LAJMI I FUNDIT:

Pjetër Bogdani: “Ku lulëzojnë shkencëtarët, letrarët dhe dija, lulëzon edhe e mira”

Pjetër Bogdani: “Ku lulëzojnë shkencëtarët, letrarët dhe dija, lulëzon edhe e mira”

Personaliteti i Pjetër Bogdanit mbetet unik në historinë e kombit shqiptarë. Figurës së tij i bashkëngjiten atribute të shumta, si: teolog, filozof, polilinguist, e mbi të gjitha humanist i madh dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare shqiptare.

Vepra e Pjetër Bogdanit tejkaloi kohët duke na ardhur si udhërrëfyes që, pavarësisht kohërave të liga, e mira do të triumfojë.


I bindur në kauzën e vërtetë të popullit shqiptar për liri, i tillë frymoi deri në vdekje. I etur për dije, drejtësi, humanizëm dhe besim në Zot, eci rrugëve me gjemba që misionit të tij t’i jap dritë, duke ndriçuar edhe mendjen e një populli të cilin errësira e kishe mbuluar. Personaliteti i tij jo vetëm për së gjalli, por dhe për së vdekuri tmerroi osmanë, sa që eshtrat ia nxorën eshtrat nga varri dhe ia hodhën qenve në shesh.

Duke e parë rrezikun e madh nga pushtuesit osman, si dhe tentimin me ngulm për shuarjen e ekzistencës së gjuhës shqipe, me gjithë rrethanat e pafavorshme dhe të rrezikshme, Bogdani me 18 tetor 1685 nxjerr në dritë veprën “Çeta e Profetëve” (lat. Cuneus Prophetarum). Kjo vepër, përveç karakterit teologjik ka dhe karakter shkencor. Në të flitet për jetën e Jezu Krishtit, në një rrjedhë historike të ngjarjeve. Po ashtu gjejmë të shtjelluara tezat për dukuritë natyrore, të cilave Bogdani iu jep karakter astrologjik.

Ky libër vjen i shkruar në dy gjuhë origjinale: shqip dhe italisht. Situata e rëndë në të cilën gjendej populli shqiptarë, shpërnguljet me dhunë, konvertimet, sëmundjet… e shtynë Bogdanin drejt botimit të kësaj vepre, e cila kishte vlerë diplomatike sepse vetëm kështu Vatikani dhe Perandoria Austro-Hungareze, si dy superfuqi të asaj kohe, do të dinin më shumë për vuajtjet e shqiptarëve.

Ibrahim Rugova në kritikën e tij për veprën e Bogdanit shkruan: “Kjo vepër, thënë metaforisht, ashtu siç e thotë Bogdani për parimin e tij filozofik, Zotin ,është një krua i gjallë ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejnë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do shteret lehtë. Arti i të shkruarit dhe ligjërimit që mishërohet në vepër si tregues i nivelit të kulturës dhe zhvillimit intelektual të tij dhe angazhimi dinjitoz, si prijës dhe tribun popullor, e ngrisin lart veprën e tij madhore, të lindur në gurrat e një humanizmi të thellë, duke i treguar popullit rrugën e zhvillimit të lirë e të pavarur andaj kah bota e përparuar.”

Ky njeri i madh me mendje të ndritur lindi në Gur të Hasit me 1625. Qysh i ri filloi të shërbente në kishën e Hasit, e më pas kaloi në atë të françeskanëve në Çiprovec, në Bullgarinë veriperëndimore. Duke treguar nivel të lartë njohurish, dërgohet në Romë më 1642, nën propozimin e ungjit Andre. Atje vijoi studimet e larta në kolegjin e Lorentos. Në vitin 1650 kreu studimet dhe u shugurua meshtar në Bazilikën e Loretos. Një vit më vonë doktoroi në teologji, si njëri ndër studiuesit më të mirë. Gati për një dekadë qëndroi në Itali, por malli dhe dashuria për atdheun nuk e lanë të qetë, kështu që u kthye në atdhe dhe pati si fushëveprim misionin e Gashit në Ipeshkvinë e Pultit.

Ishte viti 1656 kur Bogdani u emërua ipeshkëv i Shkodrës, në të cilën shërbeu dy dekada dhe njashtu ishte administrator i Arqipshkvisë së Tivarit deri më 1671. Lufta Austro-Osmane e viteve 1664-1669, pati përmasa të dëmshme për kombin shqiptarë. Kokat më të ndritura shqiptare përndjekeshin sepse shiheshin si shtylla mbrojtëse ndaj pushtimit. Pjetër Bogdani u strehua në fshatrat e Rrjollit dhe Barbullushit në rrethinat e Shkodrës (një shpellë në Rajoll mban të gjallë emrin e tij). Mirëpo, edhe pse tentoi t’ju ikte osmanëve, zihet peng dhe burgoset në Kalanë e Shkodrës. Sipas Ipeshkvit të Durrësit, Shtjefën Gaspri, ishin vëllezërit Nikollë e Pepë Kastori të cilët rrezikuan dhe e shpëtuan.

Edhe pse i përndjekur, Bogdani nuk e ndaloi veprimtarinë e tij. Më 1677 emërohet Arqipeshkv i Shkupit. Por, pas një presioni të madh arratiset në Dubrovnik. Më pas largohet në Venedik dhe Padovë, atje pritet nga Kardinali Barbarigo i cili e vlerësonte lartë figurën e tij.

Bogdani shkroi: “Shqiptarët u asht dashtun të luftojnë pa pushim për me ruajtun karakterin kombtar kundër mundimevet të bamuna prej qeveriës osmone ke për mos mi shkombtarizue…”! Ndaj, malli për atdheun se linte të qetë dhe më 1686 vendosi të kthehej. Duke parë vuajtjen e popullit nën zgjedhën osmane, filloi mobilizimin për një qëndresë të armatosur ndaj pushtimit osman. Bashkë me vikar Toma Raspasanin organizuan lëvizjen pro-austriake në Kosovë, me një force prej 6,000 kryengritësve të cilët iu bashkuan ushtrisë austriake kur hynë në Prishtinë dhe i shoqëruan në marrjen e Prizrenit. Në atë kohë ishte përhapur murtaja duke prekur dhe Bogdanin. Pasi nuk i rezistoi sëmundjes, më 1689 vdes në Prishtinë.