LAJMI I FUNDIT:

Neve na duhet dhuna

Neve na duhet dhuna

Shoqëria jonë ka nevojë për një subjekt që ushtron dhunë në të.

Se sa qesharake e për të ardhur keq është çështja publike e Kosovës, tregon ekzistimi i Partisë së Fortë. E, në realitetin qesharak e të mjerë arrijmë të shohim dita-ditës si shpërthen oportunizmi po ashtu qesharak i “aderuesve”. Situata nga më komiket. Po thonë për secilin “filani dul’ në politikë”. Çfarë politike? Në politikë jemi të gjithë. Qoftë duke qenë qytetarë të Republikës, qoftë duke marrë pjesë në çështje publike me veprime e mendime publike. Ja, si puna e këtij shkrimi.


Këta po dalin në politikë elektorale (zgjedhore). Këta kanë nevojë të zgjedhen. Nuk do të duhej që zgjedhja e dikujt të na jepte të drejta (në të menduar e vepruar). Këto të drejta do të duhej t’na i jepte ideja të cilën e ndjekim. Epo, ashtu siç partitë nuk përfaqësojnë ide, as aderuesit ide s’kanë. S’do të duhej t’iu nënshtroheshim proceseve zgjedhore për ta pasur të drejtën për të thënë. Ja për shembull, unë pa e pasur një vend në Kuvend të Republikës arrij të artikulohem në publik dhe njerëzia e dëgjojnë mendimin tim mjaft shpesh. Tjetër është që ndoshta unë s’arrij t’i bindi ata se s’di të artikulohem ashtu siç njerëzia marrin vesh më mirë. Edhe po të më jepej vendi i deputetit, argumentet e mija më të mira s’bëhen. Nuk ta jep pra mandati institucional aftësinë për të bindur, por fuqia e argumenteve të cilat arrin t’i artikulosh.

Se sa e lodhtë është kritika në Kosovë, të tregon niveli i ulët intelektual i debatuesve të ftuar nëpër emisione si analistë. Tek po fejsbukoj po arrij të shoh mjaft lajme e video të debateve që po zhvillohen. Më falni për arrogancën, por nivel më të lodhtë të debateve nuk arrin të gjesh, madje as në TV-të e Republikës së Shqipërisë ku mezi merret vesh kush çka flet. Marksistët që refuzojnë Marksin! Analistët që s’e dinë Marksin! Vërtetë, pa dashur të jem cinik, përgatitja e njerëzve të cilët thirren për të diskutuar (shpesh me diploma të universiteteve me renome botërore) është për t’u habitur. S’ka si bëhet më dobët. Dikush duhet ta ngris shqetësimin te këto universitete që po lëshojnë diploma. Aman mos na lëshoni diploma sa për riza të Zotit se na morët në qafë!

Se sa i papërgatitur është populli i Kosovës për demokraci, tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të viteve të fundit, me përjashtim në nivelin simbolik për sa i përket zgjedhjeve të fundit lokale në disa komuna. E kam fjalën për njëfarë mosmiratimi simbolik të korrupsionit në disa komuna të mëdha që janë përfolur mjaft, por pa ndonjë ndryshim radikal (nga greqishtja “radius” që do me thënë “thelb”).

A duhet t’i jepet mundësia për të menduar (pra për të thënë mendimin në publik) atij që s’është i aftë ta prodhojë mendimin (e tij, të pavarur)?

A duhet t’i jepet e drejtë e votës atij që s’ka aftësi ta ushtrojë atë?

Në këto dy raste, janë në shpërputhje mundësia dhe e drejta me aftësinë, dhe në të dyja rastet themi se ka korrupsion. Se korrupsioni nuk është vetëm dallaver me të holla, por shpërputhje e formës me përmbajtjen.

Ç’është forma e analistëve tanë (përjashtojmë rastet)? – Mendimtarë. Po përmbajtja? – Idiotë. Themi pra se kritika e bërë kësaj shoqërie dhe sistemit të saj është e korruptuar. Rrjedhimthi vijmë te mendimi logjik se kjo shoqëri ka nevojë për diçka tjetër, për një kritikë të re, josipërfaësore, por radikale, radikale sipas kuptimit etimologjik të fjalës, pra për një qasje që merret me thelbin e sistemit të ndërtuar nga kjo shoqëri.

Ç’është forma e organizimit të shoqërisë sonë? – Demokraci parlamentare. Po përmbajtja? – Oligarki. Themi pra se kjo shoqëri është e korruptuar. Ky sistem i ndërtuar prej saj qenka i korruptuar.

Epo, ç’është thelbi i kësaj shoqërie? – Pasurimi. Kush pasurohet? – Secili që mundet. Po ata që s’munden? – Vuajnë. Kush po vuan e kush po pasurohet? – Shoqëria vuan e politikanët e saj pasurohen. Po cila do të ishte mënyra që shoqëria të mos vuajë e politikani të mos pasurohet po t’i shërbejë kësaj të fundit? – Ndërrimi i thelbit. Pra ç’duhet të jetë thelbi i ri që nuk do të sillte pasurim material po një tjetër pasurim? – Emancipimi. Pikërisht! Shoqëria jonë ka nevojë për një subjekt që ushtron dhunë në të. Dhunë emancipuese. Aso lloj dhune që ndjen secili kur mëson, kur mëson sa i padijshëm ishte e sa shumë për të mësuar ka.

Nuk na duhet demokracia, as liria e mendimit. Ato le të jenë, por neve na duhet drejtim. Jo nga një forcë shfrytëzuese, por nga një subjekt emancipues. Thjesht, një subjekt që bëhet ndërgjegjja e popullit. Ai subjekt që ia thotë të vërtetën popullit. Jo atë që populli do të dëgjojë, por atë që është. Jo subjekt që i nënshtrohet procesit të të zgjedhurit, por ai subjekt që përfaqëson idenë e cila s’ka nevojë të zgjedhet. Ai subjekt që nuk legjitimohet, por që është legjitim. Legjitim jo nga pushteti apo nga forca, por nga saktësia e përmbajtjes së idesë që shpreh.

Neve na duhet subjekti. Që e propozon zgjidhjen. Që bënë projeksione të së ardhmes. Ai që shan (të pafytyrët). Që kritikon radikalisht. Që propozon ndryshimet në thelb. Që s’e duan, por do ta duan. Ai që e bënë kritikën. Ankthi i partive. E le të merren me zgjedhje pastaj.

Sa për fillim, neve na duhet subjekti dhunues që emancipon. Na duhet intelektuali.