LAJMI I FUNDIT:

“O sa mire me qene… tradhtar“

Kur patriotët janë në pushtet, të gjithë të tjerët janë të dyshimtë. Patriotizmi është plaf me të cilin mbulohen qeveritarët kur opozita kërkon rezultate. Por, edhe opozita shpesh vishet kuq e zi kur e kritikojnë për mungesë vizioni apo organizimi.

Kurdo, kur politika bëhet impotente, këndej apo andej shfaqen akuzat për tradhti.

Tradhtar, klithë gruaja e cila sapo është ndarë nga krahët e të dashurit. Tradhtare akuzon burri me gjurmët e buzëkuqit në qafë. Tradhtar akuzon portieri që e ka shitë lojën. Tradhtar akuzon pensionisti që ia kanë vonuar pensionin. Tradhtar klithë hoxha që pi rakinë tinëz. Tradhtar klithë prifti që prishë celibatin. E minoritetet kur bashkëpunojnë me shtetin…

E kur jemi te tradhtia, krejt puna është me ja pritë përpara. Çështje taktike! Si po duket, këto janë rregullat e pashkruara të këtij “biznesi”. Se për dikën është bërë biznes. Etiketo e fito! Gërvisht e fito.

Një anekdotë tregohet në popull: Dy gra me moral të dyshimtë takohen rastësisht në rrugë. Njëra prej tyre, kur e pa rivalen e vet, atë e kapi një shqetësim i arsyeshëm. Tash ka me më sha, mendoi me vete. Ma mbaj djalin, i kërkoi ajo vjehrrës së saj. Duhet me ja pritë përpara. Edhe ia priti. E shau e para. Lavire, moj lavire – i tha.

Me kot pastaj ajo tjetra përpiqej me i thënë ”edhe ti je lavire”. Ishte vonuar. Nga zhurma e krijuar në lagje askush nuk i dëgjonte arsyetimet e sajë.

Kërkoj ndjesë për fjalorin. Fjala lavire është shprehje jashtë bontonit. Thuhet se shpreh zanatin më të vjetër në botë. E fjala prostitutë, që tingëllon më profi, në kohën e zhvillimit të kësaj anekdote ende nuk ishte e zakonshme ndër kombin tonë të lavdishëm. Edhe pse, me gjasë, zhvillohej si “biznes”, askush nuk krenohej me këtë. Zhvillohej prapa mureve të larta. Prapa perdeve të trasha.

E tash?

Tash edhe në nivel ndërkombëtar jemi bërë të famshëm, bashkë [ me disa popuj të tjerë.
Profesori Shinasi Rama, nga Universiteti i New Yorkut, në një tryezë për tranzicionin e dështuar shqiptar, të mbajtur para do kohe në Prishtinë, e përmendi shifrën prej mbi 100 mijë prostitutash të cilat kombi ynë i lavdishëm dhe antik ia fali Evropës. Është fjala për “biznesmene” që operojnë pranë autostradave dhe lokaleve të natës. Thjesht në rrugë. Nuk paguajnë tatim. Duke u ndodhur në dilemë mes moralit kooperativist dhe “biznesit”, ato zgjodhën të ikin nga idila rurale apo e lagjeve paraurbane.

Zgjodhën?

"Stelës" padronët e saj i patën gdhendur mbi stomak një fjalë: kurvë. Ishte e bukur Stela, shumë e bukur, por kish vetëm një "të metë": e rrëmbyer në Shqipëri dhe e prurë në Itali, kundërshtonte të dilte në trotuar”. Kështu shkruante autorja e letrës drejtuar kryeministrit miliarder italian, i cili po shprehej pakujdesshëm për bukurinë shqiptare. Kryeministrit italian homologut të tij patriot nga Shqipëria po i jepte komente të pashije për bukuroshet shqiptare në Itali, dhe ai po e merrte këtë si një nga sukseset e politikës së qeverisë së tij. Po pra.

”Nuk është me rëndësi çka shet, por sa”!

Përndryshe, kjo shifër alarmante prostitutash, (keq)përdoret si argument i fuqishëm për me i aplikua mbulesat. Për me aplikua shtrëngesat gjinore. Me jetua shëndetshëm – po thonë. Mos me të prek kush.

Ministri po na mbron. Me riformulua urdhëresën, tash e tutje mjekët meshkuj munden me i prekë veç meshkujt. E femrat, veç femrat. E mjeket femra, a kanë të drejtë me i shërua meshkujt? Kjo mbetet e paqartë. Meshkujt nuk janë ankuar. Po mjeket e mbuluara, a janë të obliguara të shërojnë meshkujt? Çka thotë Betimi i Hipokratit?

