LAJMI I FUNDIT:

Nisin derbit Sigal Prishtina – Peja

Nisin derbit Sigal Prishtina – Peja

Sigal Prishtina dhe Peja sot do të fillojnë derbit e shumtë që do të zhvillojnë këtë sezon, derisa do të ballafaqohen në kuadër të javës së tretë të ETC Superligës së Kosovës.

Padyshim se e gjithë vëmendja e dashamirëve të basketbollit kosovar, do të jetë e përqendruar në këtë super sfidë ku përballë janë aktualisht dy ekipet më të mira të Kosovës. Të dy skuadrat këtë vit janë përforcuar mjaft shumë dhe janë maksimalisht të përgatitura për çdo sfidë si në kampionat ashtu edhe në garat e Ligës Ballkanike, një arenë tjetër ku prishtinasit dhe pejanët do t’i matin forcat e tyre.

“Jemi maksimalisht të përgatitur. Nuk kemi asnjë mungesë dhe ekipi është në formë mjaft të mirë. Mendoj se jemi më të mirë se Peja dhe besoj se do të dalim fitues” deklaroi qendra prishtinase, Blerim Mazreku, i cili u shpreh i bindur se ekipi i tij do të jap maksimumin pavarësisht se në mesjavën e ardhshme i pret ndeshja hapëse në kuadër të BIBL me Kumanovën.

“Sigurisht se do të japim maksimumin. Synimi ynë është që të fitojmë çdo ndeshje në mënyrë që të sigurojmë vendin e parë në tabelë dhe si rrjedhojë të kemi përparësinë e vendasit në fazën e play-off-it. Prandaj nuk do të kursehemi pavarësisht se në mes javë na pret ndeshja debutuese në Ligën Ballkanike”, përfundoi Mazreku.


Optimist para derbit janë edhe pejanët të cilën kanë një ekip mjaft të fortë edhe këtë vit dhe padyshim se synimi i tyre mbetet mbrojtja e titullit.

“Mendoj se do të jetë një lojë e fortë. Të dyja skuadrat kemi lojtar mjaft kualitativ dhe besoj se ndeshjet e këtij stinori për nga cilësia, do të jenë të një niveli më të lartë se viteve të kaluara. Gjithsesi, ne do të japim maksimumin dhe natyrisht shpresoj në fitore”, ka deklaruar kapiteni i Pejës, Valdet Grapci. Sfida e sotme, për Sigal Prishtinën dhe Pejën, është testi i fundit para ndeshjeve të para në Balkan League të cilat do të zhvillohen në mesjavën e ardhshme. Si Sigal Prishtina, e poashtu edhe Peja i ka fituar dy ndeshjet e para të sezonit.

Trepça përforcohet me Brown

KB Trepça ka arritur marrëveshje edhe me një basketbollist të ri, amerikanin Joshua Brown, i cili pritet të arrijë gjatë ditës së sotme në Mitrovicë.

Sipas zyrtarit të ekipit mitrovicas, Besim Brahës klubi e ka paraqitur atë në federatë dhe gjithçka është në rregull me dokumentacionin, ndërsa përforcimi ai do të ketë të drejtë paraqitje qysh në ndeshjen e ardhshme që Trepça e zhvillon ndaj RTV 21.

“Joshua është një lojtar organizator, pra luan në pozitën “një”. Gjatë kohës sa ka qenë nën vëzhgim nga Trepça, ka treguar lojëra të mira duke na bindur që ta transferojmë”, tha Braha. /Zëri/Telegrafi/

ETC Superliga – java 3

E shtunë
Sigal Prishtina – Peja, 17:00

E diel
Trepça – RTV 21, 15:00
Besa – Bashkimi, 19:00
Kastrioti – Drita, 20:00