LAJMI I FUNDIT:

Pesëdhjetë vjet pas, rrëfimi për albumin revolucionar të Miles Davisit: Tingëllonte si e ardhmja!

Pesëdhjetë vjet pas, rrëfimi për albumin revolucionar të Miles Davisit: Tingëllonte si e ardhmja!

Për 50-vjetorin e albumit “Bitches Brew”, mendimet i japin ata që e njohin veprën e Miles Davisit. Pjesë të shkrimit të Jim Farberit, Telegrafi sjell si më poshtë.

Kitaristi John McLaughlin, që ndihmoi në elektrizimin e muzikës së Miles Davisit, e përshkruan albumin “Bitches Brew” si “Picasso në tingull”. Stanley Nelson, i cili po e bën një dokumentar të ri për Davisin, e quan si “sulm nga të gjitha drejtimet”, ndërsa biografi zyrtar i Davisit, Quincy Troupe, e cilëson si “përparim kulturor që tingëllonte si e ardhmja”.

Muajin tjetër shënohet 50-vjetori i albumit që ndryshoi trajektoren e muzikës jazz, që luajti me kufijtë e muzikës funk, që e çoi rockun psikodelik në lartësi të reja të eksplorimit. Albumi i dyfishtë që ka dalë në mars të vitit 1970, e përparoi modelin muzikor të regjistrimeve të Davisit që datojnë që nga vitet 1950. Harku i plotë i tingullit dhe jetës së Davisit përbën bazën e dokumentarit “Birth of Cool” (që do të jepet më 25 shkurt në ShBA dhe më 13 mars në Britaninë e Madhe). Dokumentari përfshin gjithçka, që nga krijimtaria e Davisit, sensi i tij për modën dhe marrëdhënie komplekse me gratë. Por, një pjesë e rëndësishme e dramës përqendrohet tek albumi “Bitches Brew”.


McLaughlin ishte figurë qendrore në atë dramë, menjëherë pasi mbërriti në Nju-Jork nga shtëpia e tij në Evropë në fillim të vitit 1969.

“Isha nervoz”, kujton kitaristi. “Isha për 48 orë në Nju-Jork dhe rrija me heroin tim”!

McLaughlin kishte shkuar në Amerikë për t’iu bashkuar grupit Lifetime të formuar nga tupanxhiu i Davisit, Toni Williams. Por, përpara se të fillonte të punonte me Williamsin, Davisi e rrëmbeu (pavarësisht se trumbetuesi nuk kishte dëgjuar ndonjë nga albumet solo të McLaughlinit, disa prej të cilave mbollën farat e asaj që do të quhet lëvizja fusion). Davis e merr McLaughlin për faktin se Williamsi e kishte punësuar, si dhe për interesin e tij për të përdorur kitarën elektrike në albumin që kishte nisur ta incizonte, “In a Silent Way”.

Sapo filluan incizimet, Davisi ia dha kitaristit të ri disa udhëzime të fshehta, të tilla si “luajë sikur nuk e di se si do të luash në kitarë”, kujton McLaughlin. “I mbylla partiturat dhe nisa: asnjë ritëm, asnjë harmoni, thjesht duke e luajtur melodinë dhe duke hedhur fatin tim në erë. Ai këtë e donte”.

Në këtë album të parë elektrik të Davisit, luajtën edhe Chick Corea, Herbie Hancock, Wayne Shorter dhe Joe Zawinul. “Silent Way” la përshtypje të madhe kur doli në shitje më 1969, duke inkurajuar Davisin të zgjerojë forcat e tij elektrike. Ndaj, kitara e McLaughlinit mbetej e rëndësishme.

“Miles më merr nën kujdes”, thotë muzikanti. “Kam shkuar në shtëpinë e tij dhe ai gjithmonë donte ta merrja kitarën me vete. Kam harruar numrin e ditëve që kam kaluar atje. Ai do t’u binte disa akordeve në piano dhe thoshte: ‘Çka po dëgjon? A e dëgjon një riff? Një linjë basi’”?

Davis ishte gjithashtu kureshtar për tingullin e ri të psikodelisë.

“Më pyeste për Jimin [Hendrix]”, thotë McLaughlin. “Kishim luajtur së bashku dhe e doja Jimin. Miles nuk e kishte parë kurrë. Kështu, e çova në kinema në qendër të qytetit për të parë filmin ‘Monterey Pop’, ku Jimi hedh lëng në kitarën e tij, për t’ia vënë flakën. Miles ishte pranë meje, duke thënë: ‘Ueh!’ Ishte i mahnitur”.

“Miles u ndikuar nga gjithçka përreth tij”, shprehet Troupe. “Ai po përpiqej ta çonte muzikën para”.

Por, ishte i motivuar gjithashtu nga ndryshimi i shijes së publikut.

