LAJMI I FUNDIT:

Nesër fillon turneu ndërkombëtari i boksit “Adem Jashari”

Nesër fillon turneu ndërkombëtari i boksit “Adem Jashari”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot anëtarët e Këshillit Organizativ të Turneut Ndërkombëtar në boks ‘Adem Jashari’ që fillon nesër. Turneu ‘Adem Jashari’ tash është turne zyrtar në kalendarin e Federatës së Boksit Evropian (EUBC) dhe të Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA).

Ministri Krasniqi ka përgëzuar Federatën e Boksit për angazhimin që ka bërë në ndërkombëtarizmin e boksit si dhe organizim e garave brenda territorit të Kosovës. Ai vlerësoi në veçanti përkushtimin që kjo federatë, bashkë me shumë akterë tjerë, ka treguar për organizimin e këtij turneu, të 15-tin me radhë dhe të parin si turne zyrtar ndërkombëtar.

Ramadan Selimi, kryetar i Federatës së Boksit dhe kryesues i Këshillit Organizativ ka falënderuar ministrin për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar për federatën e në veçanti për këtë turne. Ai e ka njoftuar ministrin me përgatitjet që janë bërë për këtë turne, duke thënë se kanë punuar shumë që organizimi të jetë sa më i mirë.

Turneu i sivjetmë do të zhvillohet më 16 e 17 nëntor. Më 16, në Prishtinë zhvillohen gjysmëfinalet, kurse meçet finale do të organizohen në Gjilan.


Pjesëmarrjen në këtë turne e kanë konfirmuar nëntë shtete: Shqipëria, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Maqedonia, Bullgaria, Italia, Kroacia e Zvicra, që bashkë me boksierët nga Kosova e çojnë numrin e shteteve në 10. /Koha/Telegrafi/