LAJMI I FUNDIT:

Në takim me Marquezin

Në takim me Marquezin

Nga: Mira Meksi

Tarazona në Aragon dhe Aragoni në Spanjë. Mjeshtre në luftëra e në traktate paqeje, luftëtare mijëvjeçare kundër kartagjenasve, romakëve dhe vizigotëve, e shkatërruar dhe e rindërtuar qindra herë, vendqëndrim i mbretërve katolikë, rezonancë e veçantë politike dhe intime për Isabelën dhe Fernandon, përzierje e kulturave kristiane, hebraike dhe islamike, me një katedrale së cilës iu deshën gjashtë shekuj për t’u ndërtuar, duke filluar nga ai XII, dhe ku ndeshen të gjitha stilet: romanik, gotik, arab, plateresk, barok; qyteti i alkimisë, i legjendave, i fantazmave, i manastirit të famshëm të Veruelës, ku punoi poeti i madh romantik i Spanjës, Gustavo Adolfo Bécquer, qyteti i Kryqit të Zi të Bécquerit dhe i korridave – Tarazona, me një diell qindravjeçar të ngërthyer mbi krye, dhe me tringëllimën e përhershme të kambanave, mikpritëse si asnjë vis tjetër i Spanjës, mbante në gjirin e saj një Babel gjuhësh.

Babeli – Shtëpia e Përkthyesit, e vetmja e këtij lloji në Spanjë, ishte krijuar dy vjet më parë me nismën e z. Francisco Uriz, përkthyes i sprovuar nga suedishtja, poet dhe dramaturg i njohur. Mbështetej financiarisht nga Këshilli i Evropës, Bashkia e Zaragozas dhe investitorë vendas. Aty punova përmbi dy muaj, në një ambient dashamirës dhe komod, me një bibliotekë nga më të pasurat në dispozición, me fjalorë gjuhësorë që as nuk i kisha ëndërruar, e mbi të gjitha, me kompjuterin e parë që njoha dhe mësova dhe që më ndihu aq shumë në mjeshtërinë time. Aty njoha përkthyes të tjerë, poetë, shkrimtarë nga e gjithë bota, si edhe shpirtra binjakë në adhurimin tim ndaj Gabriel Garcia Marquezit. Z. Uriz ishte miku i tij, ashtu siç kishte qenë miku i ngushtë i Julio Cortazarit dhe i Pablo Nerudas.


Odiseja e përpjekjeve të mia për ta takuar Marquezin filloi një pasdite shtatori, kur në gazetën “El Pais” lexova njoftimin se Marquezi ndodhej në Madrid. Ishte nisur rrugës për në Tokio, ku do të bisedonte me regjisorin e famshëm japonez, Akira Kurosawa, për mundësinë e adaptimit filmik të romanit të tij “Vjeshta e Patriarkut”. Gaboja, siç e thërrisnin miqtë e tij, e kishte marrë rrugën më nge (i kishte fobi avionët) dhe, si ata shkollarët që ndalen vitrinave përpara se të mbërrijnë në shkollë, po rrugëtonte itinerarit Havanë-Bogota-Madrid-Barcelonë-Paris-Moskë-Tokio.

Që të takoje Marquezin në Barcelonë, qyteti më i dashur i Spanjës për të, duhej të kaloje domosdo nga Carmen Balcelsi, agjentja e tij e plotfuqishme letrare, e cila ishte vërtet një mur pothuaj i pakapërcyeshëm.

Pas shumë telefonatave-ndërhyrje që z. Uriz i bëri Carmenit, ku kërkonte një takim disaminutësh për përkthyesen shqiptare të “Dashuria në kohërat e kolerës” me Marquezin – ajo iu përgjigj me një jo të prerë.

Mëngjesin e tetëmbëdhjetë shtatorit, e dëshpëruar nga pamundësia e atij takimi, e telefonova vetë zonjën Balcels, me mendjen të dalë ku të dalë, përse të mos e bëj edhe këtë përpjekje të fundit, e cila m’u përgjigj se Gabo ishte tepër i zënë dhe se herën tjetër që do të vija në Spanjë, me siguri do që ta takoja atë. Atëherë iu përgjigja aty për aty: “Mund të mos ketë për mua një herë tjetër, nuk është e lehtë të dalësh nga Shqipëria”. Ishte viti 1990 dhe kisha goditur në shenjë me ato fjalë, zemra e artë e Carmenit u dorëzua përnjëherë dhe ma la takimin e shumëdëshiruar po atë pasdreke në Barcelonë, në Selinë e Agjencisë Letrare të Carmen Balcelsit, në Rrugën Diagonal.

Afër mesditës nisi udhëtimi im haluçinant drejt Barcelona.

Kur Carmen Balcelsi më futi në sallon, duke më thënë se Gaboja ishte duke folur në telefon me Kolumbinë, unë nuk e kisha marrë akoma veten nga turbullimi vezullimtar që më shkaktoi Barcelona. Ishte hera e parë që shkelja në atë qytet përrallor të cilin do ta doja më vonë edhe më fort se Madridin. Turbullimi nga takimi i afërt me shkrimtarin e botës dhe turbullimi i Barcelonës më ranë përsipër. Me siguri duhet të kisha pamje të hutuar e të mpirë, sepse ajo nxitoi të më pyeste në doja diçka për të pirë. “Ujë”, i thashë. “Bën shumë vapë”. Vapë bënte, vërtet, por, kur pashë Carmenin të hynte përsëri në derë me kanën e ujit në dorë dhe me Gabon në krah, ndjeva të më bëheshin duart akull. “El Gabo – Mira”, ma prezantoi ajo dhe për çudi ai m’u duk si i plakur dhe shtatshkurtër, ndonëse nuk ishte i atillë. Dhe, joreal. Gaboja i Madh!

E kisha parë në fotografi dy javë më parë në një artikull të botuar në “El Pais” shumë më të ri e më të shëndetshëm. Ja fotografitë janë të punuara, ja më bëjnë sytë mendova vetëtimthi, ndërsa hidhja këmbët drejt tij. Qëndruam të dy përballë disa çaste: ai buzagaz, unë përpara një mëdyshjeje vdekjeprurëse: ta përqafoja apo t’i jepja vetëm dorën? As njëra, as tjetra. Topitja me kriza disasekondëshe ishte sëmundja që më shoqëroi gjatë takimit. Ma zgjati ai dorën, duke thënë: “Esta jovencita, es mi traductora” (Kjo çupëlina, është përkthyesja ime). E tha me aq ëmbëlsi dhe dashuri, saqë unë nuk u zemërova aspak që më quajti çupëlinë, por i shkova pas që të ulesha pranë tij.

Vura re se kishte veshur po atë xhaketë të hollë linoje me jakë të mbyllur me të cilën u shfaq në ceremoninë e çmimit Nobel tetë vjet më parë duke thyer tabutë e frakut. Zura ta sodisja me kujdes, duke bërë krahasimet me tërë ato fotografi revistash e gazetash që kisha parë në Shtëpinë e Përkthyesit: sy të trishtuar (madje dhe kur qeshte mbeteshin të trishtë), dhëmbë përsosërisht të bardhë, flokë thinjoshë dhe stilografi i zi i gjithhershëm në xhepin e xhaketës së përqumësht, të cilin s’mund ta ndaja dot nga portreti i Gabos. Ishte kaq e vërtetë, sa edhe karikaturisti, i cili për të ilustruar një artikull mbi Marquezin, kishte vizatuar stilografin e tij të zi në përmasa vigane dhe, të fshehur pas stilografit, portretin vocërrak të Gabo-s.

– Po ç’bën ti këtu në Spanjë, moj Mira Meksi? – më pyeti (emrin tim e kishte të shkruar në një pusullkë).

– Përkthej në shqip Garcia Marquezin – iu përgjigja.

– Shumë mirë – më tha – po ç’vepër të tij?

Atëherë nisa t’i tregoja se si në Shtëpinë e Përkthyesit në Tarazona, Paco Urizi më kishte dhënë një libërth të numërtuar me novelën e tij “Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë”. E lexova me një frymë novelën-perlë dhe nisa ta përktheja. E kisha mbaruar përpara disa ditësh. Gabos i pëlqeu shumë fjala “perlë” që përdora dhe më rrëfeu se si kishte pasur ndër mend të shkruante edhe shtatë novela të tjera, ku të rrëfente aventurat e latino-amerikanëve në Evropë, e t’i përmblidhte pastaj në një libër me tregime dhe novela, andaj edhe kjo novelë nuk kish parë dritën e botimit masiv dhe as ishte lejuar përkthimi i saj.

– Por s’munda dot të shkruaj tjetër novelë. U harxhova i tëri në të, moj Mira.

Emrin tim e thoshte me shumë lehtësi, ndryshe nga spanjollët që, zakonisht, herën e parë e shqiptonin Mila.

Sytë e tij u ngulitën për disa çaste mbi një pikturë abstraksioniste në murin përballë. Pastaj, duke zbritur nga qiejt e pikturës, u kujtua dhe më pyeti:

– Po mirë, ti e ke përkthyer dhe tani ke ndër mend ta botosh “perlën” që s’është botuar askund?

– Sigurisht – iu përgjigja unë me sinqeritet pa e vrarë shumë mendjen se kjo cenonte të drejtat e autorit.

– Ashtu? – tha Gabo-ja, duke qeshur. – Po ti qenke një lule pirate!

