërkohë që mësojmë të përdorim produktet e këtij shqyrtimi për fuqi brenda jetesës sonë, ato frikëra që sundojnë jetët tona dhe formojnë heshtjet tona fillojnë të humbasin kontrollin mbi ne.


Për secilën prej nesh si gra, ka një vend të errët brenda ku duke u fshehur e duke u rritur ngrihet shpirti ynë i vërtetë, “Të bukura e të forta si gështenjë / shtyllë kundër maktheve të dobësisë” dhe të impotencës.

Këto vende mundësie brenda vetes janë të errëta sepse janë të lashta dhe të fshehura; kanë mbijetuar dhe janë rritur të forta përmes errësirës. Brenda këtyre vendeve të thella, secila prej nesh mban një rezervë të jashtëzakonshme kreativiteti dhe fuqie, emocionesh dhe ndjenjash të pashqyrtuara dhe të pa regjistruara. Vendi i fuqisë së gruas brenda secilës prej nesh nuk është as i bardhë as sipërfaqësor; është i errët, i lashtë, dhe është i thellë.

Kur shohim jetesën, në mënyrën evropiane, vetëm si problem për t’u zgjidhur, mbështetemi vetëm te idetë tona për të na liruar, sepse këto ishin ato që baballarët e bardhë na thanë se vlenin.

Por, teksa lidhemi më shumë me pamjen tonë të lashtë, të zezë, jo-evropiane të të jetuarit si një situatë për t’u përjetuar dhe për të nënvepruar, mësojmë shumë e më shumë të çmojmë ndjenjat tona dhe të respektojmë ato burime të fshehura fuqie nga ku vjen dija e vërtetë dhe kështu, edhe veprimet e qëndrueshme.

Në këtë pikë në kohë, besoj se gratë mbajnë brenda vetes mundësinë e bashkimit të këtyre dy qasjeve si kyç për mbijetesë, dhe i afrohemi më shumë këtij kombinimi nëpërmjet poezisë. Flas këtu për poezinë si zbulesën ose distilimin e përvojës, jo lojës sterile të fjalës të cilën, shumë shpesh, baballarët e bardhë ja kanë shtrembëruar kuptimin fjalës poezi – që të mbulojnë dëshirën e tyre të dëshpëruar për imagjinatë pa mprehtësi.

Për gratë, atëherë, poezia nuk është luks. Është një nevojë jetike e ekzistencës sonë. Formon cilësinë e jetës nëpërmjet së cilës predikojmë shpresat dhe ëndrrat tona drejt mbijetesës dhe ndryshimit, bërë fillimisht në gjuhë, më pas në ide, më pas në veprim më të prekshëm.

Poezia është mënyra me të cilën i japim emër të paemrës që të mundet të mendohet. Horizontet e jashtme më të largëta të shpresave dhe frikërave tona arnohen nga poezitë tona, të gdhendura nga përvojat e ngurta të jetëve tona të përditshme.

Teksa bëhen të njohura dhe të pranuara te vetja jonë, ndjenjat, dhe eksplorimi i sinqertë i tyre, bëhen strehë dhe kala, vende pjellore për idetë më radikale e më të guximshme, shtëpia e dallimit aq të nevojshëm për të ndryshuar dhe të konceptualizimit të çdo veprimi kuptimplotë. Tani, mund të emëroj të paktën dhjetë idetë që më parë do të më dukeshin të patolerueshme ose të pakuptueshme dhe frikësuese, përveçse kur vinë pas ëndrrave apo poezive. Kjo nuk është fantazi boshe, por kuptimi i vërtetë i “kjo më duket e drejtë”. Mund të trajnojmë veten të respektojmë ndjenjat tona, dhe t’i disiplinojmë (zhvendosim) në një gjuhë që përputhet me ato ndjenja që të mund të shpërndahen. Dhe aty ku kjo gjuhë nuk ekziston ende, është poezia jonë ajo që ndihmon t’i japë formë. Poezia nuk është vetëm ëndërr apo vizion, është skeleti i arkitekturës së jetës sonë.

