LAJMI I FUNDIT:

Për herë të parë në Kosovë, pacientja operohet njëkohësisht në zemër dhe zorrë (Video)

Për herë të parë në Kosovë, pacientja operohet njëkohësisht në zemër dhe zorrë (Video)

Hyrisha Salihu (75 vjeçe) është pacientja e parë në Kosovë, e cila i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjike në të njëjtën kohë.

Ajo kishte probleme në zemër, mirëpo pas disa kontrolleve ishte diagnostikuar edhe me kancer në zorrën e trashë.

Një operacion i tillë u realizua nga mjekët e Spitalit Amerikan, të cilët thanë se një ndërhyrje e tillë nuk ishte aspak e lehtë, mirëpo e domosdoshme për t’i shpëtuar jetën pacientes, raporton RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.


“Me konsensus kemi arritur që pacienti ta kryej trajtimin kardio-kirurgik por njëkohësisht është arritur të bëhet edhe një operacion mjaft radikal i ashtuquajtur “eksirapcioni i tumorit” me dy ndërhyrje. Pra te pacientja është bërë një ndërhyrje e dyfishtë”, tha kirurgu Sabri Tmava.

“Jemi ulur bashkë dhe kemi vendosur se pacientja do të përfitonte vetëm nëse bëhet ndërhyrje e dyfishtë, sepse nuk kishte kuptim të kryhej njëra e të lihej tjetra, pasi të dyja rrezikonin jetën e pacientes”, shprehet anesteziologu Ismet Jusufi.

E 75 vjeçarja thotë se pas operimit ndihet shumë mirë.

“Mirë kam kaluar shumë. Faleminderit nga të gjithë, motrat, mjekët…”, tha pacientja Hyrisha Salihu.

Ky operacion ka zgjatur 7 orë dhe pacientja pritet që së shpejti të lirohet nga spitali. /RTV Dukagjini/Telegrafi/