LAJMI I FUNDIT:

Plassnik: Austria mbështet pavarësinë e Kosovës

Plassnik: Austria mbështet pavarësinë e Kosovës

Mundësia e gjetjes së një zgjidhje me marrëveshje për statusin e Kosovës, tashmë është shterur kurse, pavarësia e mbikëqyrur e propozuar nga Ahtisaari, është baze e vetme reale për zgjidhjen e kësaj çështje, vlerëson ministrja e Punëve të Jashtme të Austrisë, Ursula Plassnik.

“Po hyjmë në një fazë shumë të rëndësishme të çështjes së Kosovës. Kufiri kohor prej 120 ditësh për Treshen ndërmjetësuese është mbyllur”, ka thënë Plassnik për mediat, në Vjen, duke shtuar se, brenda Bashkimit Evropian është rritur uniteti kurse, bazë për misionin e ardhshëm të BE-së në Kosovë, do të jetë rezoluta 1244 e OKB-së.

“BE-ja është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj dhe është e gatshme ta marrë atë”, ka thënë Plassnik dhe ka shtuar se vendi i saj, Austria, ende mbetet e angazhuar në Kosovë dhe ka paralajmëruar dërgimin e 33 ekspertëve austriakë të policisë dhe gjyqësisë në mision e ardhshëm të BE-së në Kosovë.

Plassnik ka thënë se kosovarët e duan qartësinë rreth statusit të vendit dhe se gjetja e zgjidhjes së këtij problemi sjell paqe e stabilitet në rajon. “Njerëzve në Kosovë u duhet qartësia. Mungesa e vendimit për statusin është, jo vetëm një faktor gjithnjë e më i madh i pasigurisë për tërë Ballkanin, por edhe një pengesë ekonomike për rajonin”.