Nga: Albana Beqiri
Paradoksi është i dukshëm që në krye: sa më shumë që ankohemi (sidomos rrjeteve sociale) se leximi dhe blerja e librave ka rënë dukshëm, po aq duket se është rritur numri i atyre që shkruajnë dhe botojnë për qejf të tyre, sidomos në rrjetet sociale, dhe po ashtu shtëpitë botuese që çuditërisht nuk janë të pakta në numër vazhdojnë të botojnë pandalur.
Është vështirë t’i biesh në fije këtij paradoksi që nuk të ndihmon aspak ta kuptosh ngërçin e krijuar mes librit, botimit, leximit, lexuesve dhe botuesve. Këta të fundit janë ata që ankohen më së tepërmi dhe kërkojnë financim nga shteti pasi, siç thonë, pa këtë lloj infuzioni institucional, nuk mund të mbajnë në këmbë veprimtarinë botuese e cila në një treg të lirë normal është dhe duhet të jetë fitimprurëse. Me gjasë, në Kosovë, me ndonjë përjashtim të vogël që në këtë rast është përjashtimi që përforcon rregullin, asnjë shtëpi botuese nuk mbahet nga vetvetja – edhe ajo apo ato pak që mund ta kenë veprimtarinë botuese si veprimtari të vetme apo parësore, në çdo vit përfitojnë financime në forma të ndryshme nga shteti, kryesisht nga Ministria e Kulturës përmes Këshillit të librit, blerjes së librave, apo nga thirrjet e ndryshme për financime etj.
Kur vjen puna te botimet, shtëpitë botuese e luajnë kinse një lloj pavarësie editoriale duke botuar pothuaj pa kriter libra me pak kopje e që kalojnë pa u vërejtur – përpos vetëreklamimeve në rrjete sociale të autorëve.
Ky realitet i librit dhe botimeve çon pastaj në realitete të tjera zinxhirore të cilët vetëm sa e koklavisin edhe më shumë ngërçin edhe ashtu të koklavitur që e përcjell këtë veprimtari prej vitesh. Mbërrijmë kështu te sasia e cila si rëndom në raste të tilla e mbyt cilësinë.
Mungesa e redaktorëve dhe vetëfinancimi
Shtëpitë botuese, sidomos ato më të voglat, zakonisht nuk kanë redaktorë – kur flasim për redaktor nuk është fjala për një emër të shënuar si i tillë në kopertinat anësore të librit, por për funksionin e një redaktori siç kanë shtëpitë botuese në të gjithë botën. Zaten, as shtëpitë botuese në Kosovë nuk funksionojnë si simotrat e tyre në vendet e tjera, prandaj nuk është e çuditshme as kjo mangësi. Por, të mbetemi te pozicioni dhe funksioni i redaktorit. Kur themi se shtëpitë botuese zakonisht nuk kanë redaktorë, fjala është për redaktorë të cilët e “sakatojnë” pozitivisht librin që duhet të shkojë në shtyp, duke “prerë pa mëshirë” pjesë, pasazhe (prozë) apo vargje të tëra (poezi), pa pasur frikën se autori lëndohet apo reagon e nuk lejon t’i preket vepra. Por, kjo vetëm hipotetikisht mund të ndodhte nëse shtëpia botuese e financon librin (pa vitra institucionalë) dhe madje i jep edhe honorare autorit (e për shumëkënd konstatimi i sipërm duket iluzor dhe do të mbetet i tillë së paku edhe për shumë kohë, për aq sa shtëpitë tona botuese t’u ngjajnë shtëpive botuese në tërë botën).
