LAJMI I FUNDIT:

Një raketë ruse e rrëzuar nga Ukraina ka rënë në Moldavi, raportohet për shtëpi të dëmtuara

Një raketë ruse e rrëzuar nga Ukraina ka rënë në Moldavi, raportohet për shtëpi të dëmtuara

Qeveria e Moldavisë ka njoftuar se një raketë ruse që u rrëzua nga mbrojtja ajrore ukrainase mëngjesin e së hënës, ka rënë në një fshat në veri të atij vendi dhe disa media raportojnë se ka edhe shtëpi të dëmtuara.

Si pasojë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, në fshatin Naslavcea janë thyer xhamat e shtëpive, por nuk ka të lënduar nga rënia e raketës, njoftoi Ministria e Brendshme e Moldavisë.

Siç raportohet më tej, autoritetet ukrainase informuan Moldavinë mëngjesin e sotëm për sulmin rus ndaj digës në hidrocentralin Dniester.


Ajo ndodhet rreth 10 kilometra nga fshati Naslavcea, por është shtuar se diga nuk është dëmtuar nga sulmi.

Ndryshe, Rusia nisi një breshëri sulmesh në të gjithë Ukrainën, përfshirë në kryeqytetin Kiev, duke synuar infrastrukturën energjetike dhe furnizimin me ujë, thanë autoritetet.

Shpërthime të shumta u dëgjuan në të gjithë vendin të hënën në mëngjes, me shpërthime të raportuara në periferi të Kievit, Dnipro, Zaporizhzhia, Kirovohrad dhe rajone të tjera, përcjell Telegrafi.

Kështu, alarmet ajrore u shpallën në të gjitha rajonet e Ukrainës, përveç Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014. /Telegrafi/