LAJMI I FUNDIT:

Nis intervistimi i Thaçit në Hagë, për të tretën ditë me radhë

Nis intervistimi i Thaçit në Hagë, për të tretën ditë me radhë

Ka nisur për të tretën ditë me radhë intervistimi i presidentit Hashim Thaçi nga ana e Prokurorisë Speciale në Hagë.

Para se të hynte në objektin e Prokurorisë Speciale, Thaçi nuk u prononcua për media.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.


Të hënën para intervistimit, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Bashkëatdhetarë nga vendet e BE-së sërish kanë qëndruar para Dhomave të Specializuara në mbështetje të presidentit. Ata kanë kënduar dhe brohoritur emrin e Presidentit Thaçi në momentin e zbritjes nga vetura dhe hyrjen në objektin e Gjykatës Speciale.

Po ashtu disa nga ta mbanin në duar fotografi të masakrave të kryera nga serbët, me mbishkrimin që “UÇK-ja nuk ka kryer krime. UÇK-ja e ka mbrojtur Kosovën nga kriminelët”./Telegrafi/