LAJMI I FUNDIT:

Pjesa shtesë, përsëri fatale për Ferronikelin

Pjesa shtesë, përsëri fatale për Ferronikelin

Prishtina me shumë mund ka arritur fitore ndaj Ferronikelit në kryeqytet me rezultat 1:0, me një gol shumë të vonshëm të shënuar në minutën e 3-të shtesë nga sulmuesi Berat Hyseni. Prishtina përgjatë 90 minutave ka kërkuar golin, ndërsa Ferronikeli është mbrojtur shumë mirë.

“Fitore e merituar, u shpagua mundi i futbollistëve. Do të kishte qenë mëkat sikur mos të shpaguhej mundi i tyre, pasi u angazhuan më shumë, krijuan shumë raste, e merituan fitoren”, tha pas ndeshjes trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani.

Prishtina mirë e nisi takimin, por rreziku i parë erdhi nga mysafirët kur Argjend Bardhi me një “gërshërë”për pak nuk befason portierin Kushtrim Mushica, i cili gjithsesi duhet pranuar që në këtë ndeshje ishte fare i papunë, pasi që asnjë gjuajtje nuk shkoi në drejtim të portës së tij.

Në anën tjetër Prishtina ndjeshëm iu afrua golit, kur Haxha nga afërsia gjuan jashtë. Në pjesën e dytë rrezikoi Latifi kur në minutën e 60-të gjuan, por nuk e gjeti kuadratin. Pas një trysnie të madhe, Prishtina ka gjetur golin në minutën e 77-të, kur Viktor Kuka nga afër shënon por anësori Edmond Zeqiri anulon duke sinjalizuar pozitë jashtë loje. Prishtina ka rrezikuar edhe në minutën e 88-të, kur kapiteni Driton Krasniqi gjuan me kokë, por portieri Kolshi intervenon bukur. Mirëpo, këtë ai nuk e bëri edhe në minutën e 93-të, kur harkimin nga këndi të Azem Ahmetit, e përcolli vetëm më sy duke i lejuar sulmuesit Berat Hyseni që pa problem ta drejtojë topin në rrjetë për një gol, fitore dhe gëzim të madh të prishtinasve.


“Ishte një ndeshje e vështirë. Prishtina përkundër oscilimeve që ka në lojën e saj u pa që prapë është ekip i fortë. Ne zhvilluam një lojë të mirë dhe të disiplinuar, por që fati e deshi që në minutat shtesë me një pozicionim jo të mirë të portierit të marrim gol. Ajo që dua të them është e pakuptueshme, vazhdimi i ndeshjes me 5 minuta, ne jemi mësuar me futboll të Kosovës dhe nuk është e nevojshme një shtesë e tillë”, tha Ramiz Krasniqi, kryetrajner i Ferronikelit. /Zëri/Telegrafi/