LAJMI I FUNDIT:

Organizohet BarCamp Prizren #16

Organizohet BarCamp Prizren #16

Edicioni i gjashtëmbëdhjetë i BarCamp Prizren do të mbahet më 05 Mars 2015 duke filluar prej orës 18:00 në CultBar. BarCamp Prizren organizohet nga OJQ THY ndërsa mbështetet nga Fondacioni IPKO.

BarCamp Prizren është një ngjarje joformale që përkrahet nga komuniteti dhe në mes tjerash i jep shumë rëndësi debatit interaktiv ndërmjet folësit dhe pjesëmarrësve.

Ky eveniment ka për qëllim të i motivoj pjesëmarrësit që të marrin pjesë në një epokë të re të lidershipit dhe të nisin ndryshime pozitive në shoqëri. Me integrimin e biznesit, teknologjisë dhe temave sociale në një vend, këto ngjarje joformale ofrojnë vendin ideal për ndarje të ideve, zgjerim dhe krijim të lidhjeve të reja shoqërore.

Gjatë edicioneve të kaluara, BarCamp Prizren ka arritur të sjellë pranë jush folës eminent me tema inovative dhe ka krijuar një komunitet që nxitë vlera të mira dhe ide kreative mes qytetarëve të Prizrenit. Edhe këtë edicion tentojmë ta vazhdojmë këtë me folësit në vazhdim:

Ramadan Klisurica, aktivist i shoqërise civile, i cili vijon studimet për PhD në Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Turqi, me përvoje profesionale dhe ekspertizë në Qeverisje Lokale dhe Qëndrore, Zhvillim dhe Analiza Politike, Shoqëri Civile, Pjesëmarrje Civile, Informim Publik etj. Ramadani do të flasë për aktivizmin qytetar në komuna, duke prezantuar funksionimin e pushtetit lokal dhe kompetencat e tij, çështjet në të cilat qytetarët mund të marrin pjesë e të ndikojnë. Poashtu si mund te marrin pjesë e ndikojnë, si pjesë e aktivizmit qytetarë, të gjitha këto të ilustruara me shembuj të ndryshëm. Në këtë edicion të BarCamp Prizren’it, Ramadani do të ndajë me ne përvojat e tij të shumta nëpër institucione të ndryshme të vendit.

Ditar Kabashi, aktivist i shoqërisë civile në Prizren. Vijon studimet e nivelit Master në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Kabashi, që një kohë të gjatë është pjesë e aktiviteteve nga më të ndryshmet në qytet si dhe organizator i një numri të madh të evenimenteve, veçanërisht të sferës kulturore. Ditari do të flasë rreth praktikave të aktivizmit qytetar në bazë të aktiviteteve konkrete nga përvoja e vet disa vjeçare.

Taulant Hoxha është një aktivist i shoqërisë civile nga Prizreni, i cili aktualisht është i angazhuar në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile në Prishtinë. Një nga nismat e tilla ka qenë ajo në lagjen Dardania në Prizren, në kundërshtim të një vendimi të Komunës së Prizrenit për ndërtimin e ndërtesave kolektive në këtë lagje. Pas vendimit të Komunës së Prizrenit në muajin prill 2009, Taulanti ka organizuar banorët e lagjes për të shfrytëzuar të drejtën e peticionit dhe të ankesës në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Avokatin e Popullit. Pas mungesës së reagimit të Komunës, banorët e lagjes kanë paraqitur këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila në fund të vitit 2010 ka vendosur në favor të tyre. Ky rast mbetet i vetmi në Kosovë kur qytetarët kanë rrëzuar një vendim të institucioneve publike për shkak të mungesës së përfshirjes së tyre në marrjen e vendimit. Gjatë sesionit të BarCamp në Prizren, Taulanti do të ndajë me pjesëmarrësit përvojën e tij gjatë këtij rasti.

Për të gjithë ata që vijnë me kohë do të ketë pije falas. Mbështetës medial janë: Telegrafi.com, Digjitale.com dhe GazetaOra.com.