LAJMI I FUNDIT:

Oketa kërkon shpalljen non-grata të konsullit grek

Oketa kërkon shpalljen non-grata të konsullit grek

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa kërkoi të mërkurën në Komisionin e jashtëm parlamentar shpalljen e konsullit grek në Korçë, Theodhoro Ikonomus person “non grata” në Shqipëri.

Oketa kërkoi që Ministria e Jashtme të marrë masa pas deklaratave të konsullit se në Korçë ka grekë dhe thirrjeve të tij që qytetarët atje të deklarojnë kombësinë dhe të regjistrohen si grekë.

Kryetari i Komisionit të jashtëm parlamentar, Fatos Beja kërkoi që të bëhet kujdes me deklaratat sepse sipas tij, duhet të ruhen edhe marrëdhëniet me shtetin grek.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu tha se deklaratat e konsullit grek janë personale dhe se kjo çështje është diskutuar në takimin e mbajtur në Ministrinë e Jashtme me ambasadorin grek në Tiranë, Nikos Pazios. /Telegrafi/