LAJMI I FUNDIT:

Peja stërvitet me Bashkimin

Peja stërvitet me Bashkimin

Kampionia aktuale e Kosovës, Peja, e ka mposhtur lehtësisht skuadrën e Bashkimit në Karagaç, që ngjau sikur të ishte një stërvitje ditore për ta, e këtë gjë e tregon më së miri edhe rezultati përfundimtar, 107-71.

Peja e kontrolloi lojën që nga fillimi i saj dhe nuk i lejoi asnjëherë mysafirët që të luanin lojën e tyre, e këtu më së shumti kontribuuan Frederick House e Samir Shaptahoviç që së bashku shënuan 26 pikë deri në përfundim të pjesës së parë, rezultati i së cilës ishte 63-37.

Më pas në pjesën e dytë në skenë doli Drilon Hajrizi, i cili duket se po kthehet në formën e tij më të mirë. Ai shpërtheu në këtë takim duke shënuar 27 pikë, prej tyre pesë trepikësha. Deri në fund të takimit pejanët vetëm se e ngritën epërsinë e tyre në 36 pikë, për ta përmbyll këtë takim me fitore.

Përveç Drilon Hajrizit me 27 pikë, te Peja u dalluan edhe Gerti Shima e Teo Simovic me nga 16 sosh. Ndërsa, te Bashkimi u dallua Justin Cecil me 15 pikë, i ndjekur nga Josip Blajic me 10 sosh.


Me këtë fitore, Peja për momentin kryeson në tabelën e klasifikimit me 15 pikë, një më shumë se Sigal Prishtina e cila nesër do të luajë kundër Dritës në Gjilan. /Telegrafi/