LAJMI I FUNDIT:

OEK: Procesi i Berlinit të merret seriozisht

OEK: Procesi i Berlinit të merret seriozisht

Procesi i Berlinit duhet të merret me një qasje serioze pasi është i rëndësisë ekonomike strategjike, është mundësi që përmes kontributit në këtë proces të përmirësohet imazhi dhe që Ballkani të jetë pjesë e procesit e jo barrë e procesit, u tha gjatë konferencës së mbajtur sot në Prishtinë kushtuar Procesit të Berlinit, sfidat dhe mundësitë të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, tha se procesi i Berlinit është perspektivë dhe një mundësi, por nuk është shkop magjik për të bërë ndryshime. Ai ka shtuar se duhet të ketë dialog, partneritet dhe të avancojnë bashkëpunimin, raporton Ekonomia Online.

“Kosova duhet të jetë pjesë e përmbushjes së kritereve dhe vet fakti që mbështetet nga Gjermania, Britania, kjo e dëshmon seriozitetin e këtij procesi. Në Kosovë jemi duke prodhuar më shumë agjendë politike se sa ekonomike, dhe kjo dëshmohet me mos prezencën e ministrit të Zhvillimit dhe të Tregtisë”, ka thënë Gërxhaliu.


“Procesi i Berlinit është një proces, i cili ngërthen në vete dialog, komunikim, partneritet dhe mbi të gjitha të përdoret si mekanizëm i eliminimit të barrierave dhe si mekanizëm i zhvillimit ekonomik. Nuk ka ardhmëri pa plotësim të kritereve për anëtarësim në familjen evropiane dhe nuk ka alternativë tjetër për të avancuar zhvillimin ekonomik”, ka shtuar Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se nuk duhet që fati i proceseve integruese të jetë vetëm dëshirë e popullit, por të përmbushen kriteret.

“Në Ballkan po bëjmë shumë më tepër për të zbukuruar të kaluarën, sesa për të ndërtuar të ardhmen. Duhet të kuptohet që bashkëpunimi ekonomik i ka dhënë efektet e veta Evropës. Procesi i Berlinit të merret me një qasje serioze, sepse ky proces është i rëndësisë ekonomike strategjike, është mundësi që përmes kontributit në këtë proces të përmirësohet imazhi në mënyrë që Ballkani të jetë pjesë e procesit e jo barrë e procesit”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se biznesi dhe ekonomia kanë bërë hapa shumë më të avancuar se politika.

“Kemi pas të paraparë që në takim të kemi përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore, por sido që të jetë, duhet të ndahet shteti nga pushteti dhe pushteti duhet të jetë në funksion të shtetit. Zhvillimi ekonomik është mekanizmi i vetëm përmes të cilit të arrihet stabilitet ekonomik, politik, social dhe përmirësim të imazhit”, tha ai.

Berat Rukiqi nga OEK-u tha se procesi i Berlinit është qëllimi i përbashkët, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal mbetet parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Procesi i Berlinit është një momentum i krijuar pas krizës ekonomike në BE, tensionet dhe jostabiliteti politik në Ballkan, problemet ekonomike në të gjitha vendet e Ballkanit. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë probleme ekonomike siç është problemi i papunësisë. Dimensionet e këtij procesi janë dimensioni politik, siç është takimi i ministrave, ku diskutohet pjesa e shtensionimit të raporteve politike që kanë pasoja ekonomike. Dimensioni ekonomik që ka për qëllim lidhje më të mira të transportit dhe çështje të energjisë. Dimensioni social siç edhe e kemi Zyrën për bashkëpunim rajonal në mes të rinjve”, tha Rukiqi.
Sipas tij, sfidat në këtë proces janë forcimi i elementit nacionalist në Ballkan dhe tensionet bilaterale, jo stabiliteti polik, mungesa e një vizioni të qartë për zhvillim ekonomik, mungesa e mekanizmave implementues të projekteve të rëndësisë ekonomike, përfshirë infrastrukturën dhe energjinë, paqartësia në politikat e BE-së.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi, tha se është bërë një forum unik, i cili ka dhënë rezultate të prekshme.

“Kosova dhe regjioni kanë krijuar komunitete, investime. Ky proces ka dhënë shtytje për reforma të rëndësishme politike dhe regjioni ka përfituar ndihmë të madhe në BE për energji, transport të cilat ndihmojnë rritje ekonomike. Gjithashtu Kosova ka përfituar edhe projektin e ujit dhe rehabilitimin e rrjetit të hekurudhave të Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/