LAJMI I FUNDIT:

Peja në kërkim të fitores së parë

Peja në kërkim të fitores së parë

Ekipi i Pejës dje ka udhëtuar për në Kumanovë ku do të përballet me skuadrën me po të njëjtin emër, KK Kumanovo në kuadër të xhiros së katërt në Balkan League.

Pejanët në dy takimet e para, pak edhe në mungesë të fatit, kanë pësuar dy humbje gjë që ka ndikuar tek klubi verdh e zi në mobilizimin e skuadrës duke bërë tashmë edhe një përforcim në pozitën qendër aty ku pejanët kishin zbrazëti.

Skuadra e Pejës së fundi në ndeshjet ETC superligës së basketbollit, ka pasur paraqitje mjaft të mirë duke shënuar hiq më pak se 223 pikë në vetëm dy ndeshje, ndaj Dritës dhe Kastriotit. Mirëpo, një formë të tillë ekipi pejan po ka vështirësi ta bart edhe në garat e Balkan League.

Sido qoftë, në prag të ndeshjes ndaj Kumanovës, brenda ekipit pejan ka mbretëruar një atmosferë mjaft optimiste në kërkim të fitores së parë në garat ndërkombëtare. Njëri ndër basketbollistët me në formë në ndeshjet e fundit të Pejës, Drilon Hajrizi ka thënë se cilësia e ekipit pejan është e një niveli mjaft të lartë dhe këtë do ta dëshmojnë në vazhdim.


“Jemi përgatit maksimalisht për këtë ndeshje. Mund të them se e njohim mjaft mirë kundërshtarin , dhe duke pas parasysh cilësinë e ekipit tonë mendoj se jemi një hap para tyre. Besoj se këto cilësi do t’i tregojmë edhe në parket nga ku presim të dalim me rezultat pozitiv” ka thënë Hajrizi.

Për pejanët në këtë ndeshje do të paraqitet edhe përforcimi i ri kroati Teo Simovic, i cili në ndeshjen e fundjavës pati një paraqitje solide.

Kujtojmë se javë më parë ekipi i Sigal Prishtinës kishte debutuar me fitore pikërisht në Kumanovë. Megjithatë, zyrtarët si dhe basketbollistët e ekipit bardh e kaltër nuk ishin nda aspak të kënaqur si me pritjen ashtu edhe me sjelljen e zyrtarëve të klubit maqedonas. Ndeshja zhvillohet sot duke filluar nga ora 17:30. /Zëri/Telegrafi/