LAJMI I FUNDIT:

Përmirësimi i gjendjes në arsim duhet të nis nga fakultetet e Edukimit

Përmirësimi i gjendjes në arsim duhet të nis nga fakultetet e Edukimit
Ilustrim

MOTIVI

Sigurisht se për njohësit e gjendjes në arsimin e Kosovës, nuk është dashur të pritet rezultati i testit PISA (i vitit 2015) për ta notuar atë. Konsideroj se pos sëmundjeve të përgjithshme të sistemit arsimor (korrupsionit dhe shkeljeve ligjore), veçanërisht gjendja e rëndë në sistemin para universitar është rezultat i drejtpërdrejtë i gjendjes së rëndë në të cilën gjenden fakultetet e Edukimit në Kosovë. Por, problemi më i madh i arsimit është sjellja krejtësisht inerte e përgjegjësve politikë.


Me fjalë tjera, gjendja e rëndë në arsim tashmë NUK mund të zgjidhet nga veprimet në nivel të institucioneve arsimore profesionale (shkolla e universitete), sepse ato nuk mund dhe nuk janë përgjegjëse për politikën shtetërore të arsimit. Prandaj, konsideroj se gjendja në arsim kërkon, së paku ndërhyrjen e MASHT-it (mundet edhe qeveria) me një politikë të re, të qartë dhe të vendosur. Luftimi i korrupsionit dhe shkeljeve ligjore do të përmirësonte gjendjen në arsim, por një plan i MASHT-it do të duhej të kishte në fokus “Fabrikat e prodhimit të mësimdhënësve” – fakultetet e Edukimit.

Cilësia e çdo prodhimi varet nga dy faktorë kryesorë: nga cilësia e lëndës së parë dhe cilësia e mjeshtrit që e përpunon atë lëndë të parë. “Fabrikave të mësimdhënësve” tanë u mundojnë këto të dyja – me fjalë tjera në fakultetet e edukimit regjistrohen kryesisht maturantët me arritje të varfra dhe në fakultet e edukimit punojnë kryesisht profesorët më të dobët universitarë që ka Kosova. Konsideroj se qeveria dhe MASHT-i duhet të vendosin një prioritet në fushën e arsimit – dhe ai sipas meje do të ishte – NGRITJA E SHPEJTË E CILËSISË NË FAKULTETET E EDUKIMIT. Përfitimet nga ky prioritet do të ishin shumë të mëdha dhe afatgjate, ndërsa kostoja e këtij prioriteti nuk do të ishte e madhe.

GJENDJA NË FAKULTETET E EDUKIMIT

Fakultetet e Edukimit të universiteteve të Kosovës, fatkeqësisht janë më të dobëtat krahasuar me fakultetet tjera brenda universitetit përkatës. Këto fakultete kanë këto dobësi të theksuara:

– Mësimdhënësit e pakualifikuar në përgjithësi.

– Mungesa e mësimdhënësve dhe hulumtuesve në fushat profesionale në veçanti (Këtu duhet një shpjegim: Në një përmbledhje statistikore (ORCA), para pak ditësh, doli se Fakulteti i Edukimit i UP-së është në vendin e 4-të – nga 13 fakultetet e UP-së – sa i përket numrit të punimeve shkencore; mirëpo, kjo renditje, kjo vlerë është zero për problemin për të cilin flitet këtu, sepse nga 84 punimet shkencore që i figurojnë Fakultetit të Edukimit të UP-së në atë statistikë, 99 për qind NUK janë të fushës së edukimit dhe 99 për qind e atyre punimeve u takojnë dy profesorëve të atij fakulteti, d.m.th. në rastin më të mirë kemi të bëjmë me dy ekspertë që nuk e kanë vendin në një fakultet edukimi).

– Dy lëndët kryesore për fakultet të edukimit (metodologjia e mësimdhënies së lëndës së caktuar dhe praktika pedagogjike e lëndës së caktuar), nëpër fakultetet e edukimit “me plan” zhvillohen më së dobëti. Dhe, paradoksalisht, në këto lëndë studentët i kanë shumicën e notave 10-she, ndërsa notë nën 9 nuk ka!!! Këto dy lëndë ia japin fakulteteve të edukimit atributin “fabrika të mësimdhënësve” – ndërsa, pikërisht këto dy lëndë trajtohen më së keqi.
– Shkeljet statutare e ligjore dhe korrupsioni në Fakultetin e Edukimit të UP-së (që është strumbullari i krejt fakulteteve të edukimit) janë në shkallën alarmuese. Këto shkelje e mbysin çdo dëshirë për mësim te studentët dhe për punë te mësimdhënësit.
Përfundimi: KOSOVA “PROGRAMATIKISHT” PRODHON MËSIMDHËNËS KRYESISHT TË DOBËT.

Hapat urgjent për përmirësim të gjendjes në fakultetet e edukimit

Konsideroj se hapat urgjent që duhet të bëj MASHT-i për përmirësim të gjendjes në fakultetet e edukimit: hapi i parë, vendimi që FAKULTETET E EDUKIMIT të shpallen prioritet të arsimit në përgjithësi. Hapi i dytë, ndërtimi i planit të veprimit, i cili do të ndërtohej në këto katër shtylla:

1. Riorganizimi dhe udhëheqja e fakulteteve të edukimit. Së pari, riorganizimi duhet të siguroj që praktika profesionale të kryhet në mënyrë meritore. Së dyti, me politikë të qartë të MASHT-it, duhet të ndalohet mundësia që në krye të fakulteteve të edukimit të vijnë njerëz me bërryla, e pa asnjë vlerë në fushën e edukimit. Së treti, udhëheqjet e fakulteteve të edukimit të themelojnë një organ, ngjashëm me konferencën e rektorëve. Këtë organ (që mund të quhet Kolegjiumi i dekanëve të fakulteteve të edukimit) ta udhëheq, së paku zëvendësministri i MASHT-it). Në këtë mënyrë, sigurohet jetësimi i planit të MASHT-it. Ky organizim nuk e zëvendëson, as e lëndon qeverisjen e këtyre fakulteteve nëpërmjet rektorateve përkatëse; përkundrazi, i ndihmon këto fakultete që edhe obligimet që dalin nga politika e rektoratit t’i plotësojnë me përpikëri.

2. Rekrutimi i studentëve në vitin e parë të studimeve. Të zhvillohet politika me interes shtetëror që në fakultetet e edukimit të regjistrohen maturantët më të mirë.

3. Rekrutimi dhe shkollimi i mësimdhënësve të fakulteteve të edukimit. MASHT-i duhet të inkurajoj kontingjentin e mësimdhënësve më të mirë universitarë që të rekrutohen në fakultetet e edukimit. Njëkohësisht MASHT-i ndërton planin që brenda 3 vjetëve të shkolloj në universitetet europiane dhe amerikane kuadrot që mungojnë për lëndët profesionale në fushën e edukimit.

4. MASHT-i të ndaj një buxhet veçantë për fakultetet e edukimit. Sigurisht se zhvillimi meritor i praktikës profesionale ka një kosto të veten, e cila kërkon një buxhet shtesë për fakultetet e edukimit. Shtylla 2 e këtij plani duhet të përkrahet me ndarjen e bursave për të gjithë studentët e fakulteteve të edukimit.

PRITJET

Sikurse e thonë edhe fjalët e urta, frytet e planeve në fushën e arsimit piqen ngadalë. Disa fryte të këtij plani do të shiheshin në vitin e parë, por ato do të vijnë duke u shtuar me kohën.