LAJMI I FUNDIT:

Një gur për epitaf

Një gur për epitaf

“Asnjë shprehje e kohës së fundit e historisë së njerëzimit nuk është më e përshtatshme për të bartur misionin dhe barrën e së ardhmes njerëzore sesa (shprehja) të drejtat e njeriut… – dhurata më e mirë e mendimit njerëzor klasik dhe bashkëkohor. Me të vërtetë, gjuha e të drejtave të njeriut, është më e përdorshme se çfarëdo gjuhe tjetër e etikës”, thotë profesori Upendra Baxi.

Ditë më parë, më 10 dhjetor, bota në mënyrë simbolike shënoi “Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, dhe duket si “mision i pamundur”, që edhe sot, të drejtat e njeriut të kenë bartur, apo ta bartin tani, barrën e së ardhmes njerëzore. Madje, nuk ka mjaftuar as fakti që në grupin punues për hartimin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, kanë marrë pjesë njerëz nga secili kontinent i botës për të përçuar mesazhin e një uniteti botëror për parimet që ajo proklamon.


Ne sot mund të dëshmojmë se “barra e ardhmërisë njerëzore” ka ditur të jetë shumë e rëndë në kohë dhe situata të ndryshme të botës, që nga shpallja e Deklaratës. Uniteti nuk është realizuar, etika ka munguar, e ardhmja është rrezikuar.

Kofi Anan, në dhjetor 2006, foli qartazi për dështimet që ka pasur OKB-ja si miratuese e Deklaratës, në aspektin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, duke thënë se “nuk është e nevojshme që t’u them se OKB ka për detyrë dhe është përgjegjëse speciale për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Po ashtu nuk është e nevojshme që tu them se OKB ka dështuar shpesh në misionin e saj”.

Në fundshekullin XX, kur Deklarata Universale shënonte jubileun e 50-të të saj, një pjesë e botës e shpërfillte atë në përmasa gjenocidale. Parimet e kësaj Deklarate për njërën pjesën ishin joekzistente, ndërsa pjesa tjetër kërkonte minimumin e tyre, themelin, thelbin e saj.

Lufta e Kosovës, dëshmoi se parimet universale mund të parcializoheshin në mënyrë të njëanshme, pa pyetur askënd. Për fatin e keq, edhe sot bota kalon në situata të tilla. Premtimi i kombeve për paqe në botë, si ideali kryesor për shpalljen e kësaj deklarate, u desh të realizohej përmes përdorimit të dhunës, intervenimit ndërkombëtar të NATO-së. Havier Solana, me rastin e fillimit të bombardimeve në caqet ushtarake serbe, në mars 1999, pati theksuar se “kemi detyrë morale që të veprojmë kështu. Përgjegjësia është mbi supet tona dhe ne duhet ta përmbushim atë”.

Sipas Human Rights Watch Report 2000, “emëruesi i përbashkët i konsensusit ndërkombëtar ishte në thelb humanitar”. Atëbotë, populli i Kosovës po përjetonte ditët më të vështira të tij. Kur vendet e ndryshme të botës diskutonin për zhvillimet e shkencës së gjenetikës dhe kibernetika filloi ta pushtonte botën, populli ynë, kërkonte të realizonte nenin një dhe nenin tre të Deklaratës Universale, para së gjithash. Kërkonte dinjitetin, kërkonte vet jetën. Kërkonte të ishte i barabartë me popujt tjerë të botës. Nuk mjaftoi vetëm vrasja, dhunimi dhe poshtërimi. Zhdukja e njerëzve si duket përmbushte të gjitha apetitet e një makabriteti. Afër 14 mijë të vrarë dhe 3500 të zhdukur. Ky është përfundimi i periudhës me shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut që ka prekur Kosovën në vitin e fundit të shekullit të kaluar.