Mbijetesa e shtëpive botuese tek ne mundet të varet nga gjithçka, përpos nga shitja e librave, sidomos atyre të autorëve tanë. E, një mënyrë tjetër e mbijetesës është botimi i librave përmes vetëfinancimit. Në këtë rast besoj se nuk ka shumë për t’u diskutuar: kriteri i përzgjedhjes pothuaj bie, roli i botuesit është thjesht teknik, ai “paguhet” nga autori për punën që bën – në këtë rast atë të ndërmjetësuesit me shtypshkronjën dhe dhënësit të logos së shtëpisë botuese. Vetëm kaq. Pastaj libri (i botuar në rastin më të mirë në 200 apo 300 kopje) bën “jetën” e vet të ndarë nga ajo e botuesit. Autori merret me vetëreklamimin, me shpërndarjen etj.
Mungesa e një rrjeti funksional të shpërndarjes së librit dhe e agjentëve letrarë
Këtu ngre krye një tjetër problematikë shoqëruese e kësaj veprimtarie e që është mungesa e një rrjeti të njëmendtë e serioz të shpërndarjes së librit. Shtëpitë botuese, veçmas kur librat vetëfinancohen, nuk marrin përsipër shpërndarjen e librit, kështu që në shumicën e rasteve janë vetë autorët ata që e dërgojnë librin nëpër librari, duke u munduar të bëjnë edhe detyrën e shpërndarësit. Sa shitet libri pastaj është një çështje tjetër e, sipas të gjitha gjasave, ai shitet pak ose aspak. Librat e autorëve shqiptarë – të cilët edhe ashtu shtypen në pak kopje – kryesisht falen. Autorët, besoj asnjë prej tyre edhe ata më të njohurit, nuk jetojnë dot nga letërsia, pra nga shitja e librave të tyre; blerësit kryesisht janë të orientuar nga letërsia e huaj, mbase edhe ngaqë autorëve të huaj, kur vjen puna te marketingu, ju bëhet një argat i mirë prej shtëpive botuese.
Letërsia shqipe vazhdon të mbetet një letërsi e vogël, veçmas sa i përket tregut të librit; përkthimet e autorëve tanë në gjuhë të tjera janë krejt sporadike e kjo vjen pikë së pari nga mungesa e agjentëve letrarë të cilët te ne mungojnë fare. Në gjithë këtë mori profesionesh të reja të diktuara nga tregu i punës, askujt nuk i ka shkuar mendja të bëjë agjentin letrar duke u kthyer kështu në një ndërmjetësues mes autorit, përkthyesit dhe pastaj më tej edhe të shtëpive botuese në vende të ndryshme ku mendohet të botohet libri.
Madje, as institucionalisht përkthimi dhe botimi i autorëve tanë në gjuhë të tjera nuk përkrahet. Në morinë e këtyre fondeve që shpërndahen gati pa kriter për librin, botimet nuk kanë asnjë fond për të përkrahur fillimisht përkthimin e mandej botimin e autorëve në gjuhë dhe vende të tjera, duke ia krijuar kështu autorëve mundësinë e një përballjeje reale me tregun e huaj, dhe letërsisë shqipe me mundësinë e një njohjeje shumë më të gjerë gjeografikisht.
Autorët pa trajtim dinjitoz
Politikat institucionale për librin duhet të ndryshojnë në favor të autorit – nënkupto këtu letërsisë shqipe. Autori ka nevojë për trajtim më dinjitoz se ky i deritanishmi, p. sh. ta zëmë se nëse deri tani Këshilli i librit është orientuar në shpërndarjen e fondeve në trajtë vitrash me përkrahje shumash qesharake, të cilat kushtëzojnë botimin në pak kopje, autori duhet të mbetet i kënaqur nëse i mbeten pak kopje sa për t’ua falur miqve, dhe ky është “honorari” i vetëm që ai merr në këtë ndërmarrje të vështirë të botimit të librit të tij. Mbase do të ishte më mirë që kriteri i Këshillit të Librit për shpërndarjen e fondeve për botimet të ishte cilësia e jo sasia e botimeve, të kishte një fond të posaçëm për përkrahjen e autorëve të rinj, ndërsa për pjesën tjetër autori të ishte më i vlerësuar – së paku përmes një honorari më dinjitoz e kështu me radhë. Dhe, duke rritur shumën e përkrahjes së një libri, të vihej disi nën kontroll edhe tirazhi i botimit të një libri që pothuaj në të gjitha rastet është qesharak. Në kushtet e tanishme është utopi të mendosh tirazhin e botimeve të dikurshme të Rilindjes, shtëpisë botuese më të madhe që kishte Kosova deri në vitet 1990, por megjithatë një përpjekje duhet bërë; një përpjekje për të kthyer dinjitetin e autorit, botuesit dhe krejt procesit të botimit; një përpjekje e cila në të vërtetë është detyrim institucional dhe shoqëror.
