Simon Rrota (1887-1961), piktori që në zanafillën e rrugës së artit pamor, në kapërcyellin e fundshekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX pati jo vetëm për mësues vizatimi, por edhe si udhërrëfyes Kolë Idromenon; ishte megjithatë i pari piktor i shkolluar në një akademi artesh, deri atëherë.
Shkon në Romë, së pari, me këmbënguljen dhe rekomandimin e drejtorit të shkollës italiane në Shkodër, prof. Polarollit, ku sprovon të gjejë punë e të mund të studiojë pranë skulptorit të famshëm Angello Zanelli, me dëshirën e palakueshme të shkollimit vetëm për arte pamore, por pa sukses. I zhgënjyer aty prej pritjes së ftohtë, largohet për në Milano, në kërkim të një tjetër mundësie. Dhe atje fati i buzëqesh sapo takon bashkëqytetarin e vet Pjerin Simoni. Me ndihmën e mbështetjen e tij krejt vëllazërore, në vitin 1910 fillon studimet në Akademinë e Arteve të bukura “Brera” në qytetin e madh e të zhurmshëm dhe aty laurohet në vitin 1915.
Në Milano qe njohur edhe me Carla Carminati, e cila do të bëhej më pas bashkëshortja e tij e jetës… U martuan më 28 tetor të vitit 1920 dhe fill dy ditë më pas kthehen në Shqipëri dhe së bashku do të përcjellin ngjarjet e trazuara të kohës. Më herët, përpara se të nisej për studime, përpos Idromenos, Simoni u pat gjend i rrethuar gjithashtu prej një përkrahjeje të përndritshme të At Gjergj Fishtës, të cilën ai e çmon shumë.
Poeti e françeskani aq fort i përgjindshëm në Shkodër, prej asokohe, mbasi dallon të dhënat për pikturë dhe zellin e dëshirën e pandalshme, e merr herë mbas here për punë të kësisojshme djaloshin e talentuar për të ndërtuar së bashku dekorin e shfaqjeve të pjesëve teatrore, që Fishta vetë i kishte shkruar a përshtatë për teatrin e sapokrijuar në Kuvendin e Fretërve. Ka qenë ajo kohë kur përreth Kuvendit, asaj qendre rrëzëlluese kulturore të qytetit, në teatrin që përtërihej shpejt po zinte fill për së pari drama shqipe.
Ndërsa gjuha shqipe ishte vendosë si gjuhë mësimi edhe në shkollat e tyre, në Liceun “Illyricum” dhe në shkollën e motrave “Stigmatine”, ishte ende në rrethana ndaluese prej Perandorisë Otomane në kalbëzim. Po Simoni i sapokthyer nga studimet, i ndodhur në rrethanat kur iu desh të bënte përpos mësuesit edhe përkthyesin nga italishtja e gjermanishtja, pati njëherësh kontakte e njohje edhe me personazhet më aktivë të lëvizjes kombëtare në Shkodër: me Luigj Gurakuqin, Ernest Koliqin, Zef Harapin, Mikel Koliqin, Hilë Mosin, Mati Logorecin, Isa Boletinin, Kel Marubin etj.
Kurse në Fier, ku gjendet rreth viteve ’20 bashkë me të vëllamë, Kolën, shkolluar edhe ai për mësuesi në Vjenë, themelojnë atje fotografinë, zeje artistike e paparë deri atëherë në atë qytet. Këtë e pohon Kozma Dashi, që hulumton në këtë fushë. Por, e pohon gjithashtu zëplotë edhe Qerim Vrioni, njëri prej studiuesve të dorës së parë të historisë së fotografisë në vendin tonë…
Po shkruej për vedi! Kështu i kishte pasë titulluar kujtimet e veta Simon Rrota, mbajtur për një kohë të gjatë në kujtesë, në një kujtesë për t’u lakmuar dhe pastaj, kur kishte arritur në moshën e përshtatshme për t’ju rikthyer atyre, kishte filluar e i kishte shkruar. Me një kaligrafi të bukur, pa rend kronologjik ngjarjesh, veçse ashtu si i kishin ardhë, i kishte dikuar (zbrazë) në letër, si një rrëfim a bashkëbisedë me vedin. Dhe ia paska dalë…
Kujtimet e shkruara, masandej kur Simoni ndërron jetë (27 janar 1961), me përkujdesje atërore ishin ruajtë prej familjarëve, prej së bijës, më të voglës së fëmijëve, Norës, dhe ashtu gjendeshin të ruajtura edhe mbas më shumë se një gjysmëshekulli… Dhe… kujtimet e piktorit, të ruajtura me përkujdesje të adhurueshme, ndër rrethana të atij regjimit të biografive kur ato mund të ktheheshin edhe në problem për familjarët, kuruar në një libër nga Pjetër Logoreci, vijnë e publikohen këto ditë si botim i “Botimeve Fishta”…
