LAJMI I FUNDIT:

Pengesat parimore për koalicion mes PDK-së dhe AKR-së

Çështja e koalicioneve nderpartiake, kurdoherë, është temë aktuale madje, akute, para, por, edhe pas zgjedhjeve parlamentare në vendet demokratike. Në funksion të synimeve politike të bashkërenduara ndërmjet subjekteve politike të caktuara, fillimisht, do të duhej të vlerësoheshin programet politike të tyre dhe, në masë të konsideruar, të koordinoheshin së pakut, në sferat më të rëndësishme të tyre.

Një nga parakushtet e lidhjes së koalicioneve politike, gjithsesi, është edhe postulati i afiniteteve programore politike respektive. Ky postulat, fillimisht, e cakton, së pakut, një kërkesë parimore të pakapërcyeshme për të lidhë koalicion apo për të mos e shqyrtuar dot atë akt politik. Natyrisht, se postulati në fjalë, ju referohet partive politike kontemporare të shteteve moderne me tradita politike të establishuara dhe të definuara në fundamente parimore të qëndruara.


Në kontekstin kosovar, premisa e theksuar, pothuajse nuk “kërkohet”, ngase subjektet politike aktuale, programet politike, esencialisht, nuk i kanë të definuara sa e si duhet, madje, nga analizimi i tyre, vështirë se do të mund të konkludohej se cili subjekt, ku do të kategorizohej, në të majtë, të djathtë apo në qendër e ashtu me radhë. Për tu konfirmuar ky konkludim, mund të shërbente edhe floskula e shpeshtë e, pothuaj të gjithë përfaqësuesve të subjekteve politike kosovare,…se partia politike respektive i takon këtij apo atij spektri politik dhe, atë e apostrofojnë sipas oportuniteteve politike të caktuara! Në këto ditë, jo rrallë, trajtohet koalicioni partiak i mundshëm ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, madje duke u konsideruar si akt i kryer që prêt çastin e duhur, pas 9 janarit 2011! Rrjedhimisht, si një nga njohësit e rrjedhave politike bashkëkohore e, veçanërisht të këtyre kosovare, personalisht, i vërej , së pakut, tri pengesa kundërthënëse, të cilat, do t’i kundërviheshin koalicionit politik ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, siç vijon:

Kah fundi i dhjetorit të vitit të kaluar, znj. Mimozë K. Lila (znj.Lila) zëvendëskryetarja e kooptuar dhe e emëruar e AKR-së, nder tjera, pat deklaruar botërisht (me këtë përmbajtje) se:…AKR-ja nuk do të bënte koalicion politik me PDK-në përderisa në te të ishte (nënkryetar përkatësisht ministri) zotëri Fatmir Limaj…nga se , ajo ( lexo: Ajo përkatësisht AKR-ja) do të bashkëpunonte vetëm me persona të pakorruptuar…”. Deklarata politike me përmbajtje të tillë, ishte dhe mbetet skandaloze dhe, e papresedencë politike, nga se, në kundërshtim me etikën politike dhe fundamentet juridike – penale, arbitrarisht dhe pa bazë legale, e ka inkriminuar zotëri Fatmir Limajn, nënkryetarin e parë të PDK-së, ministrin e një resorit të rëndësishëm në Qeverinë aktuale dhe njërin, nëse jo me të votuarin, nder më të votuarin në PDK, përkatësisht në vend, dhe së pakut, deri në këtë moment, me asnjë akt juridik valid, të pa shpallur të përgjegjshëm për çfarë do akti jo penal, por as kundravajtës (sic)!

Gjithsesi, deklarata e tillë e zonjës Lila, fillimisht, e irriton seriozisht kreun politik dhe, pashmangshëm edhe anëtarësinë e gjerë të PDK-së dhe, për aq, krijon aversion të pashmangshëm për refuzim përfundimtar të ofertës së AKR-së përkatësisht të PDK-së (vice versa) për krijim të koalicionit politik reciprok! Rrjedhimisht, deklarimi në fjalë, së pakut, është i papërgjegjshëm politikisht, por seriozisht i përgjegjshëm juridikisht, me pasoja negative të mundshme për autoren e saj, së pakut, nga se, botërisht, pa skrupull e inkriminon personin, juridikisht, të pafajshëm, të cilit, në atë mënyrë, pos tjerave, Nolens Volens, nuk ka mund të mos i shkaktonte dëm moral!

Programi politik i AKR-së, e ka të projektuar sendërtimin e sistemit presidencial në Kosovë, ashtu që, nder të tjera, presidentin e Kosovës do ta zgjidhte populli drejtpërdrejt, por jo, sikundër që është tani me Kushtetutë, që “presidentin” (virtuelisht kryetarin) ta zgjedhë, madje, edhe me shumicë relative të deputetëve të vet! Së andejmi, kryetari i AKR-së, me bazë do të mund të pritej të mos e pranonte rolin e kryetarit të Republikës së Kosovës të zgjedhur nga Kuvendi sipas të gjitha gjasave me shumicë relative të votave, pro të deputetëve të tij, nga se, vizionin dhe programin politik për atë institucion, e ka krejt tjetër fare, i cili, do të mund të sendërtohej vetëm atëherë kur po ai subjekt politik, të ishte relevant, e jo siç është aktualisht, në kacafytje ekzistenciale përreth pragut zgjedhor! Megjithatë, nëse kryetari i AKR-së, do të pranonte për tu inkorporuar dhe involvuar në sistemin politik aktual të kryetarit, por, jo edhe të presidentit, më së pakut, do të ishte akt hipokrit në kolision me premisat programore politike të veta dhe në koherencë vetëm me interesa egoiste individuale, eventualisht, grupore politokratike!

Rrjedhimisht, në programin politik të AKR-së, konform me sistemin presidencial të Republikës së Kosovës, në vend të Qeverisë së Kosovës me numër enorm të ministrive, është definuar administrata shtetërore racionale, madje, e redukuar vetëm në gjashtë – shtatë resore! Së andejmi, involvimi (eventual) koalicional i AKR-së në Qeverinë e tillë të Kosovës me së pakut, tri herë më shumë ministri se sa AKR-ja aspiron për të pasur resore të administratës shtetërore, do të ishte një akt politik kundërthënës me dokumentet, ideologjinë dhe programimet politike të saja dhe, për aq, do të ishte në kolizion drastik me premtimet elektorale referuar votuesve të vetë! Rrjedhimisht, premtimet elektorale të bazuara në dokumentet politike të veta, në një anë dhe, veprimet kontrare me to, në anën tjetër, së pakut do të prodhonin premtime publike boshe për përfitim të votëbesimit të nevojshëm, jo për votuesit, por për përfituesit nga ata – grupi i individëve abuzues me vullnetin e votuesve (sic).

Përfundimisht dhe pos tjerave, edhe këto tri rrethana ekzistente, sipas konsideratës parimore, do të ishin pengesa serioze përjashtimore për koalicion (eventual) politik ndërmjet PDK-së dhe AKR-së.