Kriza e re e vjetër e librit
Nga ana tjetër, panairet e librave që duhej të ishin (së paku nga këndvështrimi shqiptar) një lloj distributori dhe pikë shitjeje dhe promovimi librash, kanë filluar ta humbin atë lloj shkëlqimi që ua jepte kthimi i tij në një festë të librit. Ky i fundit, i këtij qershori, nuk ishte veçse një kopje e zbehtë, mbase as aq i shëmbëlltyrës së një feste. U pa se botime të reja kishte pak dhe u tha (nga botuesit) se shitje librash kishte edhe më pak. Te kjo e fundit, pra te rënia e fuqisë blerëse, sigurisht që ndikojnë edhe çmimet e larta të librave, sidomos të romaneve të cilët pasi lexohen apo rilexohen (në raste shumë të rralla) edhe ndonjë herë tjetër, nuk kanë asnjë funksion tjetër veçse të renditen në vitrina të pluhurosura. Po t’ua shtojmë çmimeve të larta të librave edhe zhvillimin e teknologjisë që në këtë fazë duket se po dominon mbi formatet e shtypura (gazeta, revista, periodikë të tjerë, libra etj.) atëherë nuk duhet të çuditemi dhe aq shumë për rënien e fuqisë blerëse dhe rënien e lexueshmërisë.
As niveli i arsimimit (shkollave) nuk është se ndihmon në këtë pikë. Nuk duket se ka nxitje të nxënësve apo studentëve drejt leximit. Pothuaj shumicën e detyrave e kryejnë përmes kërkimeve në internet, ku i gjejnë burimet pa vrarë shumë mendjen se sa e lartë është besueshmëria e burimit. Për ta mjafton që gjejnë disa pika reference e kjo po për ta (fatkeqësisht edhe për profesorët e tyre) është e barasvlershme me atë sikur ta kishin lexuar vërtet librin. Siç e thamë më lart, edhe teknologjia e hovshme, sidomos ajo që lidhet me internetin, me botën virtuale dhe atë online, sigurisht që ndikon te e ashtuquajtura krizë e librit – siç po thuhet rëndom me alarm për këtë fenomen jo dhe aq të ri ndër ne. Megjithatë, duhet të pranojmë se nuk kemi qenë e as jemi shoqëri e lidhur ngushtë me librin dhe leximin e tij, madje-madje nuk kemi lexuar shumë as gazetat, ndryshe s’do kishim mbetur i vetmi vend që nuk kemi më gazeta të shtypura, as edhe një për be. Po ashtu, te ne asnjëherë nuk janë botuar libra të formatit të xhepit, të destinuar për t’u lexuar masivisht nga, siç sheh në tërë botën, lexues pasionantë që nuk e ndalin leximin as trenave apo metrove. Nuk kemi pasur ku t’i lexojmë, e tash mund t’i lexojmë vetëm kafeve të populluara vetëm për të shtyrë ditën e bërë muhabet, por s’besoj se e bën kush. Së paku nuk shohim kafeve e bareve të shumta njerëz që kanë përpara ndonjë libër – telefona të mençur po, madje nga ata më të rinjtë e më të shtrenjtët.
