LAJMI I FUNDIT:

Podrimja harrohet nga të gjithë

Podrimja harrohet nga të gjithë

Gjakova zyrtare, e fatkeqësisht edhe njerëzit e penës dhe bashkëmendimtarët e tij, nuk patën kohë ta kujtojnë Ali Podrimen, njërin prej poetëve më të njohur kosovarë. Në përvjetorin e parë të vdekjes së poetit, në qytetin e tij të lindjes nuk u mbajt asnjë aktivitet. Bile, në nderim të poetit nuk u lexua as edhe një rresht poezie e tij apo e shkruar për të.

Por, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për qytetin e dytë të Aliut, qytetin ku poeti e la frymën e fundit. Në Lodeve të Francës u organizuan një sërë aktivitetesh në nderim të poetit, bile me respektin më të thellë, kolegët e tij francezë zbuluan edhe një pllakë përkujtimore dhe i kushtuan poetin edicionin e radhës të manifestimit të përvitshëm poetik “Vox de meditaranes”. Në këto aktivitete në nderim të Podrimes, morën pjesë edhe përfaqësues nga Gjakova, të prirë nga kryetari Pal Lekaj, të cilët pas kthimit thanë se janë mahnitur me nderimin dhe respektin që francezët, por edhe poetët tjerë ndërkombëtarë e patën për Ali Podrimen.

Këto dy zhvillime, sikur dëshmuan edhe një herë se sa shpejt harrojnë shqiptarët. Zaten, e dëshmuan se figura të veçanta sikurse Ali Podrimja, Teki Dervishi, Din Mehmeti e të tjerë, te ne përdoren vetëm për marketing personal e politik.

Por, kështu nuk mendojnë përfaqësues të institucioneve përkatëse, të cilët e kanë pasur për detyrë që të mendojnë për shënimin e këtij përvjetori. Engjell Berisha, nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe njëri nga anëtarët e delegacionit që qëndruan në Lodeve, thotë për gazetën se në Gjakovë, institucionet komunale dhe Klubi Letrar kanë bërë mjaft për Podrimen.

“Nuk mund të thuhet se nuk kemi bërë asgjë për Aliun. Kontribut në këtë drejtim mund të llogaritet edhe pjesëmarrja në aktivitetet e zhvilluara në Lodeve të Francës, pasi pjesëmarrja jonë atje u vlerësua lart nga organizatorët, zyrtarët e Lodeves dhe poetët pjesëmarrës. Gjithashtu, ne si klub por edhe si qytet e kemi nderuar në maksimum poetin Podrimja, pasi vetëm disa javë më parë ia kemi kushtuar një miting të tërë të poezisë e po ashtu e kemi iniciuar edhe ngritjen e bustit të tij, bust i cili besoj se pas disa muajsh do të qëndrojë para bibliotekës “Ibrahim Rugova”, ka thënë Berisha, i cili megjithatë e ka pranuar se të paktën një aktivitet sado modest është dashur të mbahet edhe në Gjakovë.

“Në kemi konsideruar se me shkuarjen në Francë dhe me nderimin që i kemi bërë Aliut gjatë mitingut kemi bërë mjaft për të për këtë vit, por megjithatë ndoshta diçka është dashur të organizohet edhe këtu. Po e përsëris, edhe pse e kemi konsideruar të mjaftueshme atë që është bërë deri më tani, prapë po them se Aliu nuk është përkujtuar ashtu siç e ka merituar nga poetët e Gjakovës, por fatkeqësisht nuk është përkujtuar as nga PEN Qendra, në të cilën Aliu ka qenë anëtar e as nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”, ka përfunduar Berisha.

Ndryshe, Berisha ka treguar për gazetën se gjatë ditëve të qëndrimit në Francë janë zhvilluar një sërë aktivitetesh për nder të Ali Podrimes, duke filluar nga akti i nënshkrimit të binjakëzimit në mes të Gjakovës dhe Lodeves, zbulimit të një pllake përkujtimore në vendin ku poeti ka vdekur dhe botimin e një libri me poezi të Podrimes dhe të të tjerëve për Podrimen në gjuhën frënge e në gjuhën shqipe. “Ne u ftuam atje në emër të poetit Ali Podrimja dhe ishte ndjenjë e mirë kur një emër i madh të bën të jesh qytetar i një shteti të kulturës”, tha Berisha, duke u shprehur i entuziazmuar me respektin që gëzonte Aliu te lodevasit. /Zëri/