Pjetër Logoreci e tregon gati si anektodik rastin se si ka ndeshë në këto kujtime. “Në të vërtetë,- rrëfen Pjetri,- unë po interesohesha në Arkivin e Vjenës, se mos gjej ndonjë material për Kolë Rrotën, vëllain e piktorit, mbasi ashtu si rastësisht më lidhej me punët e mia hulumtuese, por diçka edhe më përtej. Kur u pata interesuar për sjelljen e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit, nënkryetarit të qeverisë së Ismail Qemalit, e para pas shpalljes së pavarësisë, mësova se ai varr që Kaçorri kishte në varrezat e Vjenës, pas vdekjes natyrale atje, qe e mundur të ishte aty në sajë të Kolë Rrotës. I ndodhur në Vjenë asokohe, Kola ishte përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë. Po me paratë e veta e paguan tokën për varrin e Kaçorrit (një gjest ekselent njerëzor e patriotik). Dhe duke u interesuar që të mësoja më shumë për Kolën, trokita në derën e familjarëve të vet, tashmë të shpërndarë në Evropë. Dhe prej tyre, prej Eduardit, nipit të vet mësova se Simon Rrota kishte lënë të shkruar edhe një ditar në formën e kujtimeve”.
Nën titullin: Shkruej për vedi… Një titull mjaftueshëm për t’u marrë me mend se mbajtësi i tyre i kishte mbyllë sytë pa menduar se ato do të publikoheshin ndonjëherë. Por, vetëm se qenë shkruar ashtu kujdesshëm, për t’i pasë si dëshmi kureshtare trashëgimtarët e tij. Shënohen në këto kujtime episode të detajuara ndodhish e ngjarjesh me mjeshtrin Idromeno e me Fishtën, për skenografinë e shfaqjeve teatrore në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol, por edhe për popullaritetin e madh që ato mbërritën të kishin në qytet.
Sikundërse kishte provue ma herët me ja shkye vizatimin e me i dalë belá me malësorin puntuer, që i kishte bërë portretin, bash aty në oborrin e Kishës së Madhe. Ngjarje si kjo e ngjashme kishte provue shpesh, se njerëzia asokohe ende nuk pajtohej me “i dalë ftyra n’leter”. Por, përcillen në to gjithashtu edhe ngjarje e ndodhi nga jeta e përditshme qytetëse e kohës, nga pazari i madh, në hyrje të qytetit, poshtë kalasë, në të cilin atij iu pati dashtë me sprovue qysh herët në adoleshencën e vet përcjelljen nëpër punën e mundimshme të shegertit, me ju ba ndihmë familjes, prej së cilës dy prej vëllazënve të mëdhenj ishin përcjellë për studime.
Aty, në pazarin e madh dyndej përgjatë ditës thuajse krejt qyteti deri në mbramje, kur krejt “urdia” e tregtarëve, shegertave e blerësve, kush me karroca e kush n’kambë, simbas hierarkisë që kishin atje, kthehej në qytet. Masandej në lagjet e nëpër rrugët e rrugicat e në qendrën e tij gëlonte jeta e polisit, me dritëhijet e veta e me nuancat gjithnurësh… Me shtëpitë e rrethuara me avllitë me gurë zalli, naltësia e të cilave ishte e qortueshme për hartistin [artistin] e ardhshëm që reflektonte mënyrën ende orientale të jetesës, vetë shtëpitë, të ndërtuara në fund të oborrit, që “i kthejshin shpinën” rrugëve.
Me dyert e mëdha të oborreve sa me hy edhe qerret, që do të shkarkonin drutë e dimrit a rrushin e sjellë prej vreshtave përreth, me të cilin bëhej vera. Prej druri e të punuara bukur. N’anë tjetër konsullatat e huaja, që i kishin selitë në Shkodër asokohe, pamja e të cilave dhe e njerëzve përmbrenda ashtu si edhe veshja e sjellja e tyre nëpër qytet ishte një ndjellje a joshje drejt oksidentit e mënyrës së re të jetesës atje…
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Dukuri dhe karakteristika të epikës historike

LEHJA E TMERRSHME
Banda e grave që kërcënoi Londrën për dekada

Pse Ismail Qemali dha dorëheqjen nga kryesimi i qeverisë së përkohshme më 22 janar 1914?
Napoleoni dhe trojet shqiptare

Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Tre kandidatë për deputetë morën vetëm nga dy vota në zgjedhje

Detaje të reja nga KQZ: Vetëm në tri komuna kanë mbetur votat pa u numëruar

Kandidatja për deputete nga Lista për Familje: E votova veten por nuk më figuron, ka manipulime

Flick emëron një klub që mund ta pengojë Barcelonën të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

“Kamera në hotele për t’i shantazhuar politikanët”, gazetari Panduri tregon detaje se çka zbuloi AKI-ja për spiunët e BIA-s serbe

Limaj, vetë i treti do t'i bashkëngjitej koalicionit qeverisës