LAJMI I FUNDIT:

Ngecja e favoritëve!

Ngecja e favoritëve!

Prishtina dhe Trepça ’89 nuk po e arsyetojnë epitetin e favoritit për titull të kampionit në Superligë. Të dyja skuadrat kanë pësuar nga katër humbje në nëntë xhirot e fundit, që janë shumë për një pretendent për titull. Njohësit e futbollit kosovar mendojnë se ndryshimet që kanë bërë këto skuadra gjatë verës dhe presioni për ta fituar gjithsesi titullin, ka bërë që të ngecin dhe të mos i përmbushin parashikimet deri tash.

Prishtina dhe Trepça ’89, nga njohësit e futbollit konsideroheshin dominues absolut të futbollit kosovar dhe favoritët kryesorë për titull të kampionit këtë sezon në Superligë.

Mirëpo, jo gjithçka shkoi sipas parashikimeve. Të dyja skuadrat patën ngecje dhe nuk i përmbushën parashikimet, të paktën deri tash, kur e lamë pas xhiron e nëntë të edicionit të ri.

Të dyja skuadrat kanë grumbulluar numër të njëjtë pikësh – 14 sosh, duke regjistruar po ashtu rezultate identike: nga 4 fitore, 1 barazim e 4 humbje për kokë.


Sigurisht, 4 humbje për vetëm 9 xhiro janë shumë për dy skuadra që synojnë trofe, edhe pse kreu i tabelës nuk është shumë larg. Llamkos Kosova prin me 18 pikë, 5 më shumë se dyshja e lartpërmendur.

Njohësit e futbollit kosovar i japin opinionet e tyre për këtë stagnim sa u përket rezultateve nga ana e bardh e kaltërve dhe bardh e gjelbërve.

“Së pari, Prishtina ka pasur disa ndryshime, janë larguar disa lojarë që e kanë bajtur barrën kryesore. Janë kyçur disa lojtarë të rinj që nuk e kanë fituar ende atë përvojë që nevojitet. Ata nuk mund ta marrin menjëherë peshën dhe për ta presioni mund të jetë ngarkesë. Duhet të pritet një kohë, ndoshta deri në pranverë, kur mund të vjen në shprehje ta tregojnë veten. Për momentin, prishtinasit nuk e kanë primatin ndaj ekipeve tjera”, deklaroi për Express trajneri Hysni Maxhuni.

“Trepça ’89 e ka një politikë jo të shëndoshë. Ky klub kërkon medoemos rezultate, me çdo kush dhe kjo është ngarkesë për lojtarët. Kjo ndikon që të mungojnë sukseset”, vazhdoi strategu kosovar.

Megjithëkëtë, ish trajneri i Hysit i sheh këto dy skuadra si akterët kryesorë të këtij kampionati, duke shtuar se ato mund të këndellen me kohë dhe ta shfaqin forcën e tyre në vazhdim të kampionatit.

Për dallim nga sezonet e kaluara, kur dominonin 2-3 skuadra, Maxhuni thotë se tash Superliga është e nivelizuar dhe ekipet dallojnë shumë pak ose fare për nga cilësia, njëri me tjetrin.

Ndërsa, trajneri tjetër me përvojë, Ajet Shosholli konsideron se ndryshimet që ka bërë Prishtina në ekip gjatë verës, mund të kenë ndikuar që bardh e kaltrit të mos i sigurojnë rezultatet që ndoshta kanë pritur. Edhe Trepça ’89 e ka befasuar për të keq ish zyrtarin e ‘Xehetarëve’.

“Sigurisht, këtu luajnë rol detajet. Duhet shikuar se a përputhen ambiciet me mundësitë. Disa skuadra janë dukur shumë optimiste para fillimit të sezonit, por nuk po ju dalin parashikimet dhe duhet t’i shikojnë dobësitë e tyre. Në bazë të përforcimeve, Trepça ’89 dhe Prishtina shiheshin si favorite, por nuk del gjithmonë ashtu siç e planifikon. Prishtina ka pasur shumë ndryshime dhe rezultati po shihet në këto xhiro”, tha trajneri aktual i Vëllaznimit.

Njëjtë si kolegu i tij Maxhuni, edhe Shosholli sheh dritë në fund të një tuneli për këto dy skuadra, pasi beson në potencialin e tyre.

“Unë them se prapë janë kandidate, edhe pse për momentin nuk po u shkon puna siç kanë planifikuar. Nëse këndellen, nëse i përmirësojnë gabimet, do të mbesin kandidate për titull”, vijoi ai.

Prishtina dhe Trepça ’89 kanë qenë dominuese të futbollit kosovar në dy vjetët e fundit, duke përfunduar në pozitat 1 dhe 2, në të dyja rastet. Edhe këtë edicion ato shihen si favorite për titull, edhe pse deri tash nuk e kanë arsyetuar këtë epitet. /Express/Telegrafi/