“Viti 1969 ishte viti kur jazzi ecte në tehun e shpatës”, ka thënë Davis në biografinë e tij. “Kemi luajtur në shumë klube gjysmë boshe. Kjo ma bëri një gjë me dije. Nisa të kuptoj se shumica e muzikantëve të rockut nuk dinin gjë për muzikën. Nëse ata mund t’i shesin gjithë ato disqe pa ditur se çfarë tamam po bëjnë, mundem edhe unë, veçse më mirë”.

Vetëm gjashtë muaj i ndanin seancat midis albumeve “Silent Way” dhe “Bitches”. Kur muzikantët hynë në studio, “ishte e qartë se Miles nuk ishte i sigurt se çfarë po donte”, kujton McLaughlin. “Por, e dinte çfarë nuk donte. Ai nuk donte asgjë që kishte bërë më parë. Nuk kishim partitura, pos ndoshta ndonjë akord që ka shkruar në një copë letre me të cilën e sillte kafen. E caktonte një tempo dhe fillonim. Nëse e mbanin një ritëm të mirë, ai ishte i lumtur dhe niste të luante. Kështu, kaluam nga një eksperiment në tjetrin”.

Gjatë procesit, Davis do të jepte udhëzime më enigmatike për muzikantët – ku prapë ishin Shorter, Zawinul dhe Corea, së bashku me basistin Dave Holland.

“’Luaj hapësirën’, më thoshte”, kujton McLaughlin. “Çfarë do të thotë kjo? Ishte si të dëgjoje një koan nga mjeshtri i zenit”.

Por, pati një efekt pozitiv.

“Kjo na obligoi të mendonim ndryshe” shton ai. “Mund të futesh në zakone muzikore, në të njëjtën mënyrë sikur që futesh në zakonet e përditshme. Duhet të kesh kujdes nga plogështia e muzikës. Miles ishte kundër kësaj. Ai donte gjak e zemër, gjatë gjithë kohës”.

Më në fund, albumi u përmblodh nga segmentet e ndryshme të mbikëqyrura nga Davisi dhe producenti Teo Macero.

“Miles e donte Teon”, thotë Troupe. “Por, në fund të fundit, emri i tij qëndronte: ai ishte krijuesi”.

Muzikantët u befasuan nga disa incizime.

“Ndonjëherë në studio nuk e sheh malin për dru”, thotë McLaughlin. “Por, kur e dëgjon albumin, i dëgjon të gjitha”.

Dhe, kishte shumë për të dëgjuar. Gjithçka në lidhje me muzikën e përforcoi qasjen e mëparshme të Davisit. Ai merrte më shumë muzikantë, shpesh duke dyfishuar ose trefishuar tastet ose tupanat.

“Kishte qasje te shumë muzikantë dhe mund t’i bashkonte në çdo kohë që donte. Dhe, ata ishin të gjithë të rinj, energjikë e të ndryshëm”, thotë Troupe. “Qëllimi ishte të krijonte një vorbull muzikore. Gjithçka sillet rreth tij, nga shumë drejtime. Dhe, ai ishte në qendër, duke drejtuar gjithçka si një shkencëtar i çmendur”.

“Ishte Milesi duke pikturuar muzikën”, thotë McLaughlin, “e ne ishim furçat e tij”.

Rezultati i albumit i dha muzikës një cilësi. Duket se muzikantët po bashkoheshin rreth një objektivi pa e arritur asnjëherë. Është tingulli i zbulimit të përjetshëm, pa një destinacion përfundimtar.

“Kur eksploron, nuk e di se ku futesh”, thotë Troupe. “Por, i ndjek instinktet tua. Muzika nuk ishte vendi i pushimit për Milesin. Ishte rruga para”.

“’Bitches Brew’ ishte diçka e re që tërhiqte numër të madh adhuruesish të rinj”, thotë Nelson.

Albumi ka frymëzuar muzikantët dhe grupet, si: Carlos Santana, Alman Brothers, King Crimson, Soft Machine… Në të njëjtën kohë, hapi rrugën e solo-karrierës për interpretuesit në album, si: Mahavishnu Orchestra (nga McLaughlin), Return to Forever (nga Corea dhe Lenny White) dhe Weather Report (nga Shorter dhe Zawinul). Ky ishte edhe albumi me shitjen më të madhe për Davisin: 500 mijë kopje vitin e parë (mbi një milion deri sot).

“Albumi mund të shikohet në disa mënyra”, thotë Nelson. “Nisi një mënyrë krejt të re për të menduar për jazzin dhe kishte shumë ndikim tek muzikantët e rockut. Në të njëjtën kohë, mund të pëlqehet thjesht për tingujt e shkëlqyeshëm që përmban”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Kulture
Viti i Naim Frashërit

Viti i Naim Frashërit

Kulture
Kalo në kategori