E, sa i përket vajtimit kolektiv, kryesisht nëpër rrjete sociale për rënien e lexueshmërisë (këtij vajtimi i ndihmojnë edhe disa anketa të paverifikuara dhe joinstitucionale që japin shifra vërtet alarmante të mungesës së leximit) duke e krahasuar nivelin e sotshëm përtokë të leximit me kohët e arta të tij, duhet thënë se nuk është se ka pasur kohë aq të arta sa i idealizojmë më kot; gjithmonë ka pasur dhe do të ketë njerëz të cilët nuk kanë lexuar dhe nuk do të lexojnë qoftë edhe një libër; ka pasur plot të tillë edhe atëherë kur tirazhi i librave ishte mbi 5 000 copë e sipër, e të tillë ka edhe sot kur përparësia që aktualisht ka teknologjia mbi librin e shtypur e ka zbehur goxha shumë refleksin e të lexuarit. Kjo na kthen sërish në fillim, pikërisht te paradoksi që vjen nga proporcioni i shprishur: botime dhe lexueshmëri. Si rregull, po të mos kishte lexueshmëri të lartë nuk do të kishte as fluks botimesh, por ja që uljen e lexueshmërisë e pranojmë të gjithë e rritjen e botimeve po ashtu e shohim të gjithë.
Kriza e vërtetë: Cilësia
Në këtë qerthull zinxhiror të këtij paradoksi, hallka më e dobët e këtij zinxhiri të komplikuar të botës së librit mbetet cilësia, pikë së pari për shkak të mungesës së filtrave të botimit që i përmendëm më lart. Kjo i kushton më së shumti letërsisë shqipe, e cila aktualisht gëlon nga poetë e shkrimtarë me shumicë të cilët më së shumti i ndesh rrjeteve sociale. Por, të mos e konsiderojmë si të keqen më të madhe letërsinë e Fejsbukut (aty defilojnë gjithfarë krijuesish e pseudokrijuesish që nga ata që njëmend e meritojnë këtë epitet, e deri te plagjiatorët e kopjuesit ordinerë) se në fund të fundit ajo fillon dhe mbaron aty. Edhe në shkoftë më tej deri te botimi i librit, sërish nuk është fundi i botës nëse lëvdatat si “poet/e i/e madhe” që bëhen rëndom nëpër komente të publikimeve në Fejsbuk, mbërrijnë një shkallë më lart me ndonjë fjalë lëvduese në promovimin e librit të poetit a poetes në fjalë. E keqja e vërtetë është se në këtë moçal lëvdatash pa kriter e pa masë, janë përfshirë pothuaj të gjithë ata që shkruajnë e studiojnë letërsinë, duke e kthyer territorin e letërsisë në mëhalla krijuesish që funksionojnë përmes grupacioneve dhe logjikës së qokave, që nga shkrimet lëvduese për njëri-tjetrin e deri te ndarja e çmimeve sipas parimit: më jep të dhashë.
Por, e mira e gjithë këtij kaosi dhe ngërçi është se letërsia ka vend për të gjithë, madje edhe për të patalentuarit, për plagjiatorët e kopjacët e mirë e të këqij, vetëm se ajo vetë e ka në dorë selektimin dhe këtë më së shumti ia beson kohës e cila në këtë pikë është e pamëshirshme. I shkel të patalentuarit, plagjiatorët dhe kopjacët e pastaj i zhyt aty ku e kanë vendin: në harrim!
E, ashtu si letërsia e mirë ka triumfuar gjithmonë, edhe libri po ashtu do i mbijetojë krizave të herëpashershme; do t’i përshtatet edhe konkurrencës e logjikës së teknologjisë, duke mbetur përçuesi më i mirë i dijes njerëzore, por edhe i letërsisë së majave. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
ASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
Kanuni i Skënderbeut, vepër monumentale e kulturës sonë
Piro Milkani në një rrëfim për jetën: “E pabesueshme, por e vërtetë”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme