LAJMI I FUNDIT:

“Never again” (11 korriku 1995)

Parlamenti Evropian më 17 janar 2009 ka miratuar Rezolutën për Srebrenicë me ç’rast 11 korrikun shpalli ditë evropiane në përkujtim të viktimave të gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Në letrën dërguar anëtarëve të Parlamentit Evropian propozuesit e Rezolutës për Srebrenicë deputetët Walles nga Britanie e Madhe dhe Kacin nga Sllovenia përveç tjerash kanë shkruar: “Kushërinjtë e viktimave të gjenocidit në BeH, i bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Parlamentit Evropian që në ditët e para të korrikut në reveret e tyre të mbajnë lulen e bardhë me 11 petë në shenjë përkujtimi me gjenocidin e kryer në Srebrenicë, me ç’rast do të konfirmojnë lidhshmërinë me Rezolutën. Njëherit do të shprehin edhe ngushëllime familjeve të 613 viktimave, të mbetjeve të tyre mortore, të cilët me 11korrik 2011do të varrosen në kompleksin memorial në Potoçare të Srebrenicës. Nënat e Srebrenicës përshëndesin vullnetin e mirë dhe kontributin që jep Parlamenti Evropian dhe se besojnë në ardhmërinë”.

Me këtë rast anembanë Evropës dhe botës po mbahen aktivitetet e shumta për shënimin e 11 korrikut-ditës evropiane të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Si çdo vjet, ashtu edhe sivjet organizohet “marshi i paqes” në shenjë përkujtimi me të shpëtuarit të paktë të cilët kanë ec në këmbë, ditë me rrallë, për të arritur në territorin e lirë boshnjak. Sivjet marrin pjesë 6500 pjesëmarrës nga Bosnja, në mesin e të cilëve gjenden edhe 1000 pjesëmarrës nga mbarë bota. Aktivitetet e shumta po mbahen jo vetëm në BeH, Kroaci, Slloveni, Sanxhak por edhe në shumë shtete të Evropës dhe Amerikës Veriore, gjegjësisht SHBA dhe Kanada, të quajtura “Ditët e Srebrenicës”.


Me 8 korrik 2011, është lexuar hytbja (ligjërata) e xhumasë, nga ana e Reisit të Bosnjës dr.Mustafa ef.Ceriçit në të gjitha xhamitë e Bosnjës, Sanxhakut dhe në mbarë diasporën boshnjake, njëherit është lexuar edhe në Xhaminë e Madhe të Londrës si dhe në sesionin shkencor të mbajtur në Teheran lidhur me gjenocidin në Srebrenicë. Hytbja (ligjërata) e xhumasë e Reisit të Bosnjës është kushtuar viktimave të gjenocidit të kryer në Srebrenicë dhe Bosnjë, në të cilën përveç tjerash dr.Mustafa Ceriç shkruan:

“Padyshim, shekulli i fundit ka qenë shekull më i përgjakshëm në historinë moderne, shumë më tepër dhunë si në aspektin relativ ashtu edhe atij absolut, nga era e mëparshme. Ajo, që shekulli i XX ka qenë i dhunshëm dhe pa precedan mund të duket paradoksal. A nuk janë 100 vitet e fundit, kohë e progresit të madh?. Për atdheun tonë, Bosnjën dhe Hercegovinën, shekulli XX do të mbetet në kujtim të hidhur, për faktin se klithma ‘never again’ (kurrë më), është tradhtuar, pasi që Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk ka qenë në gjendje të kryej misionin e vet të mbrojtjes së popullit tonë nga gjenocidi”.

“Të gjithë duhet të mësojmë për holokaustin dhe gjenocidin jo vetëm si fakte historike, por si mënyrë për të mësuar fëmijët tanë nga rreziku i racizmit, antisemitizmit, islamofobisë dhe shembujve tjerë të jo tolerancës njerëzore. Duhet të mësojmë gjeneratat e reja të çmojnë demokracinë dhe drejtat njerëzore, dhe t’i mësojmë që të largojnë urrejtjen, jo tolerancën dhe konfliktet etnike. Duhet t’i mësojmë të respektojnë vlerën e jetës njerëzore, integritetin e njeriut, të respektojnë religjionin dhe dallimet e përkatësive fetare, të respektojnë lirinë dhe kufijtë e lirisë njerëzore, sepse liria ime ndalet aty ku fillon liria e tjetrit, duhet të respektojmë mallin dhe pronën e tjetërkujt, të respektojmë vlerat e besës njerëzore dhe dallimet tek njeriu tjetër”.

