LAJMI I FUNDIT:

Pluralizmi qytetar demokratik

Demokracia si element bazë për qeverisje brenda shtetit demokratik, e shtrirë në sovranitet brenda kufijve shtetërorë dhe funksional, është një sistem rregullash dhe procedurash që rregullohet nën ombrellën kushtetuese, gjë e cila përcakton mënyrën e funksionimit të një sistemi ligjor, politik, ekonomik, dhe social.

Në një shtet ligjor dhe demokratik, qeveria e dalur nga populli, përbën një element që bashkë-jeton me shoqërinë për problemet e ndryshme që e rëndojnë.


Andaj institucionet në nivel qendror, lokal, dhe të landeve të ndryshme varësisht nga rregullimi kushtetues shtetëror, e të cilat institucione përbëhen dhe krijohen prej – partish politike, organizatash dhe shoqatash të ndryshme të shoqërisë civile, një shumëllojshmëri e tillë quhet pluralizëm demokratik, qytetar.

Në një shoqëri ku ka pluralizëm demokratik me sundim rendi dhe ligji veprojnë me mijëra organizata private, lokale e kombëtare, të cilat shumë prej tyre luajnë rol të rëndësishëm ndërmjetësues brenda shtetit, e të cilat krijojnë ura lidhëse midis individëve dhe institucioneve qeveritare, ku këto organizata bëjnë pjesë, duke kryer funksione që nuk i përkasin qeverisë dhe duke u dhënë mundësi individëve të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si shtetas të një vendi demokratik.

Këto organizata luajnë një rolë të rëndësishëm e të cilat përfaqësojnë interesat e anëtarëve të tyre në një sërë mënyrash dhe rrethanash duke u dhënë mbështetje dhe përkrahje kandidatëve për t’u ngarkuar me detyra shtetërore, duke marrë pjesë në diskutime për probleme të natyrave të ndryshme shoqërore, si dhe duke u përpjekur të ndikojnë në politikën shtetërore. Nëpërmjet këtyre organizatave, individëve, dhe shoqërisë në përgjithësi u jepet mundësia për të marrë pjesë konkretisht në jetën aktive qeveritare, ashtu edhe në jetën e komuniteteve të tyre, si për shembull në organizata bamirëse, shoqata të mjedisit dhe të lagjes, shoqëri tregtare dhe sindikata, deri në institucione qeveritare.

Në një vend demokratik me sundim rendi dhe ligji, kompetencat e qeverisë përcaktohen dhe kufizohen qartë me kushtetutë dhe ligj. Andaj organizatat dhe shoqëria civile në përgjithësi që merren me art, me ushtrimin e një besimi fetar, punë kërkimore ose çështje të tjera, parapëlqejnë të bëjnë një jetë pothuajse krejtësisht të pavarur nga qeveria, sepse në jetën politike të pasur të një shoqërie demokratike, shtetasit mund të gjejnë të gjitha mundësitë për të bërë një jetë të lirë, pa ndikim nga dora e rëndë e shtetit.

(Autori është bachelor i Filozofisë dhe i Drejtësisë si dhe Ma.Sc i Shkencave Juridike Penale)