LAJMI I FUNDIT:

‘O paratë, o s’luajmë!’

‘O paratë, o s’luajmë!’

Pikë po, para jo. Përkundër nëntë fitoreve radhazi, xhirollogaritë bankare të futbollistëve gjakovar vazhdojnë të jenë bosh. Lojtarët e Vëllaznimit tash e gati gjysmë muaji, janë në pritje të pagës së tetorit. Të pakënaqur me gjendjen e krijuar, ata kanë kërcënuar që nuk do të udhëtojnë për të zhvilluar ndeshjen ndaj Ulpianës, në kuadër të Kupës së Kosovës.

Një gjë të tillë e bëri të ditur një futbollist i ‘kuqezinjve’, në kushte anonimiteti. “Kryesia e klubit na ka vonuar pagën e fundit dhe normalisht që nuk jemi të kënaqur. Do të kemi një diskutim nesër në drekë, para ndeshjes me Ulpianën dhe aty do të vendoset gjithçka. Nëse na japin pagat do të luajmë, në të kundërtën nuk do të udhëtojmë fare. Ky është qëndrimi ynë përfundimtar dhe u jap fjalën që nuk do të lëshojmë pe. Është turp se si një skuadre që i fiton nëntë ndeshje radhazi, i vonohet paga për një muaj”, deklaroi ai.

Ndryshe, futbollistët gjakovarë kanë dalë në grumbullimin e të martës, ku i kanë sqaruar gjërat me kryesinë e klubit. /Tribuna/Telegrafi/