LAJMI I FUNDIT:

Nuk dihet nëse Shkupi do t’ia ndalojë hyrjen euro-deputetit bullgar

Nuk dihet nëse Shkupi do t’ia ndalojë hyrjen euro-deputetit bullgar

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur të martën se do t’i ndjekë rekomandimet e bëra nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, megjithëse nuk ka bërë të ditur nëse kjo nënkupton vënien e ndalesës ndaj grupi të bullgarëve – përfshirë edhe politikanë – për të marrë pjesë në shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit.

Dellçev njihet si personalitet nga periudha e vitit 1900, identitetin e të cilit e pretendojnë si Sofja ashtu edhe Shkupi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut është detyruar të marrë të gjitha masat për të siguruar realizimin e ngjarjes, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Sigurimit”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.


Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, ka thënë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të mbajtur më 23 janar, se “struktura të organizuara nga Bullgaria, të cilat bëjnë fushatë anti-shtetërore kundër Maqedonisë së Veriut, janë të lidhura me shërbimin inteligjent rus”.

Këtij qëndrimi i ka paraprirë njoftimi se më 4 shkurt në Shkup do të udhëtojë grupi i bullgarëve për shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit.

“Të njëjtat struktura [shërbimi inteligjent rus] janë mobilizuar si logjistikisht ashtu edhe financiarisht për të mbështetur ardhjen e organizuar të disa personave në Shkup, më 4 shkurt, kur përkujtojmë ditëlindjen e Goce Dellçevit. Sipas të gjitha vlerësimeve, do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë sigurie dhe organet kompetente nuk mund dhe nuk do të jenë vetëm vëzhgues të heshtur të asaj që do të ndodhë”, ka deklaruar të hënën presidenti maqedonas.

Pendarovski, edhe pse nuk e përmendi me emër, besohet se i është referuar euro-deputetit nga Bullgaria, Angel Xhambaski, i njohur për, siç është thënë, “retorikën e tij nacionaliste dhe ofenduese ndaj Maqedonisë së Veriut dhe popullit maqedonas, si historikisht, ashtu edhe në kontekstin e zhvillimeve dhe ngjarjeve aktuale politike”.

Uljen e tensioneve mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare e ka kërkuar dhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, gjatë një interviste të hënën në mbrëmje për Televizionin kombëtar, “Telma”.

Në këtë drejtim, ish-ambasadori Muhamed Halili, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se porosia që vjen nga ambasadorja amerikane në Shkup është shumë e qartë, si për Shkupin, ashtu dhe për Sofjen zyrtare, se duhet vepruar në drejtim jo vetëm të uljes së gjakrave, por edhe të veprimit në favor të përafrimit të qëndrimeve dhe jo krijimit të tensioneve.

“Të dyja vendet duhet t’i ulin gjakrat, dhe kjo varet nga disponimi i njërit dhe vendit tjetër, pra cili vend është i gatshëm të bëjë këtë”, ka thënë Halili, duke nënvizuar se Rusia pikërisht në këtë moment përdor krisjet që kanë vendet e rajonit për të shkaktuar tensione.

“Rusia, si palë në konflikt me Ukrainën, është e interesuar që të prishë harmoninë e bashkëpunimit mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate për anëtarësim, në mënyrë që të triumfojë ideologjia e saj, se ajo, si Rusi, ka të drejtë të okupojë çdo vend kur të dojë dhe këtë ta bëjë pa asnjë konsekuencë”, ka thënë Halili.

Tensioneve në rritje u ka kontribuuar edhe hapja e klubeve bullgare në dy qytetet e Maqedonisë së Veriut, Manastir dhe Ohër.

Këto klube janë kundërshtuar nga pala maqedonase pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajllovit – personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Maqedonia e Veriut arriti të zhbllokojë procesin e integrimeve, pasi Bullgaria hoqi veton ndaj Shkupit vitin e kaluar, duke mundësuar kështu nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vetoja nga ana e Bullgarisë ishte vendosur në nëntor të vitit 2020, për shkak të kontesteve mes dy vendeve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase./REL/