Kosova, edhe 16 vite pas luftës, ende numëron mbi 1600 persona të zhdukur si pasojë e luftës së saj. Dhunimi në kohë terrori është më lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, çasti dhe momenti, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Ankthi për të ditur për më të dashurit e tyre, është ndjenja që pushton çdo pore të harmonisë së jetës së tyre. Ne kemi të drejtën të dimë për ta. Të drejtat e njeriut na mundësojnë një gjë të tillë. Parimet e Deklaratës e vërtetojnë këtë.

Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje që kërkon këmbëngulësi të madhe. Familjarët, kanë ushtruar të drejtën për të apeluar te çdo organ vendor dhe ndërkombëtar, që kjo çështje të jetë njëra ndër prioritetet e agjendave politike të tyre. Deri sot, mund të konstatojmë se nuk është bërë mjaftueshëm nga asnjëra palë e përfshirë në proces. Situata nuk është normale. Nuk ka normalitet me askënd pa u dhënë llogaria.

Shteti serb, me pushtetin e atëhershëm ka kryer veprat gjenocidale. Madje, kur jemi këtu, Federata jugosllave pati abstenuar në votimin që u ishte bërë Deklaratës Universale dhe “çuditërisht”, Serbia pati trashëguar pjesën më të madhe të asaj federate (shpeshherë në mënyrë të njëanshme). Ajo, ka zhdukur bijtë dhe bijat e këtij populli. Pushteti i sotëm, nëse dëshiron mos ti ngjajë atij të kaluarit, e që për fat të keq e ka këtë dëshirë si duket, po mban peng proceset për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Ne u themi se, tentimi nuk mjafton. Kur asfaltimi tenton ta mbulojë krimin, deklaratat politike bëhen lojë fjalësh për fëmijë. Bëhen përralla.

Gjithashtu, një vend të rëndësishëm për kritikë, duhet lënë edhe institucionit të EULEX-it, si organi kryesor kompetent për hulumtimin e varrezave masive të dyshuara për viktima të luftës së fundit. Ky institucion jo rrallë herë ka ditur të shmangë kërkesat e familjarëve për të filluar procesin e zhvarrimit në shumë zona ku ka dyshime dhe fakte për varreza masive. Vlen të përmendët që ndaj këtij institucioni janë dërguar kërkesa për hulumtimin e disa lokacioneve siç janë ato në pjesën veriore të Kosovës, si: varrezat e myslimanëve në veriun e Mitrovicës, vendi tek ish xhamia e lumit Ibër (e rrënuar me tokë në kohë të luftës), Zubin Potoku etj. Për këto lokacione ka dëshmitar që rrëfejnë.

EULEX-i është treguar inferior në këtë çështje. Madje, aq larg ka shkuar shpërfillja e tij saqë, në ditën kombëtare për personat e zhdukur, më 27 prill 2015, në vend që ky institucion të përfillë kërkesat e shumicës qytetare nga kjo shtresë, ai bën hulumtimin për një varrezë masive në një fshat të Kosovës, për gjoja dyshimin se aty ndodhen disa pjesëtarë të komunitetit jo shqiptar të vrarë gjatë luftës. Provokimet e tilla nuk e ulin aspak tensionin, ato vetëm e rrisin atë.

Edhe institucionet e tjera ndërkombëtare, e që janë jashtë Kosovës, duhet të bëjnë më shumë presion tek pala serbe që kjo çështje të bëhet prioritet politikash. Madje, ky presion do duhej të bëhej në dialogun e nivelit të lartë që po zhvillon Kosova dhe Serbia. Në këtë proces dialogimi pala kosovare duhet të tregohet më këmbëngulëse karshi kërkesave të veta, nga të dy taborët.

Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë. Ne kemi nevojë të dimë për ta. Na është bërë kërkesë kryesore e jetës që të mbushim varrin e hapur.

Andaj, të gjithë ju që jeni të përfshirë në këtë çështje, ju lutem, na mundësoni që të kemi një gur për epitaf.

Në mënyrë që ne t’i kujtojmë të dashurit tanë gjithmonë.

Përjetësisht!