LAJMI I FUNDIT:

Për Austrinë pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm

Për Austrinë pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm

Presidenti Fatmir Sejdiu ka pritur të hënën ambasadorin e Austrisë në Republikën e Kosovës, Walter Maria Stojan, i cili i solli letrat kredenciale. Me këtë rast presidenti Sejdiu i shprehu ambasadorit Stojan falënderimin për mbështetjen që Republika e Austrisë i ka dhënë Kosovës.

“I shpreha falënderimet e mëdha për mbështetjen që Republika e Austrisë i ka dhënë Kosovës me një përkushtim të thellë edhe në periudha të gjata kohore, si dhe për përkushtimin për mbështetjen e Kosovës në aspektet e zhvillimit ekonomik, raporteve të arsimit, të shkencës dhe kulturës, si dhe investimeve të tjera në fushën e sigurisë me pjesëmarrjen në kuadër të EULEX-it dhe në mbështetjen për njohje të mëtejshme të Republikës së Kosovës do të vazhdojë pa dilemë”, theksoi Sejdiu.

Ndërsa, ambasadori i parë i Austrisë në Republikën e Kosovës, Walter Maria Stojan theksoi se Austria edhe më tej ka qëndrim të njëjtë sa i përket pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe se për Austrinë, pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm.

“Siguria e një shteti multietnik nuk është vetëm në interes të Republikës së Kosovës, por shërben për sigurinë e tërë rajonit, e cila me të drejtë kuptohet si zemra e Ballkanit”, tha ambasadori Stojan.


Gjithashtu, ambasadori austriak theksoi se vendi i tij e përkrah bindshëm vullnetin e integrimit të Republikës së Kosovës, procesin paqësor evropian dhe transatlantik. /Telegrafi/