LAJMI I FUNDIT:

Pacolli: Radhën e ka njohja nga Katari, pastaj nga Kuvajti

Pacolli: Radhën e ka njohja nga Katari, pastaj nga Kuvajti

Pas Jordanisë, Katari e ka në rend të ditës njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka thënë të mërkurën në një intervistë për Radio Dukagjinin, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Madje, sipas kreut të AKR-së, ky shtet tashmë e ka të gatshme edhe notën verbale për njohjen e Kosovës.

Pacolli në këtë intervistë ndër të tjera ka paralajmëruar se deri në fundvit do të sjellë 20 njohje të reja të Kosovës.

“Njohja nga Mbretëria e Jordanisë është tejet e rëndësishme. Kjo do të pasojë shumë shpejt edhe me njohje nga disa shtete duhet veçuar Katarin, që e ka në rend dite njohjen e Kosovës, apo më mirë të them e ka të gatshme notën verbale të njohjes. Këtu nuk bën përjashtim edhe Kuvajti”, është shprehur Pacolli

Ai ka potencuar se tash është fokusuar në fushatën e tij diplomatike në Amerikë dhe Afrikë. Pacolli ka shtuar se gjatë këtyre ditëve do të mbahet konferenca Organizatës së Shteteve të Caricomit, ku ai do të paraqesë kërkesë zyrtare për njohje në bllok.


Ndërkohë duke u përgjigjur se sa është optimist se Kosovën deri në fund të vitit do ta njohin numër i mjaftueshëm shtetesh, në mënyrë që të sigurohet ulësja në OKB.

Pacolli ka theksuar se sikur ti kishin koordinuar veprimet me institucionet, numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën deri në fundvit do të ishte 130. “Me mundimin tim, me koston time dhe çdo gjë të organizuar vetëm nga unë, mendoj se do ti mbledh frutet e njohjes deri në fundvit edhe të 20 shteteve të tjera” ka përfunduar Pacolli. /RTVD/Telegrafi/