LAJMI I FUNDIT:

Një qasje gjithëpërfshirëse drejt hapjes së Zyrës së Kryeministrit

Një qasje gjithëpërfshirëse drejt hapjes së Zyrës së Kryeministrit

Në epokën digjitale, të dhënat e hapura dhe transparenca institucionale janë tregues integral, jo vetëm të qeverisjes, por edhe të një demokracie funksionale. Modernizimi i administratës, përmirësimet në arsim, shëndetësi, drejtësi, siguri, biznes, tregti, bujqësi, menaxhim buxheti, demokraci, kulturë, kërkime shkencore, statistika etj., përbëjnë përfitimet e ndryshme të cilat i sjell qeverisja elektronike.

Të tilla përfitime mund të fitohen vetëm nëse bëhen përpjekje sistematike dhe strategjike, thekson Open Data Kosova. Në këtë artikull prezantohen aspekte të ndryshme të asaj çfarë e bën Zyrën e Kryeministrit përgjegjëse për sa i përket të hapurit.

Këto aspekte përfshijnë si nismat e brendshme me politikat, strategjitë dhe rregulloret e miratuara për çështjet që kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien institucionale, si dhe aspektet që lidhen me angazhimin e qytetarëve dhe qasjen në punën e Zyrës së Kryeministrit.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është mjaft aktiv në rrjetet e tij sociale, duke përdorur Facebook dhe Twitter si platforma për shpërndarjen e lajmeve të përditësuara rreth aktiviteteve të Zyrës së Kryeministrit.

Prania aktive online e Kryeministrit kontribuon në informimin e publikut në përgjithësi, dhe grupeve të interesit në veçanti, për zhvillimet e fundit. Prania dhe angazhimi në internet nuk është vetëm një qasje e përditësuar, por edhe një qasje efektive për të komunikuar me publikun dhe për të qëndruar pranë komunitetit të gjerë.

Megjithatë, angazhimi aktiv dhe konsistent i Kryeministrit në rrjetet sociale të tij, nuk është treguesi kryesor i të hapurit të Zyrës së Kryeministrit.

Zyra e Kryeministrit është ‘transparente’ nëse të dhënat e saj organizative, buxhetet dhe proceset e prokurimit publik janë të qasshme nga publiku. Ajo është e ‘qasshme nëse politikat e saj janë të vendosura mirë, përmirësohen sistematikisht në aspektin e qasjes përmes diskutimeve publike dhe promovimit të angazhimit të qytetarëve. Ajo ka ‘integritet’ për sa i përket lobimit, kodit të etikës dhe përpjekjeve për të luftuar korrupsionin. Dhe në fund, kuvendi është ‘i vetëdijshëm’ nëse përqendrohet në përcjelljen dhe vlerësimin e politikave të zbatuara nga institucionet.

Këtë e thotë Open Data Kosova e cila rregullisht për çdo vit monitoron dhe vlerëson punën e qeverisjes së hapur në Kosovë përmes një metodologjie të bazuar në katër parime udhëzuese. Parimet në fjalë, transparenca, qasja, integriteti dhe ndërgjegjësimi, përbëjnë bazën për vlerësimin e të dhënave me burim nga Indeksi i të Hapurit Rajonal, një mjet që mat shkallën në të cilën institucionet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura ndaj qytetarëve dhe shoqërisë.

Një nga treguesit kryesorë i të hapurit të një institucioni është qasja në dokumentet publike. Ndonëse Ligji për Qasje në Dokumente Publike vendos një bazë solide mbi lirinë e informimit, zbatimi në praktikë mbetet i mangët. Në këtë aspekt, sipas ODK-së, nevojitet një sistem që përcjell kërkesat hyrëse dhe statusin e tyre gjatë gjithë periudhës së vlerësimit.

Një aspekt tjetër thelbësor ku nevojitet përmirësim brenda Zyrës së Kryeministrit është transparenca e buxhetit dhe prokurimit.

Aktualisht, raporti gjashtëmujor i buxhetit të shtetit nuk publikohet në faqen zyrtare të internetit. Si dhe as procedurat e prokurimit publik. Kjo ju pengon qytetarëve, studiuesve dhe bizneseve që të përdorin të dhënat për analiza dhe vendimmarrje. Prandaj, Zyra e Kryeministrit duhet t’i japë prioritet publikimit të grupeve të të dhënave të hapura në lidhje me aktivitetet, buxhetet dhe politikat e saj. Vendime të tilla jo vetëm që promovojnë transparencën dhe qasjen, por gjithashtu inkurajojnë angazhimin efektiv të qytetarëve.

Për mbrojtjen e interesit publik është i rëndësishëm sigurimi i ndërveprimit transparent ndërmjet lobistëve dhe zyrtarëve publikë. Kështu, për të fuqizuar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, qeveria duhet të ofrojë programe trajnimi për zyrtarët e saj. Në këtë aspekt, duhet të trajtohen tema si konflikti i interesit, masat kundër korrupsionit dhe procedurat e sinjalizimit. Përmes njohurive dhe aftësimit për tema të tilla zyrtarët do të pajisin me njohuri dhe aftësi e nevojshme për të trajtuar në mënyrë efektive parregullsitë dhe për të respektuar standardet etike, duke forcuar përfundimisht kornizën e qeverisjes së vendit.

