LAJMI I FUNDIT:

Nexhmie Pagarusha merr çmimin Artiste e Merituar

Nexhmie Pagarusha merr çmimin Artiste e Merituar

Presidenti Fatmir Sejdiu priti legjendën e muzikës shqipe, Nexhmie Pagarusha, të cilën e dekoroi me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.

“Kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme. E përkushtuar gjithë jetën për të ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore. Ajo është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”, tha Sejdiu me këtë rast.

Dekorim i Nexhimje Pagarushës vjen në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre. /Telegrafi/