LAJMI I FUNDIT:

Opozita kundërshton ndryshimet në rregulloren e Kuvendit

Opozita kundërshton ndryshimet në rregulloren e Kuvendit

Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi të martën pa praninë e opozitës, ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Këto ndryshime parashikojnë ndëshkimin me pezullim për tre javë të çdo deputeti, në rast se uzurpon për tre minuta foltoren gjatë seancës parlamentare.

Gjatë punimeve të Komisionit, deputeti socialist Pandeli Majko e cilësoi këtë një traumë me tepër dhe tha se këto ndryshime të rregullores nuk e zgjidhin krizën. Ndërkohë, kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Ilir Rusmajli deklaroi se opozita kërkon të bllokojë Parlamentin. Pas debateve, deputeti Pandeli Majko u largua nga punimet e këtij komisioni. Me rregulloren e re parashikohet edhe zhvendosja e kohës së debateve në 60 minutat e fundit të seancës.

Deputetet e mazhorancës ne Komisionin e Ligjeve miratuan, gjithashtu, nen për nen edhe projektvendimin për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Sipas këtij vendimi, marre nga modeli gjerman, deputetët heqin dorë vullnetarisht nga imuniteti edhe pa ndryshuar Kushtetutën.

Opozita, e cila nuk mori pjesë në këtë votim, një ditë më parë gjatë diskutimit në parim të këtij projekt vendimi e cilësoi këtë nismë antikushtetuese dhe te pavlerë ligjore.


Deputeti Fatmir Xhafaj tha se ky ishte një kurth politik i mazhorancës për të dështuar hetimin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Ai tha se në rast të një gjyqi, avokatët mund ta rrëzojnë këtë nismë në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/