Mundësia nuk është as përgjithmonë, as një çast. As nuk është e lehtë të mbash besimin në efikasitetin e saj. Ndonjëherë mund të punojmë gjatë dhe fort për të themeluar një parim të ri rezistence të vërtetë për vdekjet që pritet të jetojmë, vetëm për të na e kërcënuar ose sulmuar atë parim nga lajmet e rreme të cilat jemi socializuar t’u frikësohemi, ose nga tërheqja e atyre aprovimeve për të cilat jemi paralajmëruar të kërkojmë siguri. E shohim veten të zvogëluar ose të zbutur nga akuzimet false e beninje të sjelljes fëminore, të jouniversalitetit, të vetëqendërzimit, të sensualitetit. Dhe kush pyet: a po ndryshoj aurat e tua, idetë, ëndrrat, apo thjesht po të lëviz në një veprim të përkohshëm reagues? (Edhe kjo e fundit nuk është detyrë e keqe, por detyrë që duhet të shihet brenda kontekstit të një ndryshimi të vërtetë të teksturës së jetës sonë.)

Baballarët e bardhë na kanë thënë, mendoj pra ekzistoj; dhe mamatë me ngjyrë brenda secilës prej nesh, poetet pëshpëritëse në ëndrrat tona: ndiej pra mund të jem e lirë. Poezia shpik gjuhën për të shprehur dhe mbajtur këtë ndërgjegjësim dhe kërkesë revolucionare, implementimin e kësaj lirie. Sidoqoftë, përvoja na ka mësuar se veprimi në të tashmen është gjithashtu i nevojshëm. Fëmijët tanë nuk mund të ëndërrojnë nëse nuk jetojnë, nuk mund të jetojnë nëse nuk ushqehen, dhe kush tjetër do t’u japë ushqim të vërtetë pa të cilin ëndrrat e tyre nuk do të jenë më ndryshe nga tonat?

Ndonjëherë e drogojmë veten me ëndrra ideshë të reja. Koka do të na shpëtojë. Vetëm truri do të na çlirojë. Por nuk ka ide të reja duke pritur në krahë për të na shpëtuar si gra, si njerëz. Ka vetëm të vjetra e të harruara, kombinime të reja, ekstrapolime dhe njohje nga brenda vetes sonë, së bashku me kurajën e përtërirë për t’i provuar. Dhe duhet ta inkurajojmë vazhdimisht veten dhe njëra-tjetrën për të tentuar veprimet heretike që nënkuptojnë ëndrrat tona dhe disa nga idetë tona të vjetra nënçmohen. Në ballin e lëvizjes tonë drejt ndryshimit, është vetëm poezia për të treguar mundësinë të bërë të vërtetë. Poezitë tona formojnë nënkuptimet e vetes sonë, çfarë ndiejmë brenda dhe guxojmë ta bëjmë të vërtetë (ose të sjellim veprim në lidhje me), frikërat tona, shpresat, dhe tmerret më të çmuara.

Nga brenda strukturave të përcaktuara nga fitimi, nga fuqia lineare, nga dehumanizimi institucional, ndjenjat tona nuk është e thënë të mbijetojnë. Të mbajtura si ndihmesa të pashmangshme ose argëtime të këndshme, ndjenjat është e thënë të mendohen sikur janë bërë për t’iu gjunjëzuar. Por gratë kanë mbijetuar. Si poete. Dhe nuk ka dhimbje të reja. I kemi ndier të gjitha tashmë. Kemi fshehur faktin në të njëjtin vend ku kemi fshehur fuqinë tonë. Shtrihen në ëndrrat tona, dhe ëndrrat tona na çojnë drejt lirisë. Bëhen të realizueshme nëpërmjet poezive tona që na japin forcë dhe kurajë për të parë, për të ndier, për të folur dhe për të guxuar.

Nëse ajo që na duhet për të ëndërruar, për të lëvizur shpirtrat tanë më thellë drejtpërdrejtë dhe përmes premtimit, është luks, atëherë kemi hequr dorë nga thelbi – burimi – i fuqisë sonë, të qenurit gra; kemi hequr dorë nga e ardhmja e botëve tona.

Sepse nuk ka më ide të reja. Ka vetëm mënyra të reja që t’i bëjmë të ndihen, të shqyrtojmë çfarë kuptimi (ndjeshmërie) kanë idetë tona në një mëngjes të diele në orën shtatë, pas mëngjesit, gjatë dashurisë së zjarrtë, luftimit, lindjes; teksa vuajmë mallet e vjetra, luftojmë paralajmërimet dhe frikërat e vjetra të të ndenjurit të heshtura, impotente dhe të vetmuara, teksa shijojmë mundësitë dhe forcat tona të reja. /ExLibris/