Një tjetër çështje kyçe e cila përcakton veçanërisht ecurinë e Zyrës së Kryeministrit në aspektin e integritetit, është mungesa e Kodit të Etikës të publikuar dhe mungesa e mekanizmave të qartë për zbatimin e tij. Prandaj, Zyra e Kryeministrit duhet të hartojë dhe të vë në zbatim një kod të fuqishëm etike dhe të trajnojë stafin e saj për sjelljen etike, politikat e konfliktit të interesit dhe masat për parandalimin e korrupsionit.

Për më tepër, një aspekt domethënës në lidhje me këtë është fakti që ekziston një Politikë kundër Ngacmimit Seksual brenda organeve të administratës publike. Ndonëse vendosja e politikës është e rëndësishme, është e nevojshme të thuhet se duke pasur parasysh dominimin e normave patriarkale si brenda institucioneve ashtu edhe në shoqëri në përgjithësi, cilësia e zbatimit të saj mbetet e diskutueshme. Prandaj, monitorimi dhe vlerësimi sistematik i raporteve mbi zbatimin e politikës së ngacmimit seksual është edhe më i rëndësishëm sesa thjesht zbatimi i politikës.

Marrëdhënia qeveri-qytetarë brenda një shteti të caktuar është shenjë e proceseve demokratike të politikëbërjes. Aktualisht, angazhimi i qytetarëve në këtë drejtim nuk është i kënaqshëm.

Hulumtimi i kryer nga ODK në bashkëpunim me UBO Consulting me 1306 qytetarë me prejardhje të ndryshme vërtetoi se vetëm 35.7% e të anketuarve besojnë se mund të japin një kontribut pozitiv në nismat e Zyrës së Kryeministrit. Gjithashtu, 37.9% e të anketuarve pohuan se e ndjekin pak punën e Zyrës së Kryeministrit dhe vetëm 6.3% deklaruan se e ndjekin shumë punën e Zyrës së Kryeministrit. Prandaj, duhet të merren parasysh më seriozisht mekanizmat për angazhimin aktiv të qytetarëve në punën e Zyrës së Kryeministrit.

Megjithë ngecjen/stagnimin ndër vite në aspektet e sipërpërmendura, është shënuar edhe një progres i përgjithshëm drejt të hapurit të Zyrës së Kryeministrit. Përveç miratimit të rregulloreve dhe strategjive të tilla si Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, Strategjia e Reformës së Administratës Publike 2022–2027. Përveç kësaj, përmes Rregullores mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, qeveria ka ofruar zgjidhje digjitale aktuale që u mundësojnë qytetarëve të adresojnë shqetësimet dhe ankesat, si dhe të marrin shërbimet në dispozicion.

Ofrimi i shërbimeve elektronike përmes platformës shtetërore, e-Kosova, është një shembull i mirë pasi që ua lehtëson qytetarëve angazhimin me shërbimet administrative. Edhe pse platforma është premtuese në aspektin e progresit të mëtejshëm me më shumë shërbime të shtuara në kategori të ndryshme, ajo aktualisht është e kufizuar për sa i përket shërbimeve në dispozicion dhe si e tillë, nuk plotëson nevojat e ndryshme të qytetarëve, veçanërisht grave, personave me aftësi të kufizuara dhe grupeve të tjera sociale të cenueshme.

Për më tepër, Zyra e Kryeministrit mund të përmirësohet ndjeshëm në aspektin e transparencës dhe qasjes për publikun nëse thjesht publikon rregullisht në faqen e saj zyrtare agjendat, procesverbalet e takimeve dhe dokumentet kyçe që lidhen me vendimet e politikave; Nëse i jep përparësi publikimit të grupeve të të dhënave të hapura në lidhje me aktivitetet, buxhetet dhe politikat e saj; Nëse vendos mekanizma të qartë për monitorimin dhe vlerësimin e performancës së saj, duke përfshirë raportimin e rregullt mbi treguesit dhe rezultatet kryesore të performancës.

Prandaj, një strategji komunikimi gjithëpërfshirëse për të komunikuar në mënyrë efektive politikat, iniciativat dhe arritjet e saj tek publiku është një domosdoshmëri. Deklaratat e rregullta për shtyp, angazhimi në internet dhe fushatat e ndërgjegjësimit të publikut mund të ndihmojnë në adresimin e disavantazheve të ndryshme me të cilat përballet aktualisht Zyra e Kryeministrit në aspektin e të hapurit si institucion ekzekutiv.

Puna që Zyra e Kryeministrit investon përbrenda, është po aq kritike kur bëhet fjalë për kultivimin dhe promovimin e një kulture, të hapurit dhe llogaridhënies. Pasi transparenca, qasja, integriteti dhe etika të atribuohen si parime thelbësore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, angazhimi dhe ndërveprimi i saj me qytetarët dhe palët e interesit do të reflektojë po aq qartë. /Shqipe Gjocaj/Open Data Kosova/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori