LAJMI I FUNDIT:

Njohja e Kosovës në favor të paqes në rajon

Njohja e Kosovës në favor të paqes në rajon

Në ditën e dytë të samitit të vendeve të Evropës Juglindore në Kroaci, që po mbahet në Dubrovnik, ka folur edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Në fjalën e tij ai ka thënë se qytetarët e Kosovës, pas luftërave në të kaluarën, hedhin poshtë dhunën dhe akceptojnë paqen dhe stabilitetin.

Thaçi ka përkujtuar se Kosovën e kanë njohur 61 vende dhe ka ftuar vendet tjera të njohin pavarësinë, sepse kështu i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit të gjithë rajonit.

Para pjesëmarrësve të samitit, Thaçi ka thënë se Kosova është shtet demokratik, i lirë dhe multietnik në të cilin të gjithë qytetarët janë të barabartë.

Në këtë takim nuk është duke marrë pjesë përfaqësuesi i Serbisë, përkatësisht ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq, pasi që mikpritësi nuk i kishte lejuar fjalën në hapje të samitit, por edhe për shkak të formatit të delegacionit kosovar. /REL/