LAJMI I FUNDIT:

Opera e parë në Tetovë

Opera e parë në Tetovë

Qyteti i Tetovës ka bërë një hap të madh në historinë e skenës artistike. Premiera e operës komike "Rita" nga kompozitori i njohur Donizetti ka shënuar inskenimin e parë të një opere në këtë qytet.

Në organizim të shoqatës “Akapella” dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, kjo ngjarje e pritur prej kohësh më në fund u realizua, kanë thënë organizatorët.

Në rolin e solistëve u paraqitën sopranoja Donika Ukshini duke personifikuar Ritën, tenori Riad Ymeri në rolin e Beppes dhe baritoni Ernest Ibrahimovski në rolin e Gasparos. Pjesëtarë të orkestrës së operës maqedonase kanë shoqëruar solistët në interpretimin e tyre, ndërsa vepra është dirigjuar nga maqedonasi Tomisllav Shopov.

Regjia e kësaj opere është bërë nga bullgari Rumenko Ljubomir Neikov, i cili në veçanti ka lavdëruar përgatitjen e solistëve kosovarë. Interpretimi i solistëve dhe inskenimi i kësaj opere në përgjithësi është mirëpritur nga publiku dhe para së gjithash edhe nga profesionit të respektuar.


Kompozitori Rauf Dhomi e ka cilësuar inskenimin e kësaj opere të një niveli evropian. Pjesa muzikore e veprës është interpretuar në gjuhën italiane, ndërsa loja me fjalë në mes të artistëve është realizuar në gjuhën shqipe.

Solistët nga Kosova, Donika Ukshini dhe Riad Ymeri, kanë treguar se bashkëpunimi në mes tyre ka qenë i frytshëm. Ata kanë folur edhe për sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë përgatitjes së roleve. Derisa baritoni Ernest Ibrahimovski, i cili nuk e njeh gjuhën shqipe ka treguar se kolegët e tij shqiptar i kanë ndihmuar shumë në përvetësimin e tekstit.

Një nga organizatorët dhe iniciatorët e këtij projekti, Arifikmet Xhemaili, ka treguar se puna për këtë realizim ka nisur 7 muaj më parë ndonëse dëshira për një gjë të tillë ka ekzistuar shumë kohë më parë. Xhemaili ka treguar se bashkë-organizator dhe meritor për këtë projekti është edhe Bajram Çupi, i cili për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë mbrëmje. /ktv/telegrafi/