LAJMI I FUNDIT:

PISA: Në javë debat, çka pastaj?

PISA: Në javë debat, çka pastaj?

Ndër vite, në shoqërinë kosovare është ndërtuar një kulturë njëjavore e diskutimit publik për tema të cilat e atakojnë atë. Pavarësisht rëndësisë së temës, debati zgjat një javë dhe pastaj askush nuk merret me kërkimin e përgjegjësisë apo llogaridhënies. Në anën tjetër, nga akterë të ndryshëm, me qëllim apo pa qëllim, kamuflohet aq shumë për tema të caktuara sa të mbushet mendja se ky popull nuk kuptuaka fare se çka është ka ndodh në vend dhe kush janë përgjegjësit.

Rasti i fundit ka të bëjë me PISA. Pothuajse nga të gjitha anët e shoqërisë, sikur ka një qasje subjektive në drejtim të fajësimit të një elite të tërë të shoqërisë kosovare (mësimdhënësve), aq sa të mbushet mendja se krejt ky rezultat i dobët ju takon atyre – mësimdhënësve. Mirëpo, konsiderojmë se e vërteta mbase qëndron krejt diku tjetër – te sistemi. Përmes disa shembujve të dhënë të shkeljeve që ndodhin çdo ditë në arsimin e lartë publik dhe privat në Kosovë e që, për rrjedhojë, kanë ndikim në cilësinë e ulët në mësimdhënie/nxënie, mund të kuptojmë se kush janë përgjegjësit direkt, institucionet apo mësimdhënësit siç po aludohet:


– Sot, institucionet e arsimit të lartë në Kosovë janë mbushur me mësimdhënës fiktivë, në emër të të cilëve hapen (akreditohen) drejtime/fusha të reja studimi;

– Shumë mësimdhënës pa grada dhe thirrje akademike japin mësim në studimet universitare dhe pasuniversitare p.sh. një master jep mësim në master;

– Mësimdhënësit ngarkohen me “super” mbi normë, p.sh. sot kemi të atillë që mbajnë me mbi 20 orë mësimore në javë gjë që pamundëson marrjen edhe me kërkime apo përcjelljen e risive të fushës;

– Të shumtë janë ata mësimdhënës të cilët japin leksione për të cilat nuk janë të thirrur (kompetent) p.sh. është I specializuar në një fushë krejt tjetër dhe jep leksion krejt të tjera;

– Mbajtja e dy, tri e më shumë vendeve të punës në të njëjtën kohë është një fenomen tjetër mjaft i pranishëm në shoqërinë kosovare;

– Ka të atilla institucione të arsimit të lartë në Kosovë, të cilat funksionojnë me më pak se 50 për qind të stafit të rregullt akademik;

– Punësimet jomeritore gjithashtu janë prezente pothuajse kudo nëpër institucione të arsimit të lartë;

– Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për zhvillimin e mësimit teorik dhe praktik në arsimin e lartë, është një fenomen tjetër që e përcjell shoqërinë kosovare;

– Raportime jo reale në institucionet përkatëse vetëm sa për të marrë licencë apo akreditim institucional apo të programit (një shembull; mësimdhënës të cilët raportohen në AKA, i njëjti nuk zhvillon modulin);

– Në raportet të cilat dërgohen në institucionet përkatëse (AKA), raportohet se X apo Y moduli do të zhvillohet për 24 orë ose 36 orëq (teori vs praktikë) gjatë një semestri, ndërsa në realitet ka të atillë që jo vetëm nuk e praktikojnë një gjë të tillë siç kanë raportuar, mirëpo ka edhe raste kur nga dy module i fuzionojnë në një të vetëm – me qëllim përfitimit sa më të madh nga institucione apo individ të caktuar;

– Dhe, shembuj të tjerë…

Pra, duke analizuar këta tregues dhe shumë të tjerë të pathënë në këtë shkrim/postim, lehtë mund të kuptohet se ku qëndron problemi – te mësimdhënësit apo tek institucionet të cilat nuk janë në gjendje të zbatojnë ligjet, strategjitë dhe politikat përkatëse. Pra, kësisoj nuk mjafton të debatohet një javë as një muaj për tema kaq të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë, mirëpo të debatohet dhe të mobilizohemi sa herë që është nevoja me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsimin kosovar (në të gjitha nivelet).

Si përfundim, në vend se të humbëset kohë duke u marrë me pasojat, shumë më e mirë do të ishte që të gjendet kohë dhe përkushtim për t’u marrë me gjetjen e shkaktarëve që kanë quar deri te ky rezultat i dobët dhe të hartohen strategji dalëse nga kjo situatë.