LAJMI I FUNDIT:

Papërgjegjësia profesionale i ka fajet

Para disa jave, në një ndejë me njërin nga ndërmarrësit kosovarë më të suksesshëm në Londër, Isko Ajdinin (maherin nga Prishtina), u hap biseda e përgjegjësisë profesionale. Ai shpjegonte se si kur ta marrë një punë përsipër nga klienti, “patjetër e kryen sipas marrëveshjes, bile edhe para skadimit të afatit (pa marrë parasysh sfidat, edhe nëse duhet punuar 24 orë në ditë)”. Dhe “nëse për çfarëdo arsye projekti nuk kryhet sipas etapave të parapara, atëherë personi (punëtori) përgjegjës për dështime në atë pjesë të projektit jep përgjegjësi, duke mos përjashtuar suspendimin, bile edhe largimin nga puna. Ose ai vetë e merr përsipër ose përgjegjësia i kalon tjetrit, por projekti duhet kryer sipas marrëveshjes dhe pikë”.

Zaten, kështu thuhet edhe në të gjitha librat e ekonomisë dhe menaxhimit. Derisa nuk qartësohet përgjegjësia (të dihet se kush për çka është përgjegjës) motivimi për punë dhe efikasiteti do të mungojnë.


Nuk besoj se këtë mesele nuk e dinë qeveritarët tanë (sidomos këta që veten e marrin për të ditur). Andaj, nuk e kam të qartë pse marrin aq shumë këshilltarë, qofshin edhe ata ndërkombëtarë, dhe në fund nuk i dalin zot premtimeve të dhëna. Për të mos i numëruar të gjitha premtimet që na i dhanë, se lista është e shumë e gjatë – jo vetëm ato të “politikës së lartë” të tipit “jo në shtatorin e këtij e viti”, “jo në shtatorin e atij viti Kosovën do ta anëtarësojmë në OKB” – por, edhe premtimet për projektet e ndryshme të infrastrukturës dhe ekonomisë, qofshin ato nëpër komuna apo nëpër ndërmarrjet e ndryshme publike, si PTK apo KEK etj.

Dhe, është për t’u habitur se si askush nuk bëhet përgjegjës për të gjitha këto dështime. Të gjithë e arsyetojnë veten dhe akuzojnë tjetrin. Bile më bëjnë të qeshem disa që tashti së voni kanë filluar ta akuzojnë UNMIK-un për dështime. Shumë nga ata janë “fatosat e UNMIK-ut”, ata të cilët atëherë kur me të vërtetë duhej të kritikohej UNMIK-u për keqqeverisje, ishin pikërisht ata (fatosat) që e mbronin UNMIK-un pa kompromis, sepse ose si udhëheqës të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse ishin partnerë (ortakë) me “unmikasit”, ose ishin të punësuar në UNMIK (apo merrnin donacione apo tenderë të majmë nga ata. Dhe, neve që e kritikonim UNMIK-un nuk përtonin të na shpallnin edhe ksenofobë.

Afera e shkarkimit të kreut të KEK-ut, Arben Gjukaj, për shkak të “gabimeve në faturim”, është aq “shtos i killavtë” (siç kishin për të thënë kullerat) sa që nuk të bën as të qeshesh. Si është e mundur të ketë aq shumë protesta nga qytetarët, e personat përgjegjës flasin “muhalife”. Habitem me kryeministrin që nuk reagoi deri tani, edhe duke e njohur karakterin e Thaçit, por edhe nga fakti se si “shef i krejt shefave” që është, përgjegjësia së fundi i bie atij mbi supe.

E kam parasysh faktin se për disa dështime të cilat janë në projektet fragjile nuk mund të reagojë aq lirshëm, ama në kësi dështime banale mos reagimi në kohë i kryeministrit është krejt i paarsyeshëm.