E kështu, mes miqve të mi në Spanjë, më mbeti emri Lulja pirate ose Lulja pirate e Gabos.

Më pas biseda u fut në shkurret gjembaçe të përkthimit. Gaboja fliste si përkthyes i regjur, pyeste, jepte këshilla. Më pyeti, për shembull, për vështirësitë që kisha hasur në përkthimin e romanit të tij Dashuria në kohërat e kolerës.

– Po me fjalët që mendon se lexuesi nuk i kupton, si ia bën? – më tha.

– E lehtë fare – iu përgjigja. – Ndodh shumë rrallë, por kur ndodh u ngjis nga një yllëz dhe ua shpjegoj kuptimin në fund të faqes.

Dukej se Gaboja këtë përgjigje kishte pritur, se s’më la ta mbaroja fjalën dhe thirri: “E lehtë e lehtë, por kujdes me ato shpjegimet… A e di se si i ka shpjeguar los higuerones (pemë fiku e Amerikës Latine) te ‘Kronika e një vdekjeje të shpallur’ përkthyesi im italian? Dëgjo, unë që i vogël i kam pasur tmerr këto pemë me degët e tyre të errëta e të spërdredhura llahtar, gjithmonë më janë dukur kobzeza dhe ëndrrat e frikshme më janë shpifur përherë me to. Te ‘Kronika’, janë los higuerones që mbajnë gjithë peshën e tmerrit. Mirëpo, përkthyesi italian i ngjiti fjalës atë yllëzin tënd dhe i dha shpjegimin më të rëndomtë e më të shpëlarë të botës, duke ia hequr të gjithë ngjyrimin artistik: ‘pemë fiku që rritet në Amerikën Latine, me dru të fortë, të bukur, që shërben për të bërë orendi dhe anije’… Prandaj edhe jam kundër shpjegimeve”.

Marquezi ishte shumë entuziast për krijimin e Shtëpisë së Përkthyesit në Tarazona, për bashkëpunimin midis përkthyesve dhe sidomos midis autorit dhe përkthyesit. Më pyeti se kush e financonte. “Unë vetë”, më tregoi, “kam ngritur një shkollë kinematografike në Kubë, ku studiojnë dy mijë studentë, për tre vjet”. Pastaj më tregoi se merrej me skenarë televizivë, se e krahasonte veten me një makinë krijuese, që shkruante, madje, edhe në avion gjatë fluturimeve të gjata, për të mos iu fikur motori. U lehtësua kur e sigurova se gjuha shqipe nuk kishte germa cirilike dhe më dëgjoi me kërshëri kur i tregova shumë shkurt se ishte një nga gjuhët me të lashta të Evropës.

– Po tani ç’keni në dorë? – e pyeta.

– Tani po merrem me kujtime – m’u përgjigj. – Por…

M’u afrua më pranë e më tha zëulët: “Zakonisht tjetër them dhe tjetër shkruaj”.

Unë shihja me bisht të syrit orën që rendte si e çmendur, duke e lënë disa herë pas njëçerekorëshin takim me Gabon që më kishte premtuar Carmeni fuqiplotë, dhe mbaja sytë me frikë nga dera se mos shfaqej ajo dhe biseda jonë merrte fund. Por, biseda vazhdoi gjatë e paturbulluar. Folëm e folëm përsëri, për të drejtat e autorit në botë, për politikë, për miqtë politikanë të Gabos, për Amerikën Latine, për Kolumbinë, “vendin më të rrezikshëm të botës”, siç e quante Marquezi, së cilës po i fironte gjaku nga droga…

Dhe takimi ynë i gjatë mori fund ashtu siç e pata parashikuar: me shfaqjen në derë të engjëllit- mbrojtës të El Gabos, që mbante në dorë Gjenerali në labirintin e tij, veprën më të fundit të Marquezit. Ai e mori librin dhe hoqi stilografin e zi nga xhepi i këmishës. Diçka do të ndodhte që stilografi i zi po ndërronte vend! Gaboja shfletoi disa faqe dhe zuri ta rrëshqiste stilografin mbi letër. Fytyra i ndriste nga një buzëqeshje fëmijërore. Zgjata kokën. Po vizatonte një lule tetëpetaleshe me bisht të gjatë, të gjatë, sa i hante fleta, dhe përbri: Një lule pirate për Mirën. “Gabriel, ’90”.

Kur nisa udhën e kthimit për në Tarazona, Barcelona dukej si e mbytur në një dallgë të purpurt nga një muzg tejet i përflakur.

Pas mesnate, në Tarazona u kujtova se nuk i kisha thënë Gabos gjënë më kryesore: se e adhuroja atë si shkrimtar dhe gjithë veprën e tij. Si asnjë shkrimtar tjetër në botë. Atëherë mora dhe i shkrova një kartolinë me pak fjalë që i thoshin shumëçka.