Demitizim i motiveve të studentëve të mjekësisë? Ata paskan ëndërruar veç me na prekë. Meshkujt edhe femrat. Kur i kanë filluar studimet e mundimshme të mjekësisë, kjo paska qenë ëndrra e tyre: me e prek dikën e jo me e shërua. Rrofsh ministër. Tash e kuptuam.

Por, edhe pse kjo ngjanë shumë me politikën, politika megjithatë nuk është tema e javës. Politika është një “prostitucion” i llojit tjetër. Pa mbulesë apo me mbulesë. Kur fillon gara është vështirë me e ruajt burrërinë. Privilegjet që ofron politika, përfshirë edhe tenderët dhe infrastrukturën, janë një grep në të cilin bien me babëzi peshqit e mëdhenj e të vegjël të partive tona. Madje edhe peshqit e pavarur. Kur jemi te fjala burrëri, i lus feministet të mos më kapin për fjale. Në këtë rast fjala burrëri nuk ka kuptimin e zakonshëm maskulinist.

Nejse, të kthehemi te taktika “me ja pritë përpara”. Ai që ja pret përpara, nga publiku ynë zakonisht perceptohet si në rregull, për kundër dyshimeve të rastit. Pastaj vjen zhurma e përgjithshme kur askush nuk e dëgjon askënd. Në lagje apo Parlament bëhet tollovi. Mbahet mend veç kush shau i pari.

Kjo taktikë përdoret shpesh edhe në fushat e tjera. Kohëve të fundit po përdoret shumë në politikë. Nëse fjalën lavire e zëvendëson me fjalën tradhti dhe tradhtarë, shpaloset taktika e njëjtë: me ja pritë përpara.

Kështu ngjajnë akuzat për tradhti me pretekst te takimet me zyrtarë të Serbisë. Disa akuzohen të kenë ngrënë suxhuk. Disa të jenë mbuluar me batanije. Disa të kenë shtrënguar duart rastësisht nëpër konferenca rajonale apo kontinentale. Disa të jenë takuar në kampe ushtarake.

Kjo i ka edhe të mirat e veta. Askush më nuk i merr seriozisht këto akuza pa fund të politikës dhe rrjedhimisht e ulë ndikimin e konspiracionit serb në skenën politike të vendit. Por, kjo logjikë nuk është e re. Kështu ishte edhe para lufte, por edhe gjatë saj. Njerëzit e paditur i akuzonin për tradhti qytetarët që këmbenin markat me dinarë, apo stërshitësit e benzinës si tradhtinë më të lartë. Edhe ata që rregullonin dokumente si ndërmjetës. Dokumente të domosdoshme për me lëvizë. Në ndonjë zonë operative madje edhe pylltarët dhe lexuesit e orëve të rrymës paraqisnin personat me rrezikshmërinë më të lartë për çështjen e kombit. Madje disa prej tyre e kishin paguar me kokë. Kaq arrinte të kuptonte kreu “ushtarak” lokal. Madje edhe qendror.

Tash kjo është bartë në Parlament edhe opinion, duke pasur parasysh se shumë nga këta strateg lokal kanë marrë përmasa kombëtare. Kanë bërë para dhe pushtet. Të shajnë qysh të donë.
Nuk ka të sharë më të rëndë. Populli i lashtë, i mësuar me keqtrajtime të tilla publike e jopublike ka gjetur qasje të urtë. Filozofi popullore që i ka rrënjët në pafuqi dhe mbijetesë.

Me të sha me nënë – thonë e përpinë diqysh. Mundesh me i këqyrë si babë. Me të sha me motër – e këqyr si dhëndër. Edhe në grua me të prek – thua ndoshta kam lënë mangët diçka. Por, tradhtar me të thanë… është kulmi. S’ke kah ja mban. Duhet me thanë: ma mbaj djalin, t’ia pres përpara. Recetë e provuar.

Me rëndësi është mos me qenë shqiptar. Të tjerët nuk janë të dyshimtë.

”O sa mirë me qenë… tradhtarë”. Donacione sa të duash. Publicitet sa të duash. E nëse je shqiptar kurrkush nuk të ka faj. Je i dyshimtë. Kështu ka qenë gjithnjë. Kjo pra është një lojë ku përfitimet janë të sigurta. Veç duhet me pas diçka parasysh: Me ia pritë përpara! As mos dyshoni: kur “patriotët” janë në pushtet, të gjithë të tjerët janë të dyshimtë.

Sidomos qytetarët…!