“Srebrenica është qyteti në të cilin është lejuar që njeriu i pafuqishëm të dëbohet nga shtëpia e vet dhe të vritet i pafajshëm vetëm sepse ishte mysliman. Nga 11 korriku 1995 e më tutje, Srebrenica është më tepër se qyteti dhe më shumë se emri i vet. Srebrenica është vendi i provimit të ndërgjegjes njerëzore për të gjithë ata të cilët kanë mundur e nuk e kanë parandaluar krimin ndaj njeriut të pafajshëm. Srebrenica është emër i cili sot rrotullohet rreth botës që të zgjojë ndërgjegjen njerëzore e cila duhet ballafaqohet me vetveten ndërmjet të mirës dhe të keqes, të zgjedh të mirën. Pasi që tjetër rrugëdalje nuk ka për shoqërinë njerëzore, në rast se do të jetojë në mirësinë e frytit të vet”.

Manifestimi qendror i përkujtimit të 11 korrikut- të gjenocidit në Srebrencië në SHBA do të mbahet në New York, me ç’rast përveç tjerash do të shfaqen edhe filmat “Engjëlli i Srebrenicës” të autorit Ade Hasoviq, “Deklarata 710399” të autorit Refik Haxhiq, “Munira” të autorit Rudi Urana, dhe “Nëna” të autorit Elmir Jukiq. Në Gjermani do të mbahen akademi të shumta, sesione shkencore, debate rreth gjenocidit në Srebrenicë, përveç tjerash do të shfaqet edhe filmi dokumentar “360*” të autoreve Koni Kipfer dhe Renate Mecger. Në Austri do të shënohet me organizimin e debateve në të cilin pjesëmarrësit do të prezantojnë gjenocidin në Srebrenicë nëpërmjet reflektimit të artit, fotos, fotografive dhe poezive , dhe se vet Srebrenicës do të japin një ngjyrim të gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Do të jetë edhe ekspozita e shfaqur me titull “Të shohësh, të dish dhe të mbash mend” në të cilin shikuesit do të shohin tragjedinë e Srebrenicës nëpërmjet fotove të shumta të ekspozuara me rastin e gjenocidit të kryer në Srebrenicë.

Në Turqi, saktësish në Stamboll do të shënohet dita e përkujtimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, në sheshin qendror do të vendosen 8372 palë këpucë të cilët simbolizojnë numrin e viktimave të vrarë në Srebrenicë prej 11 gjer më 16 korrik 1995 nga fëmija 12 vjeçar e gjer te plaku 92 vjeçar. Atë ditë nga sheshi qendror i Stambollit Taksim do të lëshohen 192 balona në ajër në të cilin do të shkruan: “Kurrë më”, “Nuk kemi harruar dhe nuk do të lejojmë që të harrohet”.

Pasi që edhe Shqipëria dhe Kosova janë pjesë përbërëse e kontinentit evropian, sepse Rezoluta e Parlamentit Evropian e përcakton 11 korrikun si ditë evropiane të përkujtimit me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, që edhe institucionet shtetërore apo organizatat qeveritare apo jo qeveritare si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë të përkujtojnë këtë ditë me ndonjë aktivitet apo manifestim për të shënuar këtë ditë dhe për të bërë pjesë e Evropës edhe simbolikisht duke bashkëndier me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, apo edhe me pjesëmarrjen simbolike të ndonjë qeveritari në akademinë përkujtimore që do të mbahet me 11 korrik 2011 në Srebrenicë, pas së cilës akoma do të mbesin edhe 3040 viktima të vrarë të pagjetur nga numri i gjithëmbarshëm prej 8372 fëmijë, burra e pleq boshnjak të vrarë dhe të likuiduar në mënyrë kriminele dhe johumane që ka ndodhur në mes të Evropës, në vitin 1995, plot 50 vjet, pas përfundimit të luftës së dytë botërore në vitin 1945.

Do të përmbylli këtë përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës, me klithjen “Never again-Kurrë më”, të mos përsëritet edhe ky rrëfim i tmerrshëm, që ka ndodhur në Srebrenicë me 11 korrik 1995, të boshnjakes Xhemile Zekiqit dëshmitare e gjallë e gjenocidit të kryer në Srebrenicë: “Qëndroja në mes popullit të dëshpëruar e të grumbulluar në Potoçare të Srebrenicës, kur çfarë të shoh, gruaja e re, është shtrënguar, djersët i rridhnin në ballë, ngërç në fytyrë të saj. Iu afrova dhe e pyeta çfarë ka, ajo më tha, po lind, po bijë i thash, mbahu me një dorë për mua, e me tjetrën për vjehrrën… Ashtu u bë, u shtrëngua gruaja e re në ne…, u ndie vaji i foshnjës djalë. E mora foshnjën dhe po dua t’ia lidhi kërthizën, kur çetniku serb doli para meje duke më thënë: lëshoje këtë foshnje në tokë. Unë e lëshova dalëngadalë në ‘dimijat’ e mia, foshnja e bukur me flokë të gjata, sikur të ishte larë tani,…çetniku serb iu afrua, dhe këmbën e tij e nguli në fytin e njomë të foshnjës së porsalindur,…zorrët e njoma iu shkapërderdhën në të gjitha anët…”.