LAJMI I FUNDIT:

Pak shkronja për nënën

“Nëno moj të ra dëshmor” (Fan Noli)

Tridhjetë e gjashtë shkronja të Kongresit të Manastirit janë pak për të përshkruar nënën dhe dashurinë e saj për jetën. Një alfabet krejt unik do të duhej për sakrificën e saj. Fëmijët në gëzim e dhimbje fjalën e parë e kanë; nëno moj.


Një shënim për nënat nuk mjafton kurrë. Një roman për nënën sa e sa herë është shkruar, dhe kurrë nuk ka mjaftuar Fjala e parë në jetë ka qenë nënë dhe nëno ka mbet. Asaj, pjesë jete i mbeti ballafaqimi me vdekjen, në çdo orë e në çdo ditë.

Edhe në luftën e fundit në Kosovë, nënës i mbeti barra më e rëndë, ajo e jetës dhe e vdekjes. “Kur lind vajzë, gëzohet gjithë natyra, ndërsa kur lind djalë vetëm kulmi i shtëpisë”, thotë një këngë popullore.

Nëna e këtij shënimi mund të jetë nga cilido fshat a krahinë, nga cila do pjesë e Kosovës.
Atëherë kur luftohej çdo ditë për jetën, edhe atëherë kur nuk i dinte shkronjat, ajo mbajti gjallë fijet e jetës. Ajo kurrë nuk e bëri hesap mortin. Edhe atëherë kur vdekja ia mori zemrën pjesë-pjesë, nuk njohu fjalën dëshpërim. Lotin e konsideronte dobësi. “Vetëm kur mësohesh me punue, ti din me jetue”, thoshte nëna.

Ajo mundë të kishte veç një emër; nëna e jetës

Shënimi për jetën mund të fillonte me emrin e saj. Në çdo mëngjes është zgjuar me një të vetmin qellim; si të mbajë gjallë fëmijët deri sa të perëndojë dielli. Ajo diti ta ruaj zjarrin. Ajo duke lidhur agimet me zjarr mbajti gjallë farën e jetës.

Pastaj, nën saç, pritej të piqej buka që shumë herë nuk kishte më çka të gatuhej. Shumë herë edhe përralla shërbeu si ushqim. Gjumi jo rrallë shërbeu si shpëtim nga vuajtjet. Kaloi edhe një ditë.

Pak hithra apo lakra ishin të mjaftueshëm edhe për një ditë jete më tutje. Peta nëse nuk është djegur, lakror do të ketë edhe një ditë. Kështu errej e zgjohej një nënë , diku në një pjesë të Kosovës. Nuk ka rëndësi as emri e as fshati i saj.

Nëna mbeti e para në frontin e luftës për jetë. Nëna e këtij shënimi, betejën e jetës e zhvillonte përditë, në çdo orë, në çdo minutë. Edhe atëherë kur njeriu ynë e ka pritur të huajin, si më të dashurin, si mbinjeri, pa menduar kurrë kush është,pse është,çka fshihet në fshehtësi, çka mundet në pamundësi, nëna ruajti fijet e jetës, pa u trembur.

Tre vjet thatësi

Shumë kush nuk ka idenë, pse nëna e këtij rrëfimi, derisa e tradhtuan këmbët, nuk mund të largohej nga shtëpia pa një copë bukë. Tri vjet, thonë nuk kishte rënë shi. Timat, atje shumë herë i ka djegur dielli. Nëse vonohej shiu edhe hëna dëmton të mbjellat, thoshin vendasit si për mahi. Jeta ishte aty. Fëmijët ishin aty. Edhe vdekja ishte po aty. Lufta për mbijetesë zhvillohej përditë aty.

Pak mill, qoftë edhe hua , për të bërë një petë. Petën me duar e saj e vendoste në fund të tepsisë. Mbi te lakrat apo hithrat. Fëmijët duhet të hanë aty, por peta duhet të mbetet, mendonte deri në pafundësi. Ashtu edhe mbetej peta derisa digjej, dhe atë nuk mund ta hante më asnjeri.

Ditët e netët e tilla zgjasnin. Thatësia sikur nuk po mbaronte kurrë. Fëmijët ishin mësuar se peta nuk hahet, megjithëse ishin të uritur. Një fëmijë, një ditë nuk u zgjua nga gjumi. Kish vdekur loçka e nënës. Cili ka mbetur pa ngrenë? As kjo nuk ka rëndësi. Dita tjetër agon pa fëmijën tjetër. Kishte vdekur edhe një copë zemre e nënës.

Nëna e jetës përditë i caktonte vetës detyrë për të mbajtur në jetë fëmijët. Kishte vdekur edhe fëmija i tretë një ditë. Nuk ka rëndësi a vdiq ai para agimit apo pasi filloi të ngryset.
Nëna e jetës varroste fëmijët e vetë, një nga një. Dorëzimi, për te ishte fjalë e pa njohur.
I vdiqën tri pjesë zemre, tri pjesë jete. Nëna e jetës, para syve kishte edhe tre fëmijë të tjerë. Dy vajza e një djalë ia kishin dal të mbijetoni pa ngrënë petën e lakrorit. Nëna e jetës kishte ngadhënjyer mbi vdekjen.

Në vitin e katërt, bora ia behu para shiu. Në vjeshtën e vonë apo në pranverën e hershme pak kush pati ndonjë kokërr fare për ta hedhur në arë. Mbolli dikush, tha nëna e jetës, e cila do të priste farën vetëm nga teprica e mundshme në vitin tjetër. Ajo kurrë nuk shihte ëndrra në pik të ditës. U martua dhe djali. Nusja lindi dy vajza e gjashtë djem. Nëna e jetës martoi edhe dy vajzat.

Rapsodët, Salih e Feriz Krasniqi kanë kënduar në të gjashtë dasmat e nipërve të nënës. Nëna priti të martojë edhe djalin e djalit të djalit!

Dy javë para Shën Gjergjit ditëlindjen

Nëna e jetës nuk ishte sëmur kurrë.
Edhe pasi martoi gjashtë djemtë e djalit nuk e pa askush të mos punonte. Një copë buke mbante të lidhur në shami për brezi. Nipërit e thërrisnin “nëna e bukës”. Kushdo që ta ketë takuar, lirisht ka mund të kërkojë bukë prej saj. Jo rrallë, ajo u ka shtruar bukë edhe atyre shtegtarëve të panjohur që kanë rastisur andej.

Edhe kur apoteoza e misrit u harrua, nëna nuk dilte asnjëherë nga shtëpia, pa një copë bukë të mbështjellë në shami. Për askënd që e ka njohur, nuk ka qenë befasi, kur nëna e këtij rrëfimi ofronte një copë bukë. Hajde, hajde, tash duhet ushqyer fëmija.

Ajo nuk kishte kohë për fjalë. Ajo u bë sinonim i jetës. Ajo nuk ka ditur kurrë për datëlindje. Dy javë para Shën Gjergjit.. Nuk ka as datë të vdekjes. Dy javë pas Shën Mitrit.

Kur dimri mbërthente natyrën, ngrohtësia e zjarrit të nënës bëhej më e fortë se acari.
Edhe si vajzë kur po thurte me dorë gjithë veshën e trupit, nga të mbathurat e deri te qilimat, kish pandeh se për të rritur fëmijët do t’i duhen. Ajo kishte deshifruar kodin e jetës.

As në skamje, as në thatësi, as me pushtuesin e vjetër e as me të riun, ajo nuk njohu ligështi. Thellë në shpirtin e saj ngrohtësia nuk shtirrej kurrë. Tjerrja dhe thurja e rrobave për të lidhur pranverën me pranverë zëvendësonin diellin në dimër, kur vetëm pisha nënën shoqëronte.

Agimet e reja shumë u përplasen me ritmin e vekut të nënës që nuk kish fjetur. Çejzi i saj lidhi penjtë e jetës. Ajo fitoi luftën kundër mortit, do të thoshte Kadare.

Njeriu duket ndonjëherë i egër e ndonjëherë i butë. Besimi dhe mos besimi janë krijuar nga vetë njeriu. Brenda njeriut gjithmonë jetojnë dy botë, plotësisht të kundërta; edhe njeriu edhe djalli vetë.

Urtësia dhe egërsia përherë jetojnë bashkë. Njeriut i mbetet vetëm të zgjedhë.
Nëna kishte zgjedhur dhe ia kishte dalë. Rrëfimi për “nënën e bukës”, atje diku në Kosovë, jeton edhe sot.

P. S.
Janë këto vetëm pak shkronja nderimi në letër, për nënat tona,të cilat ia dolën edhe në luftën e fundit. Askush të mos mashtrohet, se nuk ka fjalë që mund ta përshkruaj sakrificën e